Lideri historik i PS-së kërkon nga Edi Rama të tregojë projektin për bashkimin e së majtës
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve bën përgjegjëse keqqeverisjen e Sali Berishës për hapat prapa që po bën Shqipëria në rrugën e integrimit për në BE. Ndërkohë që deklaratat e sotme të Berishës, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se është i hapur për një takim me kreun e PS-së, i quan lojë meskine. “Sali Berisha u dëshmua ndarës dhe dëmtues i axhendës së integrimit europian të Shqipërisë në procesin e zgjedhjes së Presidentit, sikurse edhe në të gjithë administrimin e procesit të reformave që ndihmojnë integrimin në periudhën post zgjedhjes së Presidentit.
Sali Berisha sot u deklarua i hapur për takim me Kryetarin e PS-së, Edi Rama, ndërsa është e qartë për çdo mendje të shëndoshë se ai po bën lojë politike të ngushtë e meskine partiake, me ftesa e qëndrime provokative, duke i ofruar Opozitës një konsensus negativ Kryetarësh, në mënyrë që të çmontojë dhe zhbëjë betejat dhe qëndrimet parimore për një reformë parlamentare dhe reformë zgjedhore në përputhje me interesin kombëtar, qytetar, demokratik dhe integrues evropian”, thuhet në deklaratën e Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve.
Më tej në deklaratë kërkohet sa më shpejt përmbushja e reformave të domosdoshme parlamentare, zgjedhore, si edhe heqja e imuniteteve:”që asgjë e askush të mos synojë për të ndërtuar një konsensus negativ Kryetarësh, por të ndërtohet një proces i pastër, transparent, gjithëpërfshirës, i ndershëm. Lëvizja Nano shpreh mbështetjen e saj për çdo takim e marrëveshje Pozitë-Opozitë, që do të vendosë në themelin e saj transparencën për publikun dhe ndershmërinë e parimeve e qëllimeve në favor të krijimit të kushteve për një aleance të madhe të mirëbesimit mes gjithë aktorëve e faktorëve politikë e civilë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, për krijimin e hapësirave e kushteve për një qeverisje të pastër, të ndershme dhe llogaridhënëse, për organizimim në 2013 të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe në përputhje me standartet europiane, si edhe për suksesin e udhëtimit shqiptar drejt BE”, thuhet në deklaratë, ku më tej i është kërkuar kreut të PS-së, Edi Rama të shpjegojë projektin e tij për bashkimin e opozitarëve, që do të çonte më pas në fitoren e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
“Lëvizja Nano e përshëndet turin e Kryetarit të PS, Edi Rama në bazën e PS, por e fton Edi Ramën që të mos humbasë kohë t’iu shpjegojë socialistëve arsyet përse Edi Rama nuk e mbështeti Fatos Nanon për President, por të gjejë motivimin dhe ndjeshmërinë e duhur për t’iu treguar socialistëve se cili është Projekti i tij për bashkimin e popullit opozitar në mënyrë që të fitohen zgjedhjet e vitit 2013 dhe që në Shqipëri të vijë një qeverisje e pastër, transparente, llogaridhënëse që do të bëjë të mundur transformimin e Shqipërisë në një vend dinjitoz Europian. Lëvizja Nano shprehet e vendosur në Projektin e saj për bashkimin, përfaqësimin dhe udhëheqjen e të gjithë popullit opozitar drejt fitores së zgjedhjeve të vitit 2013. Së bashku ne e mundim Sali Berishën. Së bashku ne fitojmë. Së bashku ne e bëjmë Shqipërinë një vend të denjë evropian”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.
2 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)