KQZ – Në raport theksohet se vendimmarrja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është e paragjykuar dhe e paracaktuar nga mazhoranca


Administrata – Anëtarët e opozitës në KQZ theksojnë se administrata e institucionit nuk u jep asnjë të dhënë dokumentare për procesin


Listat – Listat Zgjedhore mbeten një problem thelbësor, pasi Ministria e Brendshme refuzon të japë informacion mbi ndryshimet që bëhen në kohë


Problemet


Raporti i nënkryetarit të KQZ-së që i është dorëzuar misionit të ODIHR


Bledar Hoti


KQZ-jaZbulohet raporti që anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë dorëzuar tek misioni vlerësues i ODIHR, i cili vizitoi Tiranën ditët e fundit. Në këtë raport bëhet e ditur se KQZ vazhdon të jetë një organ i politizuar dhe i polarizuar nga mazhoranca qeverisëse. Në mënyrë të qartë theksohet se Ministria e Brendshme refuzon të japë të dhënat mbi listat e zgjedhësve, duke argumentuar se janë “të dhëna personale”, por nga ana tjetër këto përdoren nga përfaqësuesit e mazhorancës. Në një dokument të hartuar në gjuhën angleze nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, dhe anëtarja e këtij institucioni, Albana Shtylla, theksohet se “vendimmarrja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është e paragjykuar dhe e paracaktuar. Konsensusi është përdorur vetëm për çështje të rëndësisë shumë të vogël. Megjithatë, ne nënvizojmë që propozimet e opozitës në komision janë pranuar vetëm në shumë pak raste”. Nënkryetari Bina thekson në raportin e dorëzuar misionit të ODIHR se “është shumë e vështirë për anëtarët e KQZ-së që të marrin informacion nga administrata e këtij institucioni, e cila funksionon vetëm sipas urdhrave të kreut të saj. Në një shembull të ilustruar në dokument theksohet se dy anëtarë të KQZ-së kanë kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni që të informohen në lidhje me projektet teknologjike në qarqet e Fierit dhe atë të Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm refuzoi të japë materialet, duke argumentuar se “është sekret, ngaqë mund të influencojë në mbarëvajtjen e tenderit”. Në dokument theksohet se kreu i KQZ-së nuk i jep hapësirën e duhur opozitës gjatë mbledhjeve të institucionit. Pasi jepet në detaje një informacion në lidhje me shpërndarjen e mandateve, duke përmendur problemet e mëdha në regjistrin themeltar.


Përplasja


Dy drejtuesit e KQZ-së, Lefterije Lleshi dhe Denar Biba, kanë paraqitur dy ekspoze të ndryshme në lidhje me procesin dhe vendimet që ky institucion ka marrë infrastrukturën zgjedhore. Ky fakt u bë i ditur në mbledhjen e KQZ-së. Gjatë takimit me 3 anëtarët e misionit vlerësues të ODIHR-it, të kryesuar nga nëndrejtoresha e Departamentit të Zgjedhjeve në këtë strukturë, Nikola Shmid, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ka dorëzuar një material me të gjitha vërejtjet e tij. “Edhe tek OSBE/ODIHR-i po jua bëj me dije kolegëve, zoti Biba paraqiti një dokumentacion për të cilin unë nuk e di se çfarë shkruante brenda dhe e ka paraqitur pa e ditur fare se çfarë është. Ndoshta për etikë profesionale një kopje të asaj mund të ma kishte lënë dhe mua”, deklaroi Lleshi. Nënkryetari Denar Biba reagoi duke replikuar, se “po si të më mohosh të drejtën e fjalës këtu, patjetër që do t’u drejtohem atyre, se ata më kanë mbetur. E nderuara kryetare bëri një ekspoze të mbarëvajtjes së punës sikundër ka shkuar. Unë tregova qasjen time në lidhje me këtë mbarëvajtje. Atë që thashë me gojë e dorëzova dhe me shkrim. Asgjë përtej atyre që juve dini, asgjë përtej atyre që ne dëshironim t’i kishim edhe në raportin që i shkoi Kuvendit të Republikës”. Mësohet se shqetësimi kryesor i ngritur nga numri dy i KQZ-së, Biba, para delegacionit të ODIHR-it, ka qenë mosdakordësia për shpërndarjen e mandateve të deputetëve dhe përmasat që mori çështja. Por mësohet se, sipas ekspertëve të kryesuar nga Shmid, kjo quhet një temë e ezauruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj komisioni duhet të mos diskutojë më dështimet, por të përmirësojë performancën në vendimmarrjet e ardhshme. KQZ-ja pati përplasje dhe në lidhje me aktin për rregulloren, si dhe për listën me anëtarët e KZAZ-ve. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, e cilësoi deklaratën e KQZ-së si tërësisht politike. “Ju ftoj të qëndroni mbi palët, kështu vjen besimi tek institucioni”, tha Gjonçaj. Por kryekomisionerja iu kundërpërgjigj se “nuk jam përdorur politikisht. Bëra punën time. Lista që keni sjellë jo në afatin e duhur kohor, KQZ-ja e ka vlerësuar të mangët, sepse lista nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës. Po përgatis një letër drejtuar PS-së për të plotësuar atë listë”. Ndërsa shqyrtimi i projektrregullores, pas votimit në parim me 7 vota, u la për t’u diskutuar nen për nen të premten.


Raporti – Nënkryetari Biba ka paraqitur një dokument prej 10 faqesh dhe ka paraqitur të gjitha problemet me zgjedhjet, mandatet, listat, si dhe cenimi i së drejtës së dy anëtarëve


Dublimet – Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi para pak ditësh se dublimet ende vazhdojnë në lista


Zhvendosja – Nga disa qarqe të vendit, kryesisht në Fier dhe Durrës po raportohet zhvendosje drejt Tiranës


Regjistri – Këto zhvendosje nuk po pasqyrohen në regjistrin kombëtar të votuesve që administrohet nga DGJC


Vendorët – Bashkitë dhe komunat e vendit janë ankuar shpesh për problemet që shkaktohen nga Ministria e Brendshme