Katër problematikat


Çështja çame në vend të dytë, emigrantët në të tretin dhe marrëdhëniet me minoritetin në të katërtin


Fatjona Mejdini


Copy of protesta flamuretShqiptarët vlerësojnë çështjen e ndarjes së ujërave territoriale me Greqinë si më të rëndësishmen për t’u zgjidhur mes dy vendeve. Në këtë konkluzion del sondazhi i publikuar në fund të muajit mars i kryer me 1200 shqiptarë dhe i financuar nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” në Tiranë. Sipas 46 për qind e tyre e kanë zgjedhur këtë çështje si më revelanten në marrëdhëniet mes dy vendeve. Si çështja e dytë më e rëndësishme për perceptimin e qytetarëve shqiptarë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë konsiderohet çështja çame. Ndërsa 21 për qind e të anketuarve e shikojnë atë si çështjen e dytë e cila interferon në marrëdhëniet mes dy vendeve. Çështja e trajtimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, konsiderohet nga shqiptarët si e treta në renditje në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke qenë 19 për qind relevante. Në renditje përfshihet dhe çështja e minoritarëve grekë në Shqipëri me 10 për qind rëndësi, por kjo në kontekstin e përfaqësimit të tyre politik në qeveritë shqiptare dhe po kështu në lidhje me problematikën që haset nga pagesa e pensioneve që shteti grek bën për këtë kategori. Por në sondazh paraqitet se 2 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë një çështje të rëndësishme dhe faktin që Kisha Ortodokse shqiptare drejtohet ende nga një shtetas grek, që është rasti i kryepeshkopit Janullatos. Në sondazhin e titulluar “Marrëdhëniet shqiptaro-greke parë nga sytë e publikut shqiptarë” të bën përshtypje fakti se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve nuk marrin ndonjë rëndësi të veçantë në sytë e publikut shqiptar, pavarësisht faktit se Greqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë për vendin tonë duke nisur nga viti 1990.


Pakti detar


Situata ende e pazgjidhur e ndarjes së kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se është kthyer në çështjen më problematike të viteve të fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve. Janë 46 për qind e qytetarëve shqiptarë që i japin asaj një rëndësi shumë të madhe, duke e renditur në krye të prioriteteve. Diskutimet për një çështje të tillë kanë nisur në Shqipëri që në vitin 2009, kur ndarja e kufirit detar mes dy vendeve u konkretizua në një marrëveshje mes dy vendeve, pavarësisht se detajet e saj ishin përgatitur larg syve të publikut shqiptar. Kulminacioni i kësaj çështjeje arriti në momentin kur pas denoncimeve të ekspertëve shqiptarë, të shoqëruar me padi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, me pretendimin se ajo binte në kundërshtim me interesat e Shqipërisë dhe ishte hartuar jashtë rregullave ligjore ndërkombëtare. Një vendim i tillë nuk u prit mirë nga pala greke, e cila edhe sot kërkon rikthimin në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2009. Kjo temë ka qenë kryesore në takimet e shpeshta që kanë pasur dy ministrat e Jashtëm të dy vendeve muajt e fundit, por ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje për të.


Çështja çame


Problematika e mbartur prej dekadash e asaj që quhet si çështja çame, ka nisur të shqetësojë seriozisht opinionin publik shqiptar. Ndërsa 21 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë atë si çështjen me të rëndësishme të mbetur pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pavarësisht këtij perceptimi dhe ndërgjegjësimi të rritur, qeveritë e dy vendeve duket se kanë qëndrime diametralisht të kundërta për këtë çështje. Në një kohë kur qeveria shqiptare e ka përfshirë atë në axhendën diplomatike të saj, pala greke vijon ta konsiderojë një çështje inekzistente në vetvete duke e trajtuar atë si çështje individuale dhe që duhet të zgjidhet nga gjykatat.


Emigrantët shqiptarë


Rëndësia e trajtimit të emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj Greqi ka zbritur në vendin e tretë, në rendin e shqetësimeve të shqiptarëve kundrejt shtetit grek. Në sondazh vetëm 19 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë atë si çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një zhvillim i tillë duket se vjen si pasojë e një integrimi të mirë të emigrantëve shqiptarë në shtetin helen pas më shumë se 20 vitesh jetese dhe punësimi në këtë vend. Pavarësisht kësaj, mes dy qeverive ende ka çështje të pazgjidhura të cilat ndikojnë më mënyrë të drejtpërdrejt në jetën e shqiptarëve në Greqi. Një rast i tillë është çështja e pazgjidhur e toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të cilët kanë lindur në Greqi. Problematika e caktimit në mënyrë jo korrekte të toponimeve greke në pasaportat shqiptare, u ka kushtuar familjarëve të fëmijëve orvatje të shumta në kufijtë dhe institucionet e dy vendeve. Pavarësisht kësaj situate dhe prioritetit që kjo çështje ka në marrëdhëniet bilaterale aktuale mes Shqipërisë dhe Greqisë, zgjidhja përfundimtare ende po vonon të vijë.


Sondazhi:


Identifiko dhe rendit sipas rëndësisë çështjet që ndikojnë më shumë në marrëdhëniet mes dy vendeve.


Zgjedhur si prioriteti numër 1:


Çështja e kufijve – 46%


Minoriteti grek – 10%


Çështja çame – 21%


Prezenca e Kryepeshkopit Janullatos si drejtues i Kishës Ortodokse – 2%


Trajtimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi – 19%


Minoriteti


37.5% e shqiptarëve i konsiderojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe minoritarëve grekë si normale. 31.6% e shikojnë këtë marrëdhënie si të mirë dhe 6.2% si të keqe.


Përfitimi


40% e qytetarëve shqiptarë janë të mendimit se në kuadër të marrëdhënieve ekonomike të dyja vendet kanë përfituar njësoj. 29% mendojnë se përfituesja më e madhe ka qenë Greqia dhe vetëm 9% mendojnë se këtë pozitë e ka pasur Shqipëria.


Vizitat


Sondazhi del në konkluzionin se 57 për qind e shqiptarëve kanë udhëtuar të paktën njëherë në jetën e tyre drejt Greqisë. 43 për qind nuk e kanë bërë këtë asnjëherë