Ivan Mrkic, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka paralajmëruar një vizite zyrtare në Tiranë. Numri një i diplomacisë serbe ka bërë me dije se të hënën do të jetë në Shqipëri. Lajmi është raportuar nga mediat serbe, ku sipas tyre të martën Mrkic pritet të takohet me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti.”Nesër do të shkojë në Tiranë. Shumë vjet atje nuk ka shkuar ministër serb i Jashtëm. Me siguri do të krijojmë bazat për bashkëpunim më të mirë”, ka thënë Mrkic, për gazetën serbe “Politika”.


Po sipas mediave serbe, shefi i diplomacisë së Serbisë do të ketë një vizitë të gjerë, në shumicën e vendeve të rajonit. Pas publikimit të lajmit, ka reaguar Aleanca Kuq e Zi, e cila ka akuzuar qeverinë se prej një jave po mban të fshehtë vizitën e ministrit serb, ndërkohë që ka paralajmëruar se do të organizojnë protesta kundër vizitës së Mrkic.


“AK reagon ashpër kundër fshehjes nga qeveria shqiptare për më shumë se një jave të vizitës dhe axhendës së ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, në Tiranë. AK shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e organizimit të kësaj vizite dhe mungesën e transparencës të disa takimeve radhazi të shtetasit Berisha me diplomacinë rajonale”, thuhet në deklaratën e AK-së. Denoncimet e AK-së ka shkuar më tej duke deklaruar se vizita e ministrit serb është negociuar nga Damir Fazlliç.


“AK denoncon para opinionit publik se ka disa të dhëna që  negociatat për vizitën e ministrit të Jashtëm serb Ivan Mrkic janë kryer nga pazarxhiu i Ballkanit Damir Fazlliç.


Është e pa tolerueshme që marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë të pakushtëzuara nga pala shqiptare, pavarësisht faktit se Serbia nuk njeh shtetin e Kosovës, nuk respekton të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk kane kërkuar ende falje për genocitin e kryer dhe krimet kundër popullatës shqiptare. AK njofton mbarë opinionin publik se do ta presë ministrin e jashtëm serb Ivan Mrkic me protesta”.


21 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)