Ish-kryeministri Fatos Nano, aktualisht i vetëshpallur kandidat për president, publikoi sot një deklaratë tjetër të shpërndarë nga Lëvizja Nano për President ku mes të tjerash deklaroi se institucionet e drejtësisë janë institucione prej tiranie dhe duke premtuar reformë në rast se bëhet president.
Nano ka lëshuar pak ditë më parë një kërcënim për palët politike në vend duke deklaruar se nëse nuk bëhet president, do të garojë për kryeministër në vitin 2013.
“Fatos Nano gjykon se nuk ka tirani e dhunë më të rëndë për jetën dhe shpresën e qytetarëve sesa dhuna dhe tirania e institucioneve, sidomos ajo e institucioneve të drejtësisë. Kjo dhunë demonstrohet si shpërfillje, mosveprim, dekadencë, korrupsion, vonesë, zvarritje apo arrogancë,” shkruhet në një deklaratë të lëshuar nga Lëvizja Nano për President.
“Kjo lloj dhune prek drejtpërdrejt qytetarët, të varfërit, të dobëtit, të pamundurit për shkak të kufizimeve financiare, fizike apo sociale. Drejtësia i jep kuptim lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Drejtësia e perceptuar si tirani shpërfilljeje apo si drejtësi e vonuar me pak fjalë si drejtësi e munguar, është një tregues i trishtë dhe i drejtpërdrejtë i nivelit të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit që kemi në vend,” vijon më tej deklarata, e cila ngjan gjithashtu si një plaftormë politike për një rikthim të mundshëm të personit që ka qenë tri herë kryeministër, në politikën aktive.
“Nëse Fatos Nano do të jetë President Republike ai synon të jetë ushtrues i një Presidence sipërmarrëse, negociatore, nxitëse dhe kërkuese e një reforme të thellë, qelizore dhe gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Liria dhe demokracia në Shqipëri do të kenë kuptim vetëm nëse do të jenë të kombinuara me drejtësinë,” thotë deklarata e Lëvizjes Nano për President. 5 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)