Idrizi: Artikulimi i çështjes çame, kusht për votat tona
Fatjona Mejdini – Ish-kryeministri Fatos Nano, mori dje mbështetje të hapur për kandidaturën e tij si President i Republikës nga përfaqësuesit e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi dhe deputeti Dashamir Tahiri. Paraditen e djeshme, Nano, në kuadër vijimësisë të takimeve të tij me përfaqësues të politikës shqiptare, zhvilloi një takim rreth dy orës në barin e hotel “Rogner” me dy deputetët e PDIU-së, Idrizin dhe Tahirin. Pas këtij takimi, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ndonëse një aleat në qeverisje me Partinë Demokratike deklaroi se Nano kishte profilin e duhur për të qenë kreu i ardhshëm i shtetit. Në këtë kuadër, Idrizi theksoi faktin se PDIU si një parti me dy deputetë në Parlament kërkonte që kreu i ardhshëm i shtetit të ishte një figurë mbi palët. “Presidenti jo vetëm duhet të jetë konsensual, por duhet të ketë profil të lartë dhe publik dhe politik. Në këtë kuptim ne vlerësojmë edhe kontributin e Nanos. Ai është një person publik, është një person që ka eksperiencë në jetën publike shqiptare dhe besoj që e përmbush këtë profil. Ky është një proces që nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Ne donim të jepnim një kontribut që t’i japim Shqipërisë një president mbi palët, të mirëpranuar nga të gjithë”, deklaroi Idrizi pas përfundimit të takimit, duke lënë të kuptohej se PDIU në Parlament ishte e gatshme ta mbështeste këtë kandidaturë. Por Idrizi, gjithashtu theksoi se çështja e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm duhet të kalojë në një proces negociatash, me te gjithë forcat politike shqiptare, brenda dhe jashtë mazhorancës. Ndërkaq, duke folur në një prononcim për mediat pas takimit, Idrizi tha se artikulimi i çështjes çame nga kandidatët për president, do të jetë kusht pët votat e PDIU-së. Nga ana tjetër, interesimit të mediave për këtë takim dhe mbështetjen që iu dha në mënyrë të hapur nga dy deputetët e PDIU-së, Nano e priti në mënyrë të qetë, duke theksuar se ishte në të mirë të vendit që ky proces të ishte konsensual. Ai theksoi se ishte e rëndësishme që me procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, Shqipëria të bënte një hap përpara në rrugën e BE-së. Por duke folur për udhëtimin e tij në këtë garë, Nano deklaroi se ajo ishte në gjurmën e duhur. “Unë e vlerësoj aq sa duhet këtë mbështetje. Besoj se në tërësi jemi në rrugën e duhur, për të zgjeruar dialogun dhe mirëkuptimin mes drejtuesve të politikës aktuale, parlamentare sidomos, jo vetëm në funksion të zgjidhjes me përgjegjësi të çështjes presidenciale, por edhe me këtë klimë të nevojshme që të gjitha kontributet të konvergojnë në këtë çështje, në çështjen e integrimit kombëtar dhe europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi Nano, i cili në mënyrë të herëpashershme ka përsëritur faktin se do të donte që kandidatura e tij të gjithëpranohej nga palët. Në ditët e ardhshme, Nano pritet të zhvillojë një takim dhe kreun e qeverisë “Berisha”, i cili deri tani ka theksuar faktin se Presidenti i ardhshëm duhet të jetë nga radhët e PD-së, por pa mohuar se gjithsesi për këtë proces do të zhvilloheshin negociata. Një tjetër takim interesant pritet të jetë ai mes ish-kryeministrit Nano dhe kreut të republikanëve, ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Por përveç faktorit politik shqiptar, ish-kreu i socialistëve i cili humbi pushtetin në vitin 2005, po zhvillon konsulta intensive dhe me faktorin ndërkombëtar në vend në lidhje me kandidaturën e tij. I bindur në qëndrimin se zgjedhja e ardhshme e Presidentit do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rrugën e integrimit të Shqipërisë, Nano po përpiqet të fitojë pëlqimin e ndërkombëtarëve në lidhje me kandidimin e tij. Deri tani ai ka arritur të ketë një vlerësim të madh nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, i cili e ka quajtur Nanon një kandidat potencial dhe me profilin e duhur.
I rikthyer së fundmi në skenën politike shqiptare, Nano nuk ngurroi të theksonte se i pëlqente fakti se dëshira e tij për të kandiduar për President, kishte sjellë në vend takime mes politikanëve, të cilat kishin kohë që mungonin.
Bashkimi
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri, ishin dje të bashkuar në takimin me Fatos Nanon, duke hedhur poshtë zërat për një ftohje të marrëdhënieve të tyre.
