Kreu i l Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një dalje për mediat ditën e sotme e ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti në Greqi.
Meta ka theksuar se ministri i Jashtëm, Panariti ka shënuar një stad të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtruar në axhendën e vizitës së tij zyrtare në shtetin helen, çështje që nuk janë kërkuar apo diskuar më parë nga ministra të tjerë të jashtëm. Ai ka deklaruar se Panariti në bisedime me homologun e tij grek ka shtruar çështje të konsideruara si të vështira dhe të bartura nga e kaluara, që kanë të bëjnë sidomos me kujdesin ndaj shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi apo pengesat e shumta në fushën e transportit dhe patentave.
Gjithashtu, sipas Metës Panariti ka kërkuar në Athinë edhe heqjen e një ligji absurd si ai i luftës, që Greqia e ka ende në fuqi me vendin tonë apo çështjen e çamëve një nga më të rëndësishmet në lidhje me fqinjët tanë çka përbën një hap të rëndësishëm edhe në vlerësimin e marrëdhënieve të mëtejshme me Greqinë.
Ndërsa lidhur me marrëveshjen e ujërave me Greqinë, për të cilën është diskutuar aq shumë edhe në media, Meta ka theksuar se Ministria e Jashtme shqiptare, e cila vitet e fundit është përfaqësuar nga LSI në qeveri, ka qenë gjithmonë transparente e vendosur që kjo marrëveshje të zgjidhet në përputhje me kushtetutën e vendit.
5 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)