Vetëm tre ministra shqiptarë, nga 15 gjithsej, nuk kanë shtëpi në bregdet apo në zonat e tjera turistike. Ata janë: Edmond Haxhinasto, Nasip Naço dhe Myqerem Tafaj.
Ministri aktual i Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto shfaqet më modesti në deklaratat e tij të pasurisë. Në deklaratën e pasurisë spikat fakti se bashkëshortja e tij është punësuar në sektorin privat.
Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Braka, aktualisht deputet i PD-së deklaron se përgjatë vitit 2011 ka përfituar rreth 9 mijë euro nga puna e të birit në emigracion.
Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi deklaron se ai ka përfituar përgjatë vitit të kaluar 30 mijë euro si rezultat i dhënies me qera të apartamenteve dhe objekteve të tjera në pronësinë e tij.
Olldashi, Pollo, Mediu blerje në bregdet, Ruli ndërton në Farkë.
Ministri i Bujqësisë harxhon 150.000 euro për të ndërtuar shtëpinë në periferi të Tiranës
Fatjona Mejdini
Ministrat e kabinetit Berisha nuk kanë nguruar që gjatë vitit 2011 të investojnë në pasuri të paluajtshme. Një pjesë e mirë e tyre kanë preferuar të blejnë vila pushimi, të ndërtojnë dhe të restaurojnë shtëpitë e tyre dhe po kështu të legalizojnë trojet e marra në pronësi vite më parë. Për sa i përket vilave të pushimit, ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi ka blerë një vilë në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Po kështu, ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka zgjedhur Qerretin e Kavajës për të blerë vilën e tij të pushimit, pranë detit. Një investim të rëndësishëm për 2011-ën ka bërë edhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ka shpenzuar 150.000 euro për të ndërtuar një vilë me sipërfaqe prej 468 m2 në truallin e blerë në Farkë. Ministri i Financave, Ritvan Bode, gjithashtu, ka përdorur 5 milionë lekë për të rikonstruktuar një shtëpi në fshatin turistik të Korçës. Po kështu, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka arritur të legalizojë truallin e vilës së tij në Golem, përmes Agjencisë së Legalizimit të Pronave, pavarësisht se ai është kryetar i Partisë Republikane, që në thelb ka mbrojtjen e të drejtave të ish-pronarëve të tokave.
Blerjet
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, përgjatë vitit të shkuar, ka shtuar një vilë në Gjirin e Lalëzit, me sipërfaqe 151 m2, me një vlerë prej 57 mijë eurosh. Në deklaratën e tij të pasurisë, Olldashi thekson se gjatë vitit 2011 ka shlyer 30 mijë euro për këtë blerje dhe këstin e dytë do ta shlyejë brenda këtij viti. Nga ana tjetër dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka blerë një vilë me sipërfaqe 130 m2 në fshatin bregdetar të Kavajës, Qerret. Sipas deklaratës së tij të pasurisë, kjo vilë kushton 70 mijë euro dhe ka një sipërfaqe prej 130 m2. Bregdeti i Durrësit dhe i Kavajës janë bërë destinacione të preferuara për blerjen e apartamenteve apo vilave të pushimit, për shkak dhe të afërsisë së tyre me Tiranën. Në Qerret dhe në Gjirin e Lalëzit janë krijuar lagje rezidenciale me vila dhe apartamente, që zotërohen kryesisht nga politikanët dhe biznesmenët.
Ndërtimet
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjatë vitit të kaluar ka ndërtuar dhe ka mobiluar shtëpinë e tij në komunën Farkë të Tiranës. Ky investim i ka kushtuar jo pak, por 150.000 euro ish- ministrit të Ekonomisë, të përdorura për ndërtim dhe mobilim. Në deklaratën e tij të pasurisë, ai thekson se në një truall me sipërfaqe 612 m2 në Farkë ka ndërtuar një vilë me sipërfaqe 468 m2. Nga ana tjetër, ministri i Financave Ritvan Bode ka harxhuar 5 milionë lekë nga të ardhurat vetjake për të rindërtuar një shtëpi në Rakickë të Korçës, të cilën deklaron se e ka përfituar mbi procesin e kthimit të pronave.
Legalizimet
Ministri i Mjedisit, njëkohësisht kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka përfituar si pasojë e procesit të Legalizimit të pronave pronësinë mbi një truall të blerë vite më parë në komunën e Golemit të Kavajës. Është interesant fakti se ndonëse Mediu është kryetar i PR-së, një parti e cila ka në qendër kthimin e pronave për ish-pronarët, përfiton dhe nga procesi i legalizimit.
