Kreu i PDS-së ka kërkuar sërish nga dy partitë kryesore të pranojnë kërkesën për korrektim kombëtar të sistemit
Një ditë pasi komisioni i reformës zgjedhore diskutoi për korrektimin e sistemit zgjedhore, kreu i Partisë Demokracia Sociale (PDS), Paskal Milo e ka quajtur manovër të dy partive të mëdha lënien e kësaj çështjeje në dorë të ekspertëve. Ai quajti përgjegjës edhe OSBE-ODIHR nëse “mbyll sytë” në këtë situatë. Kreu i PDS-së, në emër të “të vegjëlve” u ka bërë thirrje partive kryesore në vend, PD dhe PS të marrin parasysh kërkesat e tyre për korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor.
“Dje, komisioni i reformës zgjedhore konfirmoi se do të shqyrtojë kërkesën e partive të vogla për reformën zgjedhore. Shpresoj që PD dhe PS të thyejnë heshtjen disamujore dhe të marrin në konsideratë partitë e vogla. Dyshojmë se lënia në dorë të ekspertëve është një manovër politike e palëve. Shpresojmë që të hënën dy partitë të reflektojnë dhe ta miratojnë kërkesën tonë. Janë vetëm dy faktorët politikë që mund t`i japin zgjidhje kësaj çështjeje”, deklaroi kreu i PDS-së.
Gjatë mbledhjes së djeshme, komisioni parlamentar i reformës zgjedhore miratoi me konsensus pjesën administrative, ndërkohë që u vendos që propozimet e partive të vogla për reformën zgjedhore do të merren në shqyrtim nga ekspertët. Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda 12 korrikut, sipas afatit të fundit që ju dha dhe komisionit parlamentar, ndërkohë që vonesat në përmbylljen e saj do të kishin pasoja në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në tetor të këtij viti
6 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)