Presidenti i PDIU


Presidenti i Nderit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini, ishte i ftuar dje në studion e “Zërit të Amerikës” në Nju Jork, ku foli për organizimin e një parade në mbështetje të çështjes çame të zhvilluar në kryeqendrën amerikane dhe po kështu për përkujtimin e ditës së gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Muhedini deklaroi dje se qëllimi kryesor i aktiviteteve të komunitetit çam është ta detyrojë shtetin grek të korrigjojë gabimin historik me çamët, duke u kërkuar edhe atyre falje publike. Nga ana tjetër, Presidenti i Nderit i PDIU-së deklaroi se çështja çame duhet shtruar për zgjidhje mes shtetit grek dhe atij shqiptar me bisedime dhe komuniteti çam nuk kërkon ndryshim kufijsh, por riatdhesimin dhe kthimin në vatrat e tyre. Më herët në Nju Jork, Tahir Muhedini u nderua nga organizata “Rrënjët shqiptare” me certifikatë mirënjohjeje për veprimtari të dalluar në zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe në veçanti asaj çame. Certifikatën e mirënjohjes z. Muhedini ia dorëzoi presidenti i “Albanin Roots”, Marko Kepi, dhe financieri i kësaj organizate, Ervin Toro, në paradën shqiptare në Manhatan Nju Jork. Për herë të parë pas 35 viteve në kryeqendrën amerikane u zhvillua një paradë, e cila iu dedikua ditës së gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë në datën 27 qershor 1944. Çështja e Çamërisë, krahinës së mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913, është lënë në harresë gjatë dekadave të diktaturës, por është rikthyer në vëmendje gjatë viteve të fundit në sajë të përpjekjeve të komunitetit çam përmes shoqatave të tyre dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.