Braçe: Ju vendosni për rrugët, nëse nuk ju dëgjojnë tërhiquni nga qeveria


Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti Nasip Naço, ka zhvilluar ditën e sotme takime në Berat dhe Skrapar.


Meta është përqendruar në gjendjen e rrugëve të Qarkut të Beratit, të cilën e ka cilësuar si dramatike. Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Qarkut të Beratit të mbështesin kërkesën e Naços për ndërhyrjen urgjente në infrastrukturën rrugore.


Reagimi


Pas deklaratave të Metës, ka reaguar deputeti socialist Erjon Braçe, i cili i ka bërë thirrje kreut të LSI-së të  dali nga qeveria me Sali Berishën.


“Ilir Meta më ka bërë thirrje mua sot të mbështesë deputetin e tij Nasip Naço në kërkesën për rrugët e Beratit! Kësaj i thonë ti bësh thirrje kalit të ndjekë gomarin! Ilir Meta ka që nga shtatori i 2009-ës në qeveri me Sali Berishën; ka 30% të të gjithë strukturës administrative të shtetit dhe qeveria aktuale njihet si qeveria Berisha-Meta!” ka shkruar Braçe në rrjetin social “Facebook”. Më tej Braçe shkruan se Ilir Meta ka që nga vitit 2009 që bashkëqeverisë me Berishën dhe nuk ka kërkuar asnjëherë që të ndërhyhet në rrugët e Beratit.


“Ilir, Nasip e të tjerë, ju vendosni! Nëse Sali Berisha nuk ju pyet atëherë dilni nga qeveria! Ylli Manjani është zv/ministri yt i transportit, ai vendos për planin e rrugëve! Nëse edhe atë se pyesin, atëherë tërhiq atë të parin nga qeveria!! Bëje! Kështu shpëton Berati dhe Shqipëria!! Ti je përgjegjës po aq sa Sali Berisha për gjendjen e mjera të Beratit këtë dimër! Rri si partneri 4-vjeçar që mban në këmbë qeverinë e Sali Berishës!!”, shkruan Braçe.


9 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)