Gjykata e Durrësit vendos urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj ndaj 14-vjeçares
Pavarësisht lutjes së prindërve të saj, Klevisa 14-vjeçare ka refuzuar të kthehet në shtëpi
Motra e vogël e familjes Kajtazi ka refuzuar sërish familjen për t’u bashkuar me ta gjatë seancës për pajtim. Klevisa Kajtazi, pavarësisht lutjeve të prindërve dhe ndërhyrjes së psikologëve, nuk ka pranuar të kthehet në shtëpi, kështu që është dërguar në një qendër sociale. Seanca e pajtimit u mbajt në Gjykatën e Durrësit, pikërisht aty ku më herët ishte vendosur urdhër mbrojtjeje për tri javë për 14-vjeçaren, e cila nuk kishte pranuar të kthehej në shtëpinë e prindërve.
E ndërsa u dërgua në një qendër rezidenciale, dje ishte dhe afati i seancës së pajtimit, por prindërit kanë mbetur të zhgënjyer kur vajza përsëri nuk ka pranuar të kthehej në shtëpi. Nisur nga këto arsye, gjykata rivendosi një tjetër urdhër mbrojtjeje prej gjashtë muajsh për të miturën. 14-vjeçarja do të strehohet në një qendër sociale në Tiranë.
Dy motrat Kajtazi, Orialda dhe Klevisa, u arratisën më 15 korrik të këtij viti, pasi helmuan prindërit, dogjën shtëpinë dhe vodhën kursimet e familjes. Ato u kapën nga policia vetëm një muaj më pas. Motra e madhe, Orialda, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërkohë që e vogla u lirua tri ditë pas arrestimit të tyre në Vlorë. Ndonëse pa prova të mjaftueshme për të besuar se familja mund të kryejë veprime të dhunshme ndaj 14-vjeçares Klevisa Kajtazi, Gjykata e Durrësit e ka parë të domosdoshëm lëshimin e urdhrit për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e saj. Ajo është bazuar në vlerësimet e bëra nga psikologja dhe nga mbrojtja e së miturës e caktuar kryesisht nga gjykata. Këmbëngulja e vajzës për të mos u kthyer pranë familjes ka triumfuar, ndërsa ka tronditur fort Hiqmet dhe Anila Kajtazin. Gjithsesi Klevisa është ende me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dy herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore.
Pas ndarjes me motrën më të madhe, e mitura pësoi një gjendje të rënduar psikologjike dhe u shpreh e frikësuar për kthimin në shtëpi. Sipas burimeve nga gjykata, vajza është shprehur e pasigurt dhe e trembur nga një hakmarrje e mundshme e prindërve dhe motrës së madhe ndaj saj. Në këto kushte është vendosur të lëshohet edhe një urdhër mbrojtjeje, që i mban larg familjarët nga e mitura, e cila do të qëndrojë në qendrën e rehabilitimit për të dhunuarat në Kamzë të Tiranës. Nga ana tjetër, motra e madhe, Orialda, vazhdon të mbetet në burg.
Dy vajzat akuzohen për “Vjedhje” në bashkëpunim dhe “Shkatërrim me zjarr të pronës”, vepra penale për të cilat rrezikojnë të dënohen nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, ndërsa mosha dhe falja e familjes që është e dëmtuara e vetme në këtë histori fatkeqe familjare pritet të lehtësojnë përgjegjësinë penale në vazhdim të dy motrave.
Motrat u larguan nga banesa e tyre në mes të muajit korrik, pasi helmuan pjesën tjetër të familjes, vodhën kursimet e familjes, rreth 250 mijë lekë, e i vunë zjarrin shtëpisë. Gjetja e tyre më 14 gusht u bë e mundur nga telefonat e përdorur, ndërsa pak ditë para kapjes vajzat hodhën në rrjetin “YouTube” disa video, ku tregonin mbi arratinë dhe shprehnin mllefin ndaj familjes së tyre, duke kërkuar ndjekjen penale të prindërve dhe motrës.