Hapat 


Rama – Kryetari i PS-së i ka paraqitur qëndrimin se duhet rikthyer situata e besimit me një KQZ të rikonfiguruar


Meta – Kreu i LSI-së ka bërë të ditur se nëse situata do të tensionohet, atëherë përgjegjësinë e plotë e ka Kryeministri Sali Berisha


Berisha – Kryeministri pritet që të japë sot qëndrimin e tij, gjatë takimit me zyrtarin amerikan. Dje, Kryeministri ndodhej në Londër


Topalli – Kryeparlamentarja u ka bërë të ditur reporterëve të KiE-së se mazhoranca nuk do të tërhiqet. Do të administrojë zgjedhjet


Zyrtari i lartë i DASH do të takohet me Berishën sot në mëngjes


Misioni – Drejtori i DASH për Euroazinë, Jonathan Moore, mbërriti në Shqipëri pas kundërshtimit të PD për të mos shkarkuar anëtarin e LSI


Rama & MooreZyrtari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, sapo ka nisur dje negocimin me palët për krizën e hapur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që gjithçka rreth bisedimeve po mbahet e fshehtë. Drejtori i DASH për Euroazinë, dje ka takuar kreun e PS-së, Edi Rama, dhe atë të LSI-së, Ilir Meta, ndërsa sot në mëngjes është parashikuar takimi me Kryeministrin Berisha. Siç mësohet nga burime diplomatike, Moore do të ofrohet për të ndihmuar palët që të komunikojnë në zgjidhjen e ngërçit, duke sjellë edhe qëndrimin e qeverisë së SHBA-së për një KQZ të paanshëm që të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në ditën e djeshme, krerët e opozitës, kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre se është mazhoranca ajo që duhet të reflektojë që të rikthejë gjendjen në KQZ para shkarkimit të Muhos ose një skemë të re ndërtimi që siguron paanshmëri. Por ndërkohë, pritet nëse do të jetë i gatshëm Berisha për të negociuar. Në një takim të mbajtur në selinë e PD-së, një javë më parë, Kryeministri deklaroi se jam i gatshëm për të biseduar një marrëveshje të re me Ramën, por pas shkarkimit të anëtarit të KQZ-së dhe dorëheqjes së dy të tjerëve, situata ka agravuar dhe ka gjasa që Berisha të mos tërhiqet. Këtë e ka bërë të ditur edhe Kryeparlamentarja Topalli, gjatë një takimi që ka mbajtur dje me reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Ne nuk do të lejojmë askënd të shkruajë rezultatin në tavolinë. Humbësi duhet të njohë rezultatin. Ligji dhe Kodi Zgjedhor është i qartë. Ky kod është votuar me konsensus të gjerë dhe do të zbatohet në frymë e në germë”, deklaroi Topalli.


PS


Opozita pritet të japë qëndrimin e saj në Parlament në seancën e sotme, ku përpara zhvillimit të saj është planifikuar edhe një mbledhje e grupit parlamentar të PS-së. Drejtori i DASH për Euroazinë, Jonathan Moore, ka zhvilluar një takim me Ramën, i cili ka zgjatur rreth një orë. Pas takimit, zyrtari i lartë amerikan nuk ka dëshiruar të flasë për mediat, pasi siç duket misioni i tij është më shumë negociues. Ndërkaq, kryetari i PS-së, Edi Rama, pas largimit të Moore deklaroi se “Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale, duke u përqendruar te çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri”. Duke komentuar situatën më të re në KQZ, Rama tha se “Këtu nuk flasim për zëvendësime personash, por për rikthim në ligjshmëri të KQZ-së”.


Meta


Pas kreut të PS-së, zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka zhvilluar bisedime edhe me kryetarin e LSI-së. Meta, ka qenë në rezonancë me Ramën, duke i kërkuar Berishës të reflektojë.


“Kemi një shantazh të qartë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe opozitës për të vënë dorë mbi zgjedhjet duke vënë dorë mbi qeverinë e pavarur të zgjedhjeve. Kemi edhe shumë simptoma të tjera shqetësuese dhe kritike. Pseudo-mazhoranca duhet të reflektojë urgjentisht përndryshe absolutisht që do të mbajë të gjitha pasojat dhe të gjitha përgjegjësitë për çdo problem dhe përshkallëzim të tensionit në vend. Vendi ka nevojë për procese konstruktive transparente dhe kushtetuese të ligjshme, nuk ka nevojë për dhunë si ajo që u ushtrua me kartonë në Parlament. Është momenti për të reflektuar para se të jetë vonë”, tha Meta.


Bumçi


Drejtori i DASH për Euroazinë, Jonathan Moore, u prit edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi. Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se: “Bumçi e siguroi zotin Moore se qeveria shqiptare është e angazhuar të zhvillojë një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.