Lëvizjet
Dy ish-kryeministrat socialistë, bisedime për presidentin
Një takim interesant ka ndodhur dje ndërmjet deputetit socialist, Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe ish-kryeministrit tjetër, Fatos Nano. Takimi mësohet se është zhvilluar në një bar në kryeqytet dhe dy protagonistët kanë dashur që ai të ishte jashtë vëmendjes së mediave. Nuk dihet se cila ka qenë biseda konkrete e këtij takimi, por ajo që dihet me siguri lidhet me faktin se dy ish-bashkëpunëtorët kanë diskutuar për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Fatos Nano, rreth dy muaj më parë ka bërë publike ofertën e tij për të qenë President i vendit, por pavarësisht takimeve me të gjithë drejtuesit e forcave politike në vend, ish-kryeministri nuk ka arritur të mbledhë 20 firmat e deputetëve, të cilat do ta fusnin zyrtarisht në garën për president. Po pavarësisht kësaj duket se Nano nuk i ka humbur shpresat në garën presidenciale, e cila ditë pas dite po bëhet dhe më e paqartë. Por e vetmja forcë politike e cila mund ta propozojë hyrjen e emrit të Nanos në negociata është vetëm Partia Socialiste. Nga ana tjetër, mazhoranca në mënyrë absolute nuk ka pranuar të mbështesë kandidaturën e Nanos, duke theksuar se kjo gjë i takonte PS-së dhe se ajo vetë kishte kandidaturat e saj. I pyetur dy ditë më parë për kandidaturën e Nanos, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se PS nuk favorizonte, po as diskriminonte ndonjë kandidat. “Pozicioni që unë kam dhe filozofia e PS që kërkon një konsensus, nuk përjashton asnjë emër që mund të jetë objekt i diskutimit”, theksoi Ruçi, duke mos dashur të japë një qëndrim të prerë në lidhje me këtë çështje.