Miqtë dhe bashkëvuajtësit e Lirak Bejkos në grevën e urisë, kanë akuzuar sërish qeverinë si fajtore për vdekjen e parakohshme të 47-vjeçarit. Ata kanë zhvilluar sot ngushëllime në familjen e të ndjerit dhe kanë kërkuar publikisht që Instituti i Ish-të përndjekurve politikë të hap dyert për zhvillimin e homazheve, ditën kur trupi i të ndjerit të kthehet në atdhe. Të dërrmuar nga dhimbja për humbjen e shokut të tyre, ish-grevistët e urisë kanë kërcënuar me kryerjen e akteve të rënda në shenjë proteste ndaj mosplotësimit të kërkesave të tyre dhe indiferentizmit të treguar nga qeveria.
“Greva sapo ka filluar, ne do të flijohemi siç kemi hedhur shortin dhe do flijohemi sic bëri shokë ynë dhe dy shokët e tjerë që janë duke vdekur, për të drejtat tona” ka deklaruar Agim Kollçaku, ish-grevistë i urisë. Ndërkohë Skënder Tufa, ish-koordinator i grevës e ka cilësuar vdekjen e Lirak Bejkos si humbje për të gjithë shqiptarët, pasi ai ishte një njeri i përgjegjshëm dhe protestoi për të drejtat e tij. “Sali Berisha ti je përgjegjësi i drejtpërdrejtë i vdekjes së Lirak Bejkos”, ka akuzuar Tufa.
Trupi i pajetë i 47-vjeçarit Bejko pritet të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e së martës, ndërkohë të përndjekurit janë duke u përballur me një tjetër rezistencë nga instituti i ish-të përndjekurve. Ata kërkojnë medoemos që homazhet e Lirak Bejkos të kryhen në ambientet e këtij instituti. Herët në mëngjes ata kanë protestuar përballë kësaj dere.
“Të hapet për arsye njerëzore, këtu do të vijnë njerëz nga gjithë Shqipëria dhe diaspora për të nderuar këtë hero. Ai është krenaria jo vetëm e jona, por e çdo njeriu të ndershëm”, ka deklaruar Skënder Tufa.
Ndërkohë kreu i ish-të përndjekurve politikë Kurt Kola, ka kërkuar hapjen e dyerve të Institutit për kryerjen e homazheve. Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha si përgjegjësin kryesor për vdekjen e Lirak Bejkos. “Berisha vret qytetarët si Gadafi në Libi nuk do t’ja dijë se po digjen njerëzit si në mesjetë. Instituti të na lëshojë godinën për të bërë mortin e martirit Bejko. Nëse nuk na lejojnë, do të thyejmë derën e asaj godine”, ka deklaruar Kola.
Lirak Bejko u vetëdogj me benzinë pranë ambienteve ku për një muaj u zhvilluar greva e urisë e një grupi ish-të përndjekurish politikë. Bejko pësoi djegie në më shumë se 50 për qind të trupit dhe ai u transportua në një klinikë të specializuar në Bari. 47-vjeçari baba i tre fëmijëve, ndërroi jetë pasditen e djeshme.
17:10- Totozani: Hidhërim të thellë për humbjen tragjike
Avokati i Popullit, Igli Totozani nëpërmjet një deklarate publike ka shprehur dhimbjen për “ndarjen e parakohshme nga jeta të Lirak Bejkos, pas një periudhe trajtimi shëndetësor ndaj plagëve të marra nga një akt dëshpërimi vetëflijues. Avokati i Popullit shpreh dhimbje dhe trishtim për këtë fund tragjik të jetës së këtij qytetari dhe në të njëjtën kohë i shpreh familjes së tij, vajzave, nënës dhe bashkëshortes ndjenjat e solidaritetit njerëzor në këtë moment të vështirë të kësaj humbjeje të madhe për ta”.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
