“Nuk do të tolerohen më, qofshin edhe shefa shërbimi”
Mjekët e dypunësuar, që shpesh gjatë orarit zyrtar i gjen të shërbejnë në spitalet private, nuk do të tolerohen më, qofshin këta edhe shefa shërbimi. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, deklaron për “Top Channel” se kanë nisur kontrollet për të frenuar këtë fenomen dhe ndaj kujtdo që abuzon në këtë mënyrë do të ndërmerren masa administrative. “Së pari, për sa i përket orarit zyrtar të mjekëve nëpër spitalet publike, unë sikurse e theksova, mjekët janë të detyruar që në këtë orar zyrtar të shërbejnë në shërbimet e tyre në spitalet publike dhe jo vetëm gjatë orarit zyrtar, por edhe jashtë orarit zyrtarit, kur ajo është e nevojshme, kur ajo kërkohet nga shërbimi. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme për të parë respektimin e orarit, në bashkëpunim edhe me drejtoritë përkatëse të spitaleve, për të parë nga afër respektimin e orarit të bluzave të bardha dhe padyshim që do të ketë masa administrative ndaj këtyre punonjësve”, tha Tavo. Një tjetër problem, me të cilin ndeshen pacientët, është tërheqja e tyre shpeshherë edhe me imponim nga mjekët drejt klinikave të tyre apo kundrejt përqindjeve drejt spitaleve private ku ata punojnë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, investimi ne teknologji, rritja e cilësisë së shërbimit në spitalet publike, si dhe motivimi i mjekëve nga ana financiare, do të reduktojë një fenomen të tillë, por, nga ana tjetër, u kërkon qytetarëve t’i denoncojnë raste të tilla. “Për sa i përket çështjes, që me të vërtetë është një çështje e prekshme, rekrutimit të pacientëve nga spitalet publike për në spitalet private, kemi filluar të bëjmë sondazhe, ku pacientët do të shprehen në lidhje me ankesat që kanë dhe do i adresojnë ankesat e tyre, qoftë edhe me emra përkatës, duke ruajtur anonimitetin e tyre, për problematikën që kanë hasur në shërbime të caktuara në spitalet publike. Nga ana tjetër, është nxjerrja e kartës shqiptare të të drejtave të pacientit që do të afishohet në çdo derë të çdo spitali”, tha Tavo.