Zv.ministri Peçi: I takon Parlamentit të vendosë për propozimet
HERION MESI
Qeveria propozon ndërhyrje në Kushtetutë për krijimin e dy Dhomave në sistemin parlamentar, duke ofruar një Senat për shqiptarët. Në raportin e Ministrisë së Drejtësisë, prej 93 faqesh depozituar prej ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një vëmendje të veçantë i kushtohet Bikameralizimit, ose krijimit të Parlamentit me dy Dhoma. Në analizën e saj, Ministria e Drejtësisë thekson se ka konsensus midis ekspertëve të sistemit të drejtësisë se gjithë këto vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, Kuvendi nuk ka qenë veçse një noter i veprimtarisë së qeverisë. Dhe për këtë arsye, ajo thekson se ngritja e Dhomës së Dytë të Parlamentit do të bëjë të mundur edhe një kontroll më real të qeverisë nga Kuvendi. “Ka një konsensus midis ekspertëve se gjithë këto vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, Kuvendi nuk ka qenë veçse një noter i veprimtarisë së qeverisë. Parlamenti dydhomësh, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve në kohë të ndryshme dhe ndryshimit të pjesshëm të përbërjes së saj, tipikisht kontrollohet nga forca politike kundërshtare me qeverinë. Për këtë arsye, mendohet se kjo formulë bën të mundur një kontroll real të legjislativit mbi ekzekutivin”- thuhet në raport. Duke vlerësuar efektet pozitive që do të ketë aplikimi i bikameralizmit, Ministria e Drejtësisë, në raportin e saj analitik, bën me dije se ekspertët e drejtësisë evidentojnë edhe përmirësimin e procesit ligjvënës dhe të procesit për zgjedhjen e funksionarëve më të lartë të shtetit. Modeli italian, i Senatit, duket se është më i pëlqyeri, por për një gjë të tillë do të vendoset nga Parlamenti. Ndërkohë që nëse pranohet ky model, atëherë, senatorët do të jenë të përjetshëm, kur deputetët me më shumë mandate do të bëhen pjesë e Senatit. Por parapëlqehet dhe forma që përdoret në SHBA, sa u përket emërimeve në gjyqësor. Zëvendësministri i Drejtësisë, Edlir Peçi, në një prononcim për gazetën “Shqip”, shprehet se kjo është paketa e hartuar nga ministria. “Unë kam qenë në grupin e punës për reformën në drejtësi, por jo për pjesën e ndërhyrjes për funksionimin e Parlamentit. Materiali është një analizë e Ministrisë së Drejtësisë, i takon Parlamentit të vendosë për propozimet e paraqitura”, u shpreh Peçi.
Gjyqtarët
Ministria e Drejtësisë e sheh krijimin e Senatit dhe si një mundësi për emërimin e gjyqtarëve, duke shmangur edhe ndonjë betejë ndërmjet Parlamentit dhe Presidentit. “Përfshirja e dhomës së dytë në emërimin e gjyqtarëve të lartë e kushtetues mund të ndikojë për një mbështetje më të gjerë të tyre dhe të mundësojë pavarësi reale dhe nga mazhoranca që i votoi. Zgjedhja e tyre edhe nga Senati (Dhoma e Dytë) do t’u jepte anëtarëve të këtyre gjykatave të larta besueshmërinë e munguar, pasi përjashtimi partiak i kandidaturave ose sugjerimeve të opozitës shmanget vetvetiu, për shkak të përbërjes së Senatit që tipikisht është e ndryshme nga ajo e Dhomës së Ulët të Parlamentit”- thuhet në raportin e Ministrisë.
