Trojka e ambasadorëve ka përshëndetur heqjen e imunitetit
Fatjona Mejdini
Trojka e ambasadorëve në Shqipëri përshëndeti njëzëri votimin në Kuvend të heqjes së imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, por i kujton dy partive kryesore se vetëm kjo nismë nuk mjafton. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth deklaruan se bashkëpunimi PD-PS i treguar dje në Parlament është një hap përpara drejt luftës kundër korrupsionit dhe integrimit, por reforma në sistemin e drejtësisë ka ende shumë për të bërë. Ambasadorët theksuan dhe faktin se në Kuvend ka ngelur pa u miratuar dhe reforma parlamentare dhe po kështu, shteti i së drejtës duhet të jetë më dominant. Nga ana tjetër, Arvizu nga Elbasani, teksa ishte duke prezantuar projektin e ambasadës “Act Now”, deklaroi se politikanët janë përgjegjësit kryesorë që nuk kanë lejuar që vendi të ecë përpara me procesin e integrimit. Ai i ftoi qytetarët që të ndëshkonin me votë, në rast se ishin të pakënaqur me qeverisjen qendrore apo lokale.
Sequi
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, e konsideroi miratimin ////e pasdites së djeshme në Kuvend si një hap të rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. “Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga qeveria ashtu edhe nga opozita është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjerë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, konkludoi ai. Sipas Sequi-t, në rast se bashkëpunimi mes forcave politike në vend do të vazhdojë, mund të arrihen shumë suksese dhe ecje përpara në procesin e integrimit. “Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat”, vijon deklarata e tij. Ai i ftoi forcat politike që ta shfrytëzonin maksimalisht kohën e mbetur përpara muajit tetor në të cilin do të dalë dhe progres-raporti i BE-së i shoqëruar dhe me përgjigjen nëse Shqipëria do ta përfitojë apo jo statusin kandidat.
Arvizu
Konciz dhe kërkues ishte mesazhi që shpërndau dje ambasada amerikane, pasi PD dhe PS gjetën konsensusin e radhës për të hequr imunitetin. Në mënyrë të qartë kjo deklaratë i kërkon forcave politike që të vijojnë bashkëpunimin dhe për reformën parlamentare dhe ligjin e Gjykatës së Lartë. “Ambasada e SHBA mirëpret arritjen nga Kuvendi të konsensusit për të miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me imunitetet. Kuvendi ka në fuqinë e tij mundësinë për të ndikuar progres-raportin e Komisionit Europian, duke gjetur marrëveshje të mëtejshme lidhur me një masë kritike reformash, përfshirë Rregulloren e Parlamentit, si dhe ligjin për Gjykatën e Lartë”, theksohet në deklaratë.
Wollfarth
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth deklaroi se heqja e imunitetit do ta ndihmonte vendin të ketë rekorde më të mira në sistemin e drejtësisë. “Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”, theksohet në njoftim. Ai po ashtu theksoi se tashmë ishte e udhës të vijohej me thellimin e reformës në drejtësi.
Nishani – “Duke i përgëzuar parlamentarët shqiptarë për këtë akt të përgjegjshëm, dëshiroj t’i inkurajoj të vijojnë bashkëpunimin në kryerjen e reformave të domosdoshme përmes dialogut”
Totozani – Avokati i Popullit vlerëson se “ndryshimi i Kushtetutës respekton parimin e barazisë përpara ligjit për të gjithë qytetarët, si dhe përmirëson përpjekjet në luftën kundër korrupsionit”
Arvizu – “Kuvendi ka në fuqinë e tij mundësinë për të ndikuar progres-raportin e BE-së, duke gjetur marrëveshje për një masë kritike reformash, përfshirë Rregulloren e Parlamentit”
Sequi – “Udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Inkurajoj forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur”
Wollfarth – “Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta”