Ish-presidenti 


“Kjo është një shkelje e rëndë e demokracisë, pronat po shiten”


BLEDAR HOTI


Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, deklaron se bllokimi i kontrollit parlamentar nga Ministria e Mbrojtjes mund të kthehet në një rrezik serioz për shoqërinë. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Moisiu që për shkak të postit të kreut të shtetit ka mbajtur edhe detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë për 5 vite me radhë, thotë se pengimi i mbikëqyrjes nga një ministër, nuk ndodh në shtete normale. “Kjo është shumë alarmuese. Pse? Sepse nuk merret vesh se çfarë po bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka shumë të dhëna, por asgjë konkrete. Por kjo është një shkelje e rëndë e demokracisë. Ushtria nuk mund të jetë jashtë kontrollit parlamentar”, shprehet Moisiu. Duke komentuar frymën e përgjigjeve refuzuese të ministrit Imami për të bllokuar kontrollin, ish-presidenti paralelizon se duke interpretuar subjektivisht ligjin, edhe në Gjermani erdhën në pushtet nazistët. “Edhe Kushtetuta e Republikës së Vajmarit në Gjermani para vitit 1933 ishte nga më të përparuarat për kohën e vet, por ajo solli në fuqi në rrugë paqësore, Hitlerin, ia hapi shtigjet”, thotë ai më tej. Ish-kreu i shtetit shprehet me shqetësim edhe për nxjerrjen në shitje të gjithë pronave të ushtrisë, sipas tij pa asnjë transparencë. Moisiu thekson se “edhe këto pasuri kombëtare të ushtrisë sigurisht mund të kenë qenë shumë, por duhet realizuar një transparencë e plotë. Kam frikë se këtu nuk ka mendim ushtarak, por ka mendim biznesi”. Ish-presidenti pak ditë më parë ka qenë tepër i ashpër dhe në lidhje për mënyrën e shkarkimit të kreut të SHISH-it, si dhe për faktin se i sapoemëruari në këtë institucion, Lika mund të ketë dhe një nënshtetësi të dytë atë kanadeze. Moisiu theksoi se nëse kjo është e vërtetë, atëherë kjo është në dëm të interesave kombëtare. Opozita ka kërkuar prej kohësh ngritjen e kontrolli parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes. Komisioni parlamentar i Sigurisë ka miratuar që në muajin maj planin e kontrollit për tetë çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2011. Deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni janë bllokuar dy herë në Ministrinë e Mbrojtjes për të ushtruar detyrën e tyre ligjore dhe kushtetuese. Vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka dalë publikisht kundër një kontrolli të tillë, duke e cilësuar si antikushtetuese. Ai ka hedhur idenë për ngritjen e një kontrolli tjetër, që është ai i komisionit hetimor parlamentar. Opozita ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes për veprime të paligjshme. Një ndër akuzat më të forta të PS-së është kryerja e përgjimeve në mënyrë të jashtëligjshme nga ana e Shërbimit Informativ të Ushtrisë ndaj deputetëve të opozitës, por aludimet shkojnë përtej, pasi sipas tyre, pre e tyre kanë rënë edhe ndërkombëtarët. Ndër pikat e tjera të kontrollit përfshihet dhe çështja e tregtisë së armëve nga ana e kompanisë shtetërore MEICO. Mbikëqyrja parlamentare që po bllokohet dhe nga ana e mazhorancës dhe ministrit Imami parashikon të zgjasë deri në muajin tetor.


 


Kuvendi


Përgjimet – Opozita ka ngritur pretendimet se SHIU ka përgjuar deputetët e PS-së, si dhe ambasadorë të shteteve të rëndësishme në vend


Bllokimi – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka bllokuar deputetët e opozitës për të ushtruar kontrollin e tyre parlamentare


Rreziku – Për ish-presidentin Moisiu, bllokimi i ndërmarrë nga ana e ministrit Imami përbën një rrezik për demokracinë shqiptare


8 çështje – Komisioni i Sigurisë ka miratuar me konsensus tetë çështje kontrolli ndaj Ministrisë së Mbrojtjes


2 herë – Ministria e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit Imami ka bllokuar dy herë opozitën në ushtrimin e kontrollit