Më herët kreu i opozitës deklaroi se Shqipëria po digjet në flakë, ndërsa Berisha vazhdon krehjen para kamerave


Ministria e Brendshme ka akuzuar opozitën se po përfiton nga situata e krijuar nga zjarret për të fituar kapital politik. Zëdhënësi i ministrisë, Leonard Olli, në një dalje publike pasi ka bërë një pasqyrë të situatës dhe masave të marra deri më tani, është përqendruar në deklaratat e fundit të kreut të opozitës, Edi Rama që më herët deklaroi se:


“Shqipëria digjet në flakë, ndërsa kryeministri krihet para kamerave. Shfaqet rrugë më rrugë me sloganin Shqipëria po ndryshon dhe shan e shan opozitën, teksa flakët vazhdojnë përpijnë ç’u del përpara – në mungesë të shtetit që e ka braktisur detyrën”.


Olli ka akuzuar opozitën dhe kreun e saj se ka përdorur sërish: “një gjuhë fyese e shpërfillëse ndaj gjithë atyre që prej javësh të tëra përballen me zjarret, që prej muajsh janë privuar nga familjet e tyre, por qëndrojnë në vijë të parë për fikjen e zjarreve”. Më tej Ministria e Brendshme i bërë apel kreut të opozitës, që të shprehë solidaritet dhe të mos përfitojë politikisht.


“Ministria e Brendshme i bën apel kreut të opozitës që në sinkron me ndjeshmërinë dhe kërkesën e mbarë opinionit publik, në vend të fërkimit të duarve në situata të tilla me shpresën se fiton kapital politik, të bëjë apel për ndëshkime më të ashpra ndaj gjithë atyre që shkatërrojnë pasuritë kombëtare dhe të individit. Nuk është koha për t’u fryrë zjarreve të përfitimit politik, por është koha për të shprehur solidaritet me çdo banor të këtyre zonave dhe vlerësim për të gjithë ata punonjës të shtetit, të cilët sakrifikojnë gjithçka, vënë jetën në rrezik për të shpëtuar pyjet, ullishtet, shtëpitë dhe jetën e çdo qytetari të këtij vendi”, përfundon deklarata e Ollit.


2 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)