Bregdeti i Durrësit dhe i Kavajës janë bërë destinacione të preferuara për blerjen e apartamenteve apo të vilave të pushimit, për shkak dhe të afërsisë së tyre me Tiranën.
Ministri i Financave Ritvan Bode ka harxhuar 5 milionë lekë nga të ardhurat vetjake për të rindërtuar një shtëpi në Rakickë të Korçës, të përfituar nga kthimi i pronës.
Ruli, një ekonomist i mirë
Ish-ministri i Ekonomisë, aktualisht në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Genc Ruli, ka arritur të përfitojë gjatë vitit të shkuar të ardhura të konsiderueshme nga interesat e investimit në bono thesari dhe po kështu nga interesat e depozitave të tij bankare. Ai ka përfituar rreth 300 mijë lekë nga interesat e bonove të thesarit dhe 1500 USD nga interesat e depozitave.
Bashkëshortja e kreut të grupit demokrat deklaron 105 mijë euro pasuri personale
Topalli përfiton 2 milionë lekë nga kompensimi i pronës. Patozi blen dy makina
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi kanë pasur një vit të mbarë për sa i përket shtimit të të ardhurave të tyre. Në deklaratat e pasurisë për vitin 2011, Topalli deklaron se ajo, përveç të ardhura të konsiderueshme që merr nga paga e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë, ka përfituar dhe rreth 2 milionë lekë nga kompensimi i ish-pronarëve. Po kështu, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaron se ka arritur të blejë dy automjete personale gjatë vitit të shkuar dhe po kështu të akumulojë rreth 15 mijë Euro në cash. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, deklaron se ka 105 mijë euro në depozita bankare, si pasojë e trashëgimisë familjare.
Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli deklaron se, përgjatë vitit të shkuar, si rezultat i pagave dhe i shpërblimeve në pozicionin e saj si kryetare e Kuvendit, ka arritur të përfitojë një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekë. Nga ana tjetër, Kryeparlamentarja thekson se rreth 2 milionë lekë ajo i ka përfituar nga procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, nisur nga fakti se familja e saj përfiton prej vitesh nga statusi si ish-pronarë. Në deklaratën e saj të pasurisë, Topalli nuk harron të deklarojë edhe 1 milion lekë shpenzime për shkollimin e vajzës së saj në një nga universitet në Francë. Bashkangjitur me deklaratën e Topallit është edhe ajo e bashkëshortit të saj, Ndoc Topallit, i cili deklaron se ka përfituar 4 milionë lekë duke ushtruar profesionin privat të noterit.
Patozi
Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi deklaron se ai ka arritur të blejë gjatë vitit të shkuar një makinë tip “Peugeot”, me vlerë rreth 13 mijë euro, të ardhurat e së cilës, deklaron se i ka përfituar nga shitja e makinës së vjetër. Po kështu, ai deklaron dhe blerjen e një makine, tip “Benz”, të blerë me shumën e 300 mijë lekëve. Patozi thekson se, si rezultat i kursimeve familjare, ai disponon një shumë prej 15 mijë eurosh në cash. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, Amantja Patozi deklaron se disponon një shumë prej 105 mijë eurosh personale, të cilën e ka depozituar në dy banka të ndryshme. Në deklaratën e saj të pasurisë theksohet se shumat që disponon janë dhuratë nga nëna e saj, të përfituara nga shitja e pronave të familjes.
F.Mejdini
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaron se ai gjatë vitit 2011 nuk ka bërë asnjë blerje, por vetëm ka përfituar nga paga e tij si deputet dhe ajo e bashkëshortes si sekretare organizative për LSI-në.
Bregu merr 145 mijë euro kredi, por nuk i përdor
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu thekson në deklaratën e saj të fundit të pasurisë, se ajo, së bashku me bashkëshortin, kanë marrë një overdraft me vlerë prej 145 mijë euro, të cilin nuk e kanë përdorur. Në deklaratën e saj të pasurisë, Bregu sqaron: “Në 26 tetor 2010 është marrë overdraft me shumën 145.000 euro. Overdrafti është, por nuk është përdorur, pasi u mbyll depozita personale në 14 korrik 2011 dhe ato fonde u përdorën për të zvogëluar përdorimin e tij”, duke e bërë të paqartë arsyen e marrjes së kësaj shume të konsiderueshme nga banka dhe mospërdorimin e saj më pas. Nga ana tjetër, po brenda vitit 2011, Bregu deklaron se ka marrë nga e njëjta bankë dhe një tjetër overdraft me vlerë 5000 euro.