Projektligjet
Në raportin e saj lidhur me gjendjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë shprehet se ekspertët janë të mendimit se amendimi i Kushtetutës do të ishte një rast i mirë për të sanksionuar dhe për të rregulluar pikërisht në Kushtetutë parimet kryesore të mënyrës sesi bëhen ligjet nga deputetët, duke theksuar nevojën e përmirësimit të procedurës ligjvënëse. “Një nga mësimet konstante që ka nxjerrë praktika e deritanishme parlamentare është nevoja për përmirësimin e procedurës ligjvënëse. Standardi që kërkohet në ligjbërje duhet të rishihet nën këndvështrimin e rritjes së cilësisë, transparencës së procesit, gjithëpërfshirjes dhe konsultimit”, – thuhet në analizën e Ministrisë. Në këtë kontekst, duke vijuar më tej, në raport parashtrohet ideja që procesi i hartimit, shqyrtimit dhe më pas i miratimit të projektligjeve nga Kuvendi, duhet të kalojë në tri faza: një lexim i projektligjeve në parim, lexim nen për nen i projektligjeve dhe më pas lexim në tërësi i projektligjeve, që nënkupton dhe diskutimin përmbledhës të draftit përfundimtar që i kalon më pas Kuvendit për miratim në seancë plenare. “Në këtë drejtim mund të konsiderohet ideja që procesi ligjvënës të ndahet në tre lexime/etapa: leximi i parë në parim – leximi i dytë nen për nen, dhe leximi i tretë në tërësi. Është e rëndësishme shkëputja në kohë dhe në procedurë e leximit të parë nga leximet e tjera dhe veçanërisht gjatë leximit të parë do të ishte e këshillueshme të sanksionohej në Kushtetutë përfshirja e detyrueshme e aktorëve konsultues të projektligjit nga komisionet e përhershme të Kuvendit”, – thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Kontrolli i qeverisë
Sa i përket kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit që ka të bëjë me kontrollin e pozitave të Këshillit të Ministrave dhe emërimi, shkarkimi i kabinetit qeveritar/ministrave, në raport-analizën e saj, Ministria e Drejtësisë ngre shqetësimin e diskutimit të formulës së mocioneve të Parlamentit. “Lidhur me mocionin e besimit/mosbesimit, grupi i ekspertëve parashtron idenë e diskutimit të formulës së votimit të mocionit të besimit/mosbesimit, ndonëse e sheh me vend që formula të vazhdojë të ketë nuancat e votëbesimit konstruktiv. Formula origjinale e vitit 1998 (përpara ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008) garantonte qëndrueshmëri të qeverisjes duke i dhënë një shans tjetër shumicës parlamentare për të dalë nga votëbesimi me një kryeministër tjetër. Formula që u adoptua si rezultat i amendamenteve të vitit 2008 duket se është e ndërtuar në mënyrë të tillë që, në rast nevoje, të sakrifikohet shumica parlamentare (pra edhe qëndrueshmëria e qeverisjes) për hir të mosndryshimit të kryeministrit”- thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Bashkëkryetari i Kushtetutës
Godo mbrojtësi i idesë së Senatit dhe president nga populli
Sabri Godo, së bashku me Arben Imamin, ishin kryetarët e komisionit për hartimin e një Kushtetute që u ngrit në vitin 1998, një proces në të cilin Partia Demokratike refuzoi të përfshihej edhe në atë kohë. Në intervistat publike të tij, Godo ka bërë me dije se gjatë diskutimeve për hartimin e ligjit themeltar është hedhur për herë të parë nga ai ideja e Senatit. Por, sipas tij, socialistët patën frikë se mos nuk bëheshin më deputetë. Por përtej vlerësimeve të kohës, por edhe të mëvonshme, të gjitha këto lëvizje për të bërë të mundur një Parlament me Dy Dhoma mbetën në kuadrin e deklaratave publike, pasi ende nuk ka një iniciativë të menduar mirë. “Një tjetër propozim i imi ishte dhe krijimi i Senatit. Këtë ide e përkrahu vetëm Spartak Ngjela. Por të majtët nuk e pranuan. Duket se përfaqësuesit e majtë e konsideruan këtë propozim si një hap drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja të përgjithshme dhe se me krijimin e Senatit, një pjesë e mirë e tyre do të humbisnin vendet e tyre, prandaj dhe nuk e miratuan”, – është shprehur Godo në një intervistë në vitin 2010. Sipas protagonistit kryesor të hartimit të Kushtetutës, një nga çështjet që duhet të ndryshohet në ligjin themeltar është edhe zgjedhja e Presidentit nga populli dhe kompetencat e tij.