refugjateNjë video e realizuar në një kamp hungarez tregon se si emigrantët e uritur detyrohen të qëndrojnë të ngjeshur me njëri-tjetrin si kafshët në një vathë.


Videoja e marrë fshehurazi nga një vullnetare austriake në kampin hungarez të Roszke, tregon një grumbull prej rreth 150 emigrantësh që shtyhen me njëri-tjetrin në një ambient që duket më tepër si një stallë kafshësh, teksa policë të veshur me maska higjienike u hedhin mbi koka sanduiçë për të mbajtur frymën gjallë.


refughatw1


 


Në turmën fatkeqe, ku ka edhe shumë gra e fëmijë, shihen njerëz që bërtasin me zë të lartë në mënyrë që ndonjëri nga policët t’i shohë e t’u hedhë një racion ushqim.


Kushtet në të cilat po mbahen emigrantët në kampet hungareze janë denoncuar edhe  nga Human Rights Watch, e cila ka thënë se emigrantët janë duke u mbajtur si “kafshë në stallë”.


Këto zhvillime vijnë në ditën kur ministrat e Europës qendrore kanë refuzuar sërish sistemin me kuota për shpërndarjen e emigrantëve.


refugjate2


Komisioni Europian, me mbështetjen e Gjermanisë, ka propozuar shpërndarjen e 160.000 azilkërkuesve në vit në gjithë BE-në, bazuar në kuota të detyrueshme.


Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia janë kundërshtueset më të mëdha të këtij plani.


11 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)