Arsyet e vizitës së ministrit serb para turit ballkanik të Clinton dhe Ashton


Ylli Pata


Ivan Mrkic & Edmond Panariti


Ivan Mrkiç, ministri i Jashtëm serb, e ka arritur objektivin që i ka dhënë vetes në vizitën e tij zyrtare dyditore në Tiranë. Të paktën formalisht. Siç kishte deklaruar para se të vinte në kryeqytetin shqiptar, ai u ka dhënë “një shtysë marrëdhënieve dypalëshe”. I pritur me protesta nga ana e Aleancës Kuqezi, Mrkiç deklaroi se kemi biseduar për çështjet që mund të na bashkojnë dhe jo ndajnë”. Këtë mesazh e ka marrë nga krerët e Tiranës zyrtare, të cilët e kanë shprehur vullnetin për këtë kthesë politike. Por çfarë fitoi Shqipëria në vizitën e rëndësishme të ministrit të Jashtëm serb? A ndikoi Tirana që Beogradi të ndryshojë axhendë në lidhje me Kosovën. Konkretisht të sigurohet largimi i strukturave paralele në veri të Mitrovicës dhe të tërhiqet nga qëndrimet ekstremiste për ndarjen e Kosovës? Natyrisht që këtë nuk mund ta bëjë diplomacia e Tiranës, por çfarë morëm ne nga një riaktivizim i marrëdhënieve Shqipëri-Serbi? Nga vizita e djeshme e ministrit të Jashtëm serb, faktikisht nuk u përsëritën retorikat e ashpra që Vuk Jeremiç i lançoi dy vjet më parë në Beograd në prani të homologut të tij shqiptar, Ilir Meta. Ndryshe nga më parë, një zyrtar i lartë i Beogradit vjen në Tiranë vetëm pas takimit direkt me Kryeministrin e Republikës së Kosovës.


Por më shumë se kaq, turi shqiptar i diplomatit veteran të Beogradit, ka një lidhje me të gjithë zinxhirin diplomatik që nisi në Bruksel javën e shkuar me takimin e “tensionuar” mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, natyrisht me ndërmjetësinë e rreptë të baroneshës Catherine Ashton, shefe e diplomacisë së Bashkimit Europian. Në këtë kuadër shënohet një kufi i ri i marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilat kanë ardhur në një limit të dukshëm kulmor, që jo rastësisht përkon me fundin e mandatit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila do ta vizitojë Prishtinën në fund të këtij muaji, por edhe Beogradin. Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kohën kur Kosova u çlirua nga pushtimi njëshekullor serb, viziton dy kryeqytetet e shteteve sovrane, por fqinjë, në një termin politik, që nuk e ka nisjen katër vjet më parë, kur Presidenti Obama emëroi Clinton si shefe të diplomacisë amerikane. Megjithatë, edhe Tirana zyrtare ka kryer rolin e saj të mbështetjes së një procesi që ka nisur në fund të viteve ‘90, i cili ka qenë ngushtë i lidhur me politikën e Uashingtonit, por edhe Brukselit.


Historia


Vizita e fundit e një ministri të Jashtëm serb në Tiranë, ka ndodhur në marsin e vitit 2002, por jo në nivel dypalësh, por në kuadër të një takimi shumëpalësh të Samitit të Europës Juglindore. Në atë kohë, Tiranën e vizitoi Goran Svilanoviç, një liberal anti-millosheviçian i lindur në Gjilan të Kosovës, i cili padyshim u takua me shefen e diplomacisë shqiptare të asaj kohe, Arta Daden, e cila kishte presidencën e organizatës. Një vit më pas, zonja Dade vizitoi Beogradin për ta dorëzuar kryesimin e SEECP. Atëherë ishte koha kur pritej të sanksionohej pavarësia e Kosovës, tashmë e çliruar dhe e administruar nga ndërkombëtarët. Procesi u shty, dhe siç dihet ngjarjen rrodhën deri në 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur.


Tirana


Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar dje se qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve dhe se një zhvillim i tillë është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Europian”. Në fakt, marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Tiranës dhe Beogradit kalojnë detyrimisht në Prishtinë dhe kanë ndalesë padyshim te Lugina e Preshevës, ku jetojnë shqiptarët që për një shekull kanë qenë në periferi të zhvillimeve politike dhe kanë vuajtur gjatë nga ky pozicion i largët. Në këtë aspekt, ardhja e ministrit të Jashtëm serb në Tiranë, pas takimit Thaçi-Daçiç, e vendos diplomacinë shqiptare në rolin e saj natyral për ta përforcuar dhe ndihmuar Republikën e Kosovës dhe natyrisht për të ndërtuar një partneritet të ri në këtë realitet të pakthyeshëm rajonal, ku Serbia nuk duhet të bëjë sikur nuk e shikon. Pra marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve kalojnë në një sfond diplomatik që kalon dy kryeqytete: Tiranën dhe Prishtinën. Serbia është vënë para një oferte “me detyrim përcaktim”. Që duket se do t’i përsëritet këto ditë gjatë vizitave në Beograd të Sekretares Clinton, baroneshës Ashton dhe shefit të diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, William Hague. Pra integrim në Europë nëse pranon Kosovën. Kryeministri serb, Daçiç, ka premtuar se do ta ndryshojë strategjinë në lidhje me Kosovën.


 


Clinton-Ashton – Shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, do të shoqërojë Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Prishtinë dhe Beograd, javën e ardhshme


Daçic – Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, ka deklaruar për Agjencinë B92, se në takimin me Kryeministrin Sali Berisha, i ka përcjellë atij ftesën e Kryeministrit Ivica Daçiç për të vizituar Beogradin


Protesta – Aktivistë të Aleancës Kuqezi zhvilluan mëngjesin e djeshëm një protestë përpara Ministrisë së Jashtme, kundër vizitës së kryediplomatit serb, Ivan Mrkiç në Tiranë. Si pasojë e protestës, Mrkiç hyri në MPJ nga porta e pasme


PDIU – Në një deklaratë të sajën, PDIU-ja theksoi se “Serbia nuk mund të fitojë kauzat e humbura në histori me zgjerimin e hartës së minoritetit të vet atje ku nuk ekziston si në Libofshë, apo me boshnjakët e ardhur këtu gjatë apo pas Luftës së Parë Botërore”