“Kryeministri ia arriti atë për të cilën këmbënguli që në 2005-n”
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e shikon shqetësues mënyrën e shkarkimit të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Në një intervistë telefonike dhënë “Top Channel”, Moisiu ka theksuar se Kryeministri Sali Berisha e realizoi përpjekjen e tij. Ajo ide fikse e Kryeministrit duket se ka qenë që nga 2005-a, e që u realizua sot pas 7 vitesh. Moisiu thotë se veprime të tilla bien ndesh me interesat e vendit dhe aleateve tanë dhe se sipas ish-kreut të shtetit, nuk janë ogurmira. “Me thënë të drejtën, për mua ishte një lëvizje e befasishme ajo e lirimit nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Problemi është që u arrit një vendim ose një zgjidhje e destinuar që nga viti 2005 nga kryetari i mazhorancës. Nuk e di cila është arsyeja, por është shqetësues fakti, sepse të ngulësh këmbë për diçka në të gjitha rrugët e mundshme të drejta dhe të padrejta, të krijon një shqetësim, të ngrihen pyetje. Veprime të tilla, me kaq këmbëngulje dhe që bien ndesh me interesat e aleatëve tanë, unë mendoj se nuk janë shumë ogurmira, dhe kjo ngjall një shqetësim të ligjshëm jo vetëm te shqiptarët, por edhe tek aleatët tanë. SHISH është një pasuri e madhe që duhet të ruhet me kujdes, të trajtohet me kujdes, sepse mbron interesat kombëtare në radhë të parë”, tha Moisiu. Ish-presidenti ka vlerësuar rolin e SHISH-it gjatë këtyre viteve, duke theksuar se nga 2005-a e këtej u krijua një punë e mirë dhe u ec me hapa të sigurt drejt detyrës ligjore që parashikohet. “E keqja është se gjatë viteve 1992-1997, pavarësisht se hoqëm dorë dhe e shpërbëmë ish-sigurimin famëkeq, shërbimi informativ u mor me problemet politike të vendit”, theksoi Moisiu. Ai kujton dhe rastin e emërimit të shefit të SHISH-it gjatë kohës që ishte në krye të piramidës shtetërore. “Kur Kryeministri Fatos Nano më propozoi largimin e Fatos Klosit nga detyra, ne ramë dakord, por problemi se kë do vendosnim tani. Mbaj mend se më sollën 7-8 kandidatura dhe pas shqyrtimit dolëm në një kandidaturë. Ne pranuam Kujtim Hysenajn në atë kohë e kam takuar dy herë atë. I kam thënë se “zoti Kujtim nëse merrni ndonjë detyrë nga Kryeministri që bie ndesh me ligjin e Kushtetutën, a jeni në gjendje të mos e zbatoni? Po, më tha unë e bëj këtë. Dhe më thënë të drejtën ai e zbatoi këtë”, theksoi ish-presidenti. Shkarkimi i Shaqirit u kontestua dy ditë më parë edhe nga ish-presidenti Bamir Topi. Në një intervistë për VOA-n, Topi u shpreh se diçka e tillë ishte e pritshme dhe se më këtë ndërhyrje vihet në pikëpyetje funksionimi i SHISH-it. “Unë besoj që në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës, ecuria e reformave dhe punët e institucioneve nuk varen dhe nuk duhet të varen nga vullneti subjektiv i një individi, qoftë ky dhe kryetari i mazhorancës. Edhe emri, Shërbimi Informativ Shtetëror, është i qartë që ka të bëjë me një shërbim që i shërben shtetit dhe interesave kombëtare. Kjo është arsyeja që, në një marrëdhënie kushtetuese, propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Unë mendoj që nuk janë vullnetet politike, partiake, por janë pikërisht standardet e shtetit ligjor që duhet të vendosen në themel të institucioneve kushtetuese. Ka një tendencë të qartë e cila po implementohet çdo ditë. Ka shenja, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, të cilën Shqipëria e ka flakur tej qysh në vitin 1992. Ka tendenca për të kapur të gjitha pushtetet dhe brenda dy-tre javësh ka pasur ndryshime të rëndësishme në institucione të rëndësishme kushtetuese dhe të gjitha janë kandidatura politike që vijnë nga mazhoranca”, deklaroi Topi.
Veprime të tilla, me kaq këmbëngulje dhe që bien ndesh me interesat e aleatëve tanë, unë mendoj se nuk janë shumë ogurmira
Shqetësimi i ambasadorit Withers për nismën e qeverisë ndaj SHISH
Pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, më 27 janar të vitit 2010, ambasadori amerikan, John Withers do të niste me 29 janar, pra dy ditë më vonë, drejt Uashingtonit një dokument konfidencial ku do të nënvizonte mes të tjerash presionin në rritje të qeverisë shqiptare ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kabllograma e publikuar nga “Wikileaks” i referohet projektligjit për shërbimet sekrete “si një kthim prapa në epokën e Enver Hoxhës”. “Topi u bëri jehonë shqetësimeve të ambasadorit për ligjin e Shërbimit Sekret duke shtuar se një shërbim sekret i parashikuar në projektligj i kujton atij sigurimin e frikshëm të epokës komuniste”, thuhet në letër. “Megjithatë, Topi pranoi”, shkruhet në dokument se zyra e tij nuk e ka marrë ende një kopje të draftit dhe ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht të gjithë ligjin. “Topi, shkruan Withers, tha se ai ka bërë ç’është e mundur prej zgjedhjes së tij në detyrën e kreut të shtetit që të mbrojë pavarësinë dhe profesionalizmin e shërbimit sekret dhe tha se do të këmbëngulë për të pasur zërin e tij në projektligj”. Në komentin personal pas takimit, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë shkruan se siç ka ndodhur edhe në të shkuarën Topi ka pak pushtet për të ndryshuar dinamikën politike apo të mbrojë institucionet kundër shkeljeve të Kryeministrit.
Drejtorët
U emërua në ’92 si shef i SHIK. Postin e mbajti deri në 1997. SHIK u cilësua si institucioni më famëkeq i qeverisjes së PD-së
Fatos Klosi
Me ardhjen e PS-së në pushtet u vendos si drejtori i SHIK-ut. PS largoi Arben Karkinin dhe e emëroi Klosin, post që mbajti deri në 2002
Në vitin 2002 u emërua në krye të SHISH, Kujtim Hysenaj. Në vitin 2005, Hysenaj ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë
Bahri Shaqiri
PS propozon emrin e Shaqirit si zëvendësues të Hysenajt. Ai pati drejtim më të vështirë dhe përplasje me Kryeministrin Berisha
Visho Likaj
Presidenti Nishani me propozimin e Kryeministrit Berisha emëron Visho Likajn në krye të SHISH. Ai ka punuar si drejtues në SHIK


