Kreu i LSI-së e ka vlerësuar zgjedhjen e President si një proces gjithëpërfshirës dhe demokratik, ndonëse jo perfekt
Një ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka kërkuar nisjen e punës për përmbylljen e reformave, ndërkohë që ka hedhur poshtë zërat për emërimin e tij në krye të ministrisë së Brendshme.
“Dihet që media bie dhe viktimë e të pavërtetave, por dhe kjo është demokratike. Unë ju falënderoj dhe njëherë për vëmendjen dhe e theksoj që ky dialog që u vendos me rastin e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të vazhdojë, duhet të intensifikohet, për të mbyllur tre çështje kyçe, reformën parlamentare, reformën zgjedhore, dhe njëkohësisht çështjen e imunitetit”, u shpreh Meta gjatë një komunikimi me mediat në selinë e LSI-së.
Ai e ka konsideruar zgjedhjen e President si një proces gjithëpërfshirës dhe demokratik, ndonëse nuk ka qenë perfekt. “Ky proces nuk mund të themi se ishte perfekt por ka qenë procesi më gjithëpërfshirës, më demokratik, më transparent që ka pasur vendi”, tha Meta, ndërkohë që ka ripërsëritur se zgjedhja e presidentit nuk do të jetë pengesë për marrjen e statusit kandidat për në BE, vjeshtën e këtij viti.
“Në rast se reformat mbyllen me sukses, absolutisht, unë jam i bindur që statusi i vendit kandidat është një mundësi tërësisht e arritshme. Të jeni të sigurt ju që figura e presidentit të ri nuk është pengesë, por është ndihmesë për statusin e vendit kandidat. Pengesë për statusin ka qenë konflikti i së kaluarës, ka qenë bojkoti, ka qenë mosbërja e reformave dhe përsëri ky mund të ishte një pengesë edhe për të ardhmen. Por unë besoj që të gjitha forcat politike do të ecin në frymën e bashkëpunimit edhe në frymën e interesit kombëtar dhe të përgjithshëm”, u shpreh Meta.
12 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)