Lushnjë


Policia: Vetëvrasje. Dëshmitari: Një i ri iku me vrap


Ngjarja misterioze, në objektin e kultit, ku 7 vjet më parë u dyshua për financim terrorist


Edmond Hoxhaj


xhamia e dushkutBesimtari mysliman Xhelo Beqiri ka shkuar dje pasdite për t’u falur në Xhaminë e Dushkut në Lushnjë, kur përballë i ka dalë skena makabër e një pellgu gjaku, në mes të së cilës ndodhej një besimtar tjetër, 84-vjeçari Shemsi Muça, i vrarë me thikë në fyt. I shtangur nga ajo që i kanë parë sytë, por edhe i habitur nga një i ri, që kishte dalë me nxitim nga objekti i kultit, që shtatë vjet më parë u kthye në qendër të opinionit publik, pasi u ngritën dyshime për financim të ardhur nga terrorizmi, ai ka njoftuar menjëherë kryemyftiun e Lushnjës, Tomorr Boriçi. Ky i fundit ka njoftuar policinë për ngjarjen, që i shtojnë më shumë misterin objektet e gjetura mbi trupin e viktimës, por grupi hetimor ka deklaruar paraprakisht se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.


Viktima në xhami


Policia tha se për ngjarjen është njoftuar dje pasdite, ku telefonuesi është shprehur se në xhaminë e fshatit Dushk të Rrethit të Lushnjës, 84-vjeçari Shemsi Muça është gjetur i pajetë, me thikë në fyt. Sipas informacioneve të mbledhura nga vendi i ngjarjes, Shemsi Muça mendohet se kishte hyrë në xhami për t’u falur rreth orës 15:30, ashtu siç bënte prej vitesh. Rreth orës 17:00, ka qenë besimtari tjetër mysliman, Xhelo Beqiri, i cili ka shkuar në xhaminë e Dushkut dhe ka vënë re se ende nuk kishte ardhur asnjë besimtar tjetër. Por sapo ka hyrë brenda, ai është përballur me trupin e viktimës, i cili ishte rrethuar nga një pellg gjaku dhe në fyt kishte një biçak. E ka njohur menjëherë bashkëfshatarin e tij, ku sipas dëshmisë së dhënë, mbi trupin e pajetë të tij, kishte një orë dore dhe një unazë. Duke parë se nuk kishte asnjë shenjë jete, ai ka njoftuar për këtë ngjarje të rëndë kryemyftiun e Lushnjës, Tomorr Boriçi, i cili i ka thënë të njoftojë policinë, por të njëjtin veprim ka kryer edhe vetë.


Hetimet e policisë


Nga hetimet paraprake të policisë janë ngritur dyshimet e një vetëvrasjeje të mundshme të 84-vjeçarit. Sipas të dhënave zyrtare, nga këqyrja e kufomës së të ndjerit, është konstatuar se ai kishte një prerje në fyt, që niste nga ana e majtë duke u drejtuar djathtas. Ndërkaq, nga këqyrja paraprake e prerjes, dyshohet që ajo të jetë shkaktuar me mjaft mundim. Ky fakt dhe mungesa e shenjave të dhunës në pjesë të tjera të trupit që përjashtojnë përleshjen e viktimës me ndonjë person tjetër, ka ngritur dyshimet se ai mund të jetë vetëvrarë. Por, policia nuk ka përjashtuar edhe pistat e tjera. Sipas burimeve, do të verifikohet çdo pistë e mundshme dhe pas përjashtimit të tyre atëherë do të konkludohet zyrtarisht nëse ka qenë një vetëvrasje ose jo. Ndërkaq, policia nuk ka edhe ndonjë motiv që të besojë se i moshuari ka ndërmarrë aktin e vetëflijimit. Kjo, pasi banorët e zonës dhe familjarët janë shprehur se ai nuk ka pasur ndonjë konflikt. Sipas tyre, i moshuari ka qenë një besimtar praktikant dhe shkonte shpesh në xhami për të kryer ritet fetare. Ndërsa dje mësohet të ketë dalë më herët se zakonisht dhe ka shkuar në xhami në një kohë kur aty nuk ndodhej njeri. Mësohet se familjarët kanë deklaruar se ai nuk ka shfaqur ndonjë shenjë depresioni.


I riu i dyshimtë


Ndërkaq Xhelo Beqiri është shprehur se në momentin kur ka hyrë në xhami ka parë një djalë të ri, duke dalë me nxitim nga ambientet e xhamisë. Megjithatë, policia nuk ka dhënë detaje, nëse ai e njihte të riun, që tashmë mund të jetë person nën hetim. Nga ana tjetër, pavarësisht deklaratës së dhënë se paraprakisht dyshohet për vetëvrasje, policia ka vijuar hetimet, duke marrë në pyetje edhe kryemyftiun Tomorr Boriçi. Ai është i dyti person që ka parë viktimën dhe më pas ka lajmëruar policinë. Po ashtu, i dyshimtë mbetet fakti i vetëvrasjes për shkak të objekteve të gjetura mbi trupin e viktimës, pasi nëse ka ndodhur vetëvrasje, në kushte të tilla, ai e ka kryer duke qenë i shtrirë. Në lidhje me orën e dorës dhe unazën e gjetur mbi trupin e pajetë, policia tha se ato i përkasin viktimës, ndërkohë që biçaku i vrasjes është dërguar në laboratorin e kriminalistikës, me qëllim për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme gishtash mbi të. Misteri i këtij krimi shtohet edhe më shumë nga vetë objekti, ku u gjet viktima, pasi shtatë vite më parë u bë “mollë sherri” mes banorëve të zonës, besimtarëve dhe kryemyftiut Boriçi, i sapozgjedhur në atë kohë, duke ngritur dyshime të ndryshme mbi financimin e saj.


 


Tetor 2006


Sherri për xhaminë e Dushkut dhe dyshimet mbi financimin


Në tetor të vitit 2006, rreth 15 besimtarë janë shoqëruar nga policia e Lushnjës, pasi kanë keqtrajtuar Tomorr Boriçin, të sapoemëruar në Lushnjë. Në atë kohë, me shenja në fytyrë dhe dëmtime në trup, ai është shoqëruar në spitalin e qytetit, ku dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm. Sipas besimtarëve që kanë ushtruar dhunë mbi imamin e “padëshiruar”, ai i përkiste një sekti tjetër, atij selefist dhe nuk i kryente siç duhet ritet fetare, ndërkohë që në atë kohë i kërkonin sqarime për xhaminë e ndërtuar. “Imami, Tomorr Boriçi, duhet të japë sqarime edhe për xhaminë që ka ndërtuar kur ka qenë në Dushk, e cila nuk ka as leje ndërtimi, as hipotekë dhe as transparencë në gjetjen e financimeve”, u shprehën shtatë vjet më parë një pjesë e besimtarëve, që ishin përfshirë në sherr. Gjithçka ka nisur pas zëvendësimit të imamit nga Komuniteti Mysliman në Tiranë. Në atë kohë, për zbardhjen e ngjarjes u përfshinë forcat e Antiterrorit, SHISH dhe Policisë së Rendit. Besimtarët shpreheshin me dyshime për fondet e ndërtimit të xhamisë, pasi sipas tyre nuk kishte transparencë dhe ngrinin dyshimet se ato mund të kenë ardhur nga organizata terroriste.