Ish-presidenti Alfred Moisiu mbështet votimin e rezolutës çame, duke u bërë i pari në listën e atyre shqiptarëve që do të firmosin peticionin, që i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të miratojë sa më shpejt projekt-rezolutën e dorëzuar në Parlament nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.
Ish kreu i shtetit pasi firmosi peticionin, bëri thirrje për miratimin e kësaj nisme të rëndësishme në kuvend, duke e parë miratimin e kësaj rezolute si çështje të të drejtave të njeriut që nuk duhet trajtuar nga këndvështrimi nacionalist, i cili sipas tij është duke u përdorur nga politika shqiptare si kartë elektorale.
“Duhet luftuar me këmbëngulje, sepse kjo është e drejta jonë, e drejta e njerëzve që kanë banuar dhe kanë origjinën nga Çamëria dhe nëse flasim për të drejtat e njeriut, ky është një aspekt i rëndësishëm dhe një tregues shumë i madh”, – u shpreh Alfred Moisiu.
Peticioni në fjalë është ndërmarrë nga shoqata ‘Çamëria’ dhe synon të ndërgjegjësojë intelektualet dhe shqiptarët e thjeshtë për të kthyer sytë nga çështja çame e lënë pezull nga të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet.
16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)