Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vetëm pas ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, ka takuar mesditën e sotme një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë, të ngujuar prej 21 ditësh në grevë urie. Takimi në selinë e Presidencës, ka zgjatur për rreth një orë dhe nuk ka sjellë asnjë zgjidhje konkrete të situatës.
Sipas grevistëve që patën kontakt me kreun e shtetit, ai është treguar i vëmendshëm dhe “ka mbajtur shënim kërkesat e parashtruar prej tyre”. Ndonëse nuk u ka dhënë asnjë përgjigje apo afate konkrete për zgjidhjen e kërkesave të tyre, Nishani u ka lënë shteg të hapur për vazhdimin e bisedimeve. Ndërkohë ish-të përndjekurit kanë deklaruar se do të vijojnë grevën e tyre të urisë deri në marrjen e përgjigjeve konkrete për kërkesat e tyre ekonomike.
Më herët presidenti Nishani, gjatë një interviste televizive ishte shprehur kategorik se nuk do të takohej me të ngujuarit e urisë, , pasi sipas tij greva kishte ngjyrime të theksuara politike. Pas kësaj deklarate, grevistët përshkallëzuan protestën e tyre. Lirak Bejko tentoi të vetëflijohej duke u djegur me benzinë, ndërkohë që të tjerë grevistë paralajmëruan se do të ndiqnin shembullin e dy shokëve të tyre.
Mëngjesin e sotëm Skënder Tufa, koordinatori i kësaj greve, është takuar me zv.ambasadorin e SHBA-ve dhe atë të Francës, të cilët kanë ndërmjetësuar takimin me Presidentin Bujar Nishani. Përfaqësia e grevistëve është shoqëruar për në selinë e Presidencës nga automjetet e Ambasadës Amerikane, të cilat i kanë rikthyer pas takimit në ambientet ku zhvillohet greva e urisë.
12 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)