ZGJEDHJET
PS kërkon rikthim në tavolinë të mandateve. PD kërkon 100 zona zgjedhore
BLEDAR HOTI
Ndarja e 140 mandateve të deputetëve mund të kthehet sërish për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. I këtij opsioni është Partia Socialiste, e cila e sheh si të vetmen zgjidhje rikthimin për diskutim në tryezën e 7 anëtarëve të KQZ-së. Ky institucion dështoi në marrjen e një vendimi për ndarjen e re të mandateve për 12 qarqet e vendit, për shkak të pretendimeve që shfaqi opozita për rritjen fiktive të popullsisë në Kukës. Ndarja e mandateve duhet të kalonte me pesë vota nga KQZ, por pro ndarjes ishin vetëm katër anëtarët dhe tre të tjerët ishin kundër. Kjo bëri që Partia Demokratike të shpallte si lëvizje të saj dërgimin e çështjes për zgjidhje në Kolegjin Zgjedhore, veprim që nuk e ka ndërmarrë ende. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ kanë bërë të qartë se zgjidhja më e mirë do të ishte rikthimi i çështjes për diskutim te shtatë anëtarët, duke e cilësuar si tepër të rëndë shqyrtimin e saj nga Kolegji Zgjedhor. Me ndarjen e propozuar sipas informacioneve të popullsisë të ofruar nga Ministria e Brendshme, Qarku i Kukësit përfiton 4 mandate, ndërsa ai Beratit 7 mandate. PS-ja pretendon se Qarkut të Beratit po i merret në mënyrë të padrejtë një deputet, pasi ka pasur shtim fiktiv të popullsisë në Kukës për vetëm tre muaj. Ideja e rikthyer e çështjes së debatuar të ndarjes së 140 mandateve në KQZ, kontestohet nga PD-ja, pasi kohët e fundit ka pasur dhe një reagim të ri nga LSI-ja, ku lideri i kësaj partie ka shprehur pakënaqësi për heqjen e mandatit të 8 të Qarkut të Beratit. Kjo do të thoshte që pesë votat të jenë më të vështira për t’u arritur. Anëtari i LSI-së në këtë KQZ, Ilirjan Muho, ishte fillimisht pro ndarjes së propozuar nga KQZ-ja.
PD kërkon 100 ZAZ
Një tjetër çështje e mbetur pezull në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është dhe ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Akti i KQZ-së për ndarjen e 76 ZAZ-ve ka mbetur pezull për shkak të përplasjeve mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Shkak i përplasjes është bërë pretendimi i PD-së se kërkon më shumë ZAZ nga çfarë propozon në projektin e saj KQZ-ja. Gjatë këtyre ditëve ka pasur negociata mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së në KQZ, Genc Gjonçaj dhe Njazi Kosovrasti, por ato nuk kanë dhënë rezultate konkrete. Fillimisht PD-ja ka propozuar që të ketë 80 ZAZ, pra një rritje. Më pas, mësohet se është kërkuar një shifër 100 ZAZ. Kjo është kontestuar nga PS-ja. Socialistët, nga ana e tyre, kërkojnë që të ketë 73 deri në 74 Zona të Administrimit Zgjedhor. Kërkesa e PD-së mund të shtojë ndjeshëm kostot financiare, pasi komisionet e ZAZ-ve do të kenë në përbërje nga 7 anëtarë. Përveç PS-së dhe PD-së, nga përvoja ndër vite, partitë e tjera janë vënë në vështirësi për caktimin e anëtarëve. Në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 27, pika 5, “ZAZ-të miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Jo më vonë se 10 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon të dhënat KQZ-së, të ndara sipas njësive të qeverisjes vendore”. Këto të dhëna kanë ardhur në KQZ me shkresën e Ministrisë së Brendshme nr.7375/1, datë 07.11.2012. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ. Rrethet që kanë më shumë se 60 mijë zgjedhës (më parë kufiri ka qenë 70 mijë) ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ. Nga 36 rrethe që ka në të gjithë vendin, 22 prej tyre kanë më pak se 60 mijë zgjedhës dhe përbëjnë secili nga një ZAZ, 14 rrethe kanë mbi 60 mijë zgjedhës dhe ndahen në më shumë se sa një ZAZ. Nga përllogaritjet e KQZ-së rezulton se nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet për Kuvend 2009, në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013 propozohet të ngrihen 76 ZAZ. Tre ZAZ krijohen nga ndarja e rretheve Gjirokastër, Pogradec dhe Lezhë nga një në dy ZAZ secili, për faktin se kanë më shumë se 60 mijë zgjedhës. Katër ZAZ krijohen nga ndarja e bashkive Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë nga një në dy ZAZ secila, për faktin se kanë më shumë se 80 mijë zgjedhës (më parë kufiri ka qenë 100 mijë). Tre ZAZ krijohen nga ndarja përkatësisht e ZAZ-ve nr.2 Rrethi i Beratit, nr.19 dhe nr.20 Rrethi i Fierit, nr.57 dhe nr.58 Rrethi i Tiranës, që janë mbi 60 mijë zgjedhës. Ndarja e ZAZ-ve dhe përcaktimi i 140 mandateve duhet të miratohen nga KQZ-ja me pesë vota nga shtatë anëtarët. Ky institucion i ka tejkaluar afatet e miratimit të këtyre dy vendimeve.
5 vota – Dy aktet e propozuara nga KQZ-ja duhet të kalojnë me votat pro të 7 anëtarëve të këtij institucioni. PD dhe PS kanë ndasi për të dyja draftet
140 mandate – Ndarja e 140 mandateve për 12 qarqet realizohet mbi bazën e numrit të përgjithshëm të popullsisë. PS konteston dhënien e 4 mandateve Kukësit
Demokratët
Mësohet se përfaqësuesi i PD në KQZ-së, Kosovrasti, ka propozuar ndarjen 100 ZAZ-ve nga 76 që ka projekti fillestar