Zbardhet axhenda e takimeve, por jo e bisedimeve dypalëshe
Sërish diçka ka mbetur ende e pazbardhur. Shefi i diplomacisë serbe ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar pasditen e djeshme rreth orës 14:20
Ylli Pata
Ivan Mrkiç ka mbërritur në Tiranë, ndërkohë që Ministria e Jashtme shqiptare ka zbardhur axhendën e takimeve zyrtare. Por sërish diçka ka mbetur ende e pazbardhur. Shefi i diplomacisë serbe ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar në pasditen e djeshme rreth orës 14:20. Por, gjatë gjithë ditës së djeshme nuk ishte planifikuar asnjë takim me autoritetet shqiptare, ndërkohë që Mrkiç ka qëndruar gjatë me personelin diplomatik të ambasadës serbe në Tiranë. Takimet janë zhvilluar në një hotel të rëndësishëm të kryeqytetit shqiptar, ndërkohë që ambasada serbe ka refuzuar të japë informacion në lidhje me takimet e Mrkiç me grupet që cilësohen si “minoritet serb” në Shqipëri. Një punonjës i selisë diplomatike serbe, i cili u pyet nga “Shqip” përmes kangjellave të ndërtesës, nuk preferoi të japë asnjë informacion, madje shtoi se “këtu nuk mund të merrni asnjë informacion”. Siç ndodh rëndom me çështje diplomatike në lidhje me Serbinë, orët e djeshme kanë mbetur një mister, edhe pse mësohet se protokolli i shtetit nuk ka pasur asnjë obligim në shoqërimin e delegacionit nga Beogradi. Ministri i Jashtëm serb, ka qëndruar në hotel, ku ka zhvilluar një drekë me personelin e ambasadës dhe në ato ambiente ka konsumuar edhe takimet e tjera.
Axhenda
Ministria e Jashtme ka zbardhur dje axhendën zyrtare të bisedimeve dypalëshe në kuadrin e vizitës zyrtare në Tiranë, e cila nis në orën 10:00 e përfundon pasdite në orën 15.00. Gjithçka nis sot me një takim katër sysh ndërmjet shefit të diplomacisë shqiptare Edmond Panariti dhe homologut të tij serb, Ivan Mrkiç, takim që është planifikuar të zgjasë 20 minuta. Në orën 10:20 zhvillohet takimi i dy delegacioneve, i cili do të shoqërohet me një deklaratë para mediave shqiptare dhe atyre serbe që shoqërojnë ministrin Mrkiç. Më pas, në 11:45, ministri i Jashtëm serb do të zhvillojë një “takim kortezie” (kështu është cilësuar) me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, në selinë e qeverisë shqiptare. Pas takimit me Berishën, Panariti do të shtrojë një drekë pune për nder të homologut të tij serb dhe në orën 15:00 është planifikuar largimi nga Shqipëria. Në lidhje me temën e bisedimeve, mësohet se do të diskutohet me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në veçanti pritet që ministri serb të bëjë të ditur lajmin e njohjes së diplomave të universiteteve shqiptare, që ndikon te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndërkohë që çështjet e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë pritet të ngrihen nga Panariti, i cili pak ditë më parë ka zhvilluar kontakte me drejtuesit politikë të shqiptarëve të Luginës.
Axhenda
10:00-10:20
Takim kokë më kokë, Edmond Panariti
me Ivan Mrkiç. Vendi: MPJ
Ora 10:20-11:10
Takim me Ministrin e Punëve
të Jashtme, Edmond Panariti
Ora 11:20-11:30
Deklaratë për shtyp para mediave
Ora 11:35
Nisja e delegacionit për në Kryeministri
Ora 11:45-12.15
Takim kortezie me Kryeministrin e Republikës
Z. Sali Berisha. Vendi: Kryeministri
Ora 12:20 -14.00
Drekë pune nga ministri
i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti
Ora 14:05
Nisja e delegacionit
drejt aeroportit “Nënë Tereza”
Ora 15:00
Largimi i Delegacionit
Kontestimi
Aleanca Kuqezi, dy protesta për vizitën e Mrkiç
Ka hasur në protesta, vizita e shefit të diplomacisë serbe, Ivan Mrkiç, në Tiranë. Që prej prekjes së tokës shqiptare në Aeroportin e Rinasit, kryediplomati serb është pritur nga një grup mbështetësish të Aleancës Kuqezi, të cilët kanë kontestuar vizitën, ndërkohë që pritet të zhvillohet një protestë e tillë edhe sot para Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë kohës që palët do të zhvillojnë bisedimet. Qindra aktivistë të AK u mblodhën në dalje të seksionit VIP të aeroportit “Nënë Tereza” me banderola dhe bilbila “për të pritur ashtu siç e meriton ministrin e Jashtëm të Serbisë, i cili përfaqëson shtetin e Serbisë, që ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.
Aleanca Kuqezi shpalosi një banderolë, ku shkruhej: “Kosova është Shqipëri”. Ndërkaq, sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare i AK-së, Lisen Bashkurti, deklaroi dje se “kemi më shumë se 12 vjet nga qeverisja socialiste dhe ajo demokratike që aplikohet teza se Republika e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale pa u kushtëzuar nga qëndrimi serb ndaj Kosovës. Informojmë opinionin publik se shtete shumë demokratike si Gjermania, Britania, Italia, Austria, madje edhe institucione të BE-së, e kanë kushtëzuar në mënyrë strikte dhe të përsëritur integrimin e mëtejshëm të Serbisë vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë nuk e bën vetëm politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare.”
Nga Libofsha
Ministri serb takohet me “minoritetin” e Fierit
Menjëherë pas mbërritjes së tij, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiç, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e komuniteteve serbe në Shqipëri. Kështu, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 18:00, ai ka zhvilluar një takim, ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës Serbe të Shqipërisë, e emërtuar “Jedinstvo” (Uniteti). Kryetari i kësaj shoqate, Qerem Duleviç, ka pohuar për gazetën “Shqip” se ka qenë ambasadori serb i akredituar në Tiranë, i cili i ka bërë ftesën për takimin e djeshëm. Ai ka shtuar se nuk ka dijeni rreth tematikave që do të trajtohen në këtë takim. Duleviç jeton mes një komuniteti serb prej 112 familjesh dhe 432 personash, në Komunën Libofshë të Rrethit të Fierit. E. Hoxha