Fishekët – Fishekë 7.62x54mm Mod.56 nëse prodhohen tani, kushtojnë 350 euro për 1 mijë copë. Prodhimet e vjetra shiten në tregun ndërkombëtar për 100-150 euro për 1 mijë copë. Qeveria shqiptare i shet për 20-30 euro për 1 mijë copë te sekserët, të cilët i shesin më pas në treg


Predhat – Predha mortajash me 60, 80, 120 etj. Në tregun ndërkombëtar kushtojnë qindra euro copa. Nuk ka të dhëna për çmimin e eksportit nga Shqipëria, por vendi ynë ka eksportuar me dhjetëra mijëra copë, të cilat teorikisht duhet të kishin sjellë dhjetëra milionë euro


Pushkët – Pushka model 53. E prodhuar fillimisht në vitin 1943, konsiderohet një alternativë më e lirë me kallashnikovin. Shqipëria ka shitur 30 mijë copë në vitin 2009. Përdoruesi final rezulton se është SHBA, ku këto armë shiten për përdorim privat. Transiti është Mali i Zi


Çmime dhjetë herë më të ulëta se tregu ndërkombëtar. Blerësit janë dukshëm jo përdorues finalë


Gjergj Erebara


Shqipëria ka përfituar gjithsej pak miliona euro nga eksportimi i sasive të stërmëdha të municioneve dhe armëve gjatë viteve 2010 dhe 2011, për shkak të çmimeve tejet të ulëta të shitjeve në krahasim me tregun ndërkombëtar, bëhet e ditur nga ekspertë të fushës.


Që nga qershori i vitit 2009, kur tregtia e armëve rifilloi të lulëzojë pas një bllokimi të shkurtër të shkaktuar nga skandali i Gërdecit, Shqipëria rezulton se ka shitur afro 5 milionë fishekë të mitralozave të njohur shkurtimisht si “12.7”, ka shitur afro 19 milionë fishekë 7.62 mm, si dhe 350 mijë predha artilerie të kalibrave të ndryshëm.


Në total, buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 3 milionë euro në vitin 2010 dhe rreth 1.5 milionë në vitin 2011. Duken shifra shumë të vogla për të justifikuar tregtinë e vdekjes me përfitime materiale për buxhetin e shtetit. Por gjithçka merr kuptim kur shikohen çmimet e shitjes në tregun ndërkombëtar të municioneve të ndryshme për të krijuar një ide mbi biznesin në rendin e dhjetëra milionë eurove që tregtarët e vdekjes kryejnë falë gatishmërisë së Ministrisë së Mbrojtjes për t’i shitur pa bërë shumë pyetje kujtdo që shpreh interes.


Në tregun ndërkombëtar, fishekët e kalibrave 7.62 dhe 12.7 milimetra të prodhuara të rinj kushtojnë aktualisht 300-350 euro për njëmijë copë. Për shkak se shtete të ndryshme i kanë magazinat e mbushura me prodhime të vjetra, të cilat janë të gatshme t’i shesin nën kosto, zakonisht çmimet e fishekëve të prodhuar gjatë kohës së komunizmit variojnë në 100-150 euro për njëmijë copë. Qeveria shqiptare nuk e deklaron çmimin e shitjes së fishekëve, por burime jozyrtare tregojnë se çmimet variojnë nga 20 në 30 dollarë për njëmijë copë, pra rreth 5 herë më poshtë se sa çmimi në tregun ndërkombëtar. Norma shumë e lartë e fitimeve të tregtarëve tregon se për çfarë arsyeje edhe vetë Kryeministri Sali Berisha doli në mbrojtje të kësaj tregtie disa ditë më parë.


Fishekët e prodhuar nga industria shqiptare e mbrojtjes gjatë kohës së komunizmit u janë nënshtruar standardeve sovjetike, thonë ekspertët. Kjo do të thotë se kanë afat përdorimi prej 50 vjetësh. Në rast se janë prodhuar në vitet ‘60, janë pranë skadencës, ndërsa prodhimet e viteve ‘70, ‘80 e ‘90 kanë ende afat të bollshëm përdorimi.


Shqipëria ka trashëguar 100 mijë tonë municione nga koha e komunizmit. Eksportet gjatë vitit 2010 sollën rreth 3 milionë euro dhe peshonin në total vetëm 1500 tonë. Në vitin 2011, eksportet qenë pak më shumë se 1 mijë tonë. Kjo dëshmon për vlerën e stërmadhe të këtyre municioneve, të cilat janë shitur në fshehtësi të plotë nga qeveritë e ndryshme gjatë njëzet viteve të fundit.


Fishekët kanë normë të lartë fitimi, por duket se shitja e municioneve të artilerisë është kthyer një biznes i madh gjatë tri viteve të fundit. Zyrtarisht mësohet se janë eksportuar mbi 350 mijë predha të përmasave të ndryshme. Secila prej tyre peshon 5 kg dhe ka material të kushtueshëm bakri, i cili aktualisht kushton 10 dollarë për kg. Shqipëria ka eksportuar predha të prodhuara në vitet ‘85-‘92. Këto predha nuk kanë afat skandence për shkak se ato mund të çmontohen dhe të mbushen me barut të ri, në një proces që ekspertët e quajnë “rifreskim”.


 


Mali i Zi


Mali i Zi rezulton përdoruesi i shumicës së municioneve shqiptare. Duke qenë se Mali i Zi nuk ka ushtri, është e dyshimtë nëse përdoruesi final është me të vërtetë Mali i Zi apo janë vende të tjera


 


Si funksionon tregtia e armëve


Hapi 1 – Tregtari dorëzon te Ministria e Mbrojtjes letrën e interesimit ku caktohet edhe shteti përdorues final


Hapi 2 – Ministria e Jashtme konfirmon që përdoruesi final nuk është vend nën embargo nga Organizata e Kombeve të Bashkuara


Hapi 3 – Jepet konfirmimi i disponueshmërisë së sasisë dhe llojit të armatimit të kërkuar nga tregtari


Hapi 4 – Kryhet transporti dhe dorëzimi i armatimit në vendin final, i cili teorikisht nuk ka të drejtë ta rieksportojë