Blushi: Dështuam me arsimin profesional. Nikolla: Je jashtë realitetit
HERION MESI
Ligji i ri “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” u votua nga Kuvendi me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në votimin e mbrëmshëm, opozita nuk mori pjesë në votim të projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, pavarësisht se debatoi në mënyrë aktive. Sipas ndryshimeve të këtij drafti në momentet e fundit u vendos që alterteksti nuk do të hiqet. Pas konsultimeve me grupet e interesit, Ministria e Arsimit vendosi që të kthejë mbrapsht propozimin për kthimin në monotekst. Por, procesi i altertekstit, do të funksionojë me vetëm tre alternativa për lëndë. Nga ana tjetër, edhe emërimet e reja të mësuesve do të bëhen nga Ministria e Arsimit dhe komisioni përzgjedhës, pjesë e të cilit do të jenë mësues dhe prindër. Këto janë dy prej ndryshimeve që parashikon ligji i ri i arsimit parauniversitar, i miratuar dje me vendim qeverie.
Debatet
Nisma e qeverisë ka qenë objekt i përplasjeve në Kuvend jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe mes vetë socialistëve. Deputeti i PS-së, Ben Blushi, në fjalën e tij ka qenë i ashpër sa i përket reformave të ndjekura nga qeveria e majtë, madje duke e cilësuar si të dështuar idenë e kalimit të arsimit profesional në ministrinë që drejtohej nga kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. “Arsimi profesional po dështon, duhet t’ia kthejmë Ministrisë së Arsimit. Kjo është njësoj sikur Ministria e Mbrojtjes t’i kalojë ushtrinë Ministrisë së Kulturës”. Duhet diçka mes gjimnazit dhe universitetit. Një 15-vjeçar është shumë shpejt për t’u bërë hidraulik, është shumë shpejt të marrësh zanatin në atë moshë. Ka ardhur koha t’i kthejmë pasionin shkollës. Fëmijët sot nuk kanë dëshirë të shkojnë në shkollë, ne kishim qejf të shkonim në shkollë, ka humbur pasioni. Libri, cilësia e librit mund t’ia kthejnë pasionin. Arsimi është problem ekonomik, tha Blushi. Ai shtoi se nuk mund të bëhet shkollë kur nga 40 mijë mësues në të gjithë vendin, rreth 20 mijë prej tyre janë komisionerë për zgjedhjet. “Çfarë problemi ka arsimi sot? Mësuesit. Një shkollë e bukur, me teknologji. Shkolla është libri dhe mësuesi. Ky ligj kam përshtypjen u krijon pasiguri të re mësueseve. I thotë se nëse një prind është i pakënaqur për mësuesin, ai ka të drejtë të iniciojë procedurën e shkarkimit për të. Unë besoj se e kemi detyrimin që mësuesit t’i japim garanci. Do hiqja me ligj që t’i nxjerrim mësuesit nga zgjedhjet. T’i përdorim mësuesit si kope dhe mbledhim votat si detyrim, pasi këtu shkolla ka mbaruar. Nga 40 mijë mësues janë minimumi, 20 mijë komisionerë, nëse i fusni këta në zgjedhje, shkolla ka vdekur. Mësuesi nuk mund të jetë i politizuar. Ai nuk mund të përdoret për zgjedhjet. Ky projektligj i jep të drejtën të largohej një mësues. Po kush i emëron mësuesit? Po bëjmë zgjedhjet mbi një sistem me 61 njësi. Për arsimim ka 36 drejtori”, tha Blushi. Ai kërkoi që shkolla e mesme të bëhet e detyrueshme në Shqipëri. “Nuk jam i bindur se alterteksti ka funksionuar. Shkolla shqiptare duhet të ketë demokraci dhe hapësirë, me shumë mundësi për të zgjedhur mes ca tekstesh. Nëse janë tre pse të mos jenë katër apo më shumë. E kush e zgjedh që janë tre? Për mua ky proces nuk ka funksionuar. Apo merr paratë nga një botues e nga një shkrues. Për të mos folur më pas për xhunglën e teksteve. Pasi konstatova se një nga librat e mi ishte klonuar. Dhe ishte përpunuar në një shtëpi ilegale. Dikush që ka copywriter, ia shet dikujt ilegalisht. Nuk po zgjidhet se si fëmijët e Shqipërisë nuk po marrin tekstin e duhur, por të mos marrin atë klandestinë. Frika ime më e madhe është se kush i miraton tekstet. Ne këtu në Parlament miratojmë lloj-lloj bordesh, dhe për arsye të fuqisë së arsimit, duhet t’i jepet e drejta të miratohet Këshilli Kombëtar i Teksteve, akademik e njerëz që miratojnë tekstin”, theksoi Blushi duke komentuar skemën e ministrisë për altertekstin.
Reagimi i Nikollës
Por qëndrimi i Blushit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Sipas saj, kushdo që mendon se pasioni për shkollën kthehet në ligj, është jashtë realitetit. “Absolutisht, shkolla dhe vetëm shkolla lufton fenomenet negative, arsimi dhe vetëm arsimi është politika më e mirë për zhvillimin e vendit. Kush mendon se pasioni në shkollë kthehet në ligj jeton jashtë realitetit”,-tha ajo. Nikolla ka akuzuar ndërkohë paraardhësin për abuzime në drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Kjo shkaktoi reagimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është drejtuar se nuk guxon t’i afrohesh ish-ministrit Myqerem Tafaj. Por reagimet e Nikollës gjatë kohës kur fliste ish-kryeministrin detyruan Ramën t’i përgjigjet ministres me shprehjen se “ata burra që ti sheh aty, janë me diplomë më shumë se ty. Mbaje gojën se nuk jam Edi Rama që flet kështu”.
Idrizi drejton Kuvendin – Seanca e Kuvendit është drejtuar në pjesën më të madhe nga i sapozgjedhuri si nënkryetar, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Si seancë të parë i është dashur të ndërhyjë në menaxhimin e debatit të nisur nga i përhershmi, ish-kryeministri Sali Berisha. Një javë më parë Idrizi u zgjodh si numri dy i këtij institucioni. Ky vendim u pasua me dorëheqjen e nënkryetarit të Kuvendit, të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, por dhe me një reagim nga Ministria e Jashtme greke, e cila e kontestoi zgjedhjen e Idrizit. Për shtetin fqinj, kjo është një zgjidhje e papranueshme, pasi kreu i PDIU-së që mbron të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë është irredentist. Por në lidhje me këtë kontestim, Kryeministri Edi Rama e cilësoi zgjedhjen e kreut të PDIU-së si një e drejtë e një Parlamenti të një shteti sovran.
