Studimet e detajuara për ndërtesat e reja po mbyllen nga subjektet dhe grupi i teknikëve


Lorina Mixha


bllokuBrenda pak kohësh, në kryeqytet subjektet e ndërtimit do të nisin të ndërtojnë pallate e godina me shumë kate, në qendër e në periferi. Ndërtimet do të jenë sipas parashikimeve dhe kornizave që ka vendosur plani urbanistik i qytetit të Tiranës, por i përkufizuar qartë në planet e detajuara vendore të ekspertëve të firmave të ndërtimit, si edhe grupit të punës, i ngritur pas miratimit të planit urbanistik në Këshillin e Rregullim-Territorit të Shqipërisë.


Në zonën e ish-Bllokut janë në punë e sipër katër studime, plane të detajuara vendore për ndërtimin e pallateve me shumë kate, tetë, nëntë, por edhe më shumë, në rast se plotësohen kërkesat e vendosura nga ekspertiza vendore.


Planet e detajuara vendore do të përgatiten nga grupi i punës i ngritur nga bashkia e kryeqytetit për zona dhe ndërtime të veçanta. Studimet për këto konstruksione do të vendosen pas ekspertizës që bëjnë specialistët, ndërkohë që për ndërtime të thjeshta, apo në rastet kur subjekti mund të ketë kapacitete dhe metodologji, e bën vetë studimin dhe e dorëzon në bashki së bashku me procedurat dhe dokumentet e tjera të kërkuara për pajisjen me leje ndërtimore.


Zona e ish-Bllokut në kryeqytet, ndër më të lakmuarat për të ngritur biznes, për të jetuar, por edhe për të ndërtuar vijon të jetë në vëmendje edhe të planit urbanistik.


Pas ndërprerjes së ndërtimeve në këtë zonë për vite me radhë, pritet rifillimi i punës për firmat e ndërtimit.


Për këtë pjesë të qendrës së qytetit, që konsiderohet si zonë e formuar, pasi ndërtime të shumta janë bërë ndër vite, firmat e ndërtimit, të cilët kërkojnë të ndërtojnë në ato sipërfaqe të mbetura pa u shfrytëzuar, bashkë me procedurat e dokumentet që do të dërgojnë në Bashkinë e Tiranës, u duhet të paraqesin edhe një plan të detajuar vendor, studim i kryer nga ekspertë për sa i takon zhvillimit të zonës.


Këto plane të detajuara vendore, sipas rregulloreve në fuqi, duhet të përgatiten nga firmat e ndërtimit, për zonat pjesërisht të formuara, por për të tjera, për zona me rëndësi më të madhe për zhvillimin e qytetit, këto projekte e studime bëhen nga një grup ekspertësh, me të njëjtat detyrime që kishin edhe teknikët që hartuan planin urbanistik të qytetit të Tiranës.


Ndërtimet në këtë zonë parashikohen të jenë me kate të larta, nëntë kate, por nëse subjekti do të vërtetojë se nëpërmjet ndërtimit të tij zona do të pësojë zhvillim, apo arkitektura e paraqitur do të jetë risi dhe do të paraqesë inovacion, katet mund të jenë edhe mbi nëntë.


Planet e detajuara vendore janë studime të një zone të caktuar të qyteti, të cilat përgatiten nga ekspertë të urbanistikës, më pas dërgohen si pjesë e procedurës në Bashkinë e Tiranës, bashkë me dokumentet e tjera në kohën e aplikimit për një leje ndërtimi.


Pas ndryshmit të ligjit, dhe pas kompetencave që i janë dhënë kryetarit të bashkisë, është kryebashkiaku ai që e firmos përfundimisht lejen e ndërtimit pas kontrollit, verifikimit dhe aprovimit që bën zyra e urbanistikës në bashki.


Pas shkrirjes së organit vendor të Këshillit të Rregullim-Territorit, pajisja e firmave me leje ndërtimi është më e thjeshtë sa i takon burokracisë dhe procedurës, krahasuar me kohën, afatet dhe dokumentet e kërkuara më parë.


Po ashtu, pas miratimit të planit urbanistik, secili nga subjektet e ka më të qartë mundësinë për të ndërtuar, duke pasur parasysh kushtet, lartësinë e kateve të vendosur nga plani. Po ashtu, nëse zotëron kapacitete njerëzore dhe teknike, firma mund të bëjë studimin pjesor, planin e detajuar për zhvillimin e zonës ku do të ndërtojë nëpërmjet kontraktimit të ekspertëve privatë, në të kundërt i drejtohet bashkisë.


 


Të dhëna


KRRTRSH – Në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së është diskutuar dhënia e më shumë kompetencave kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të marrë vendime apo për të firmosur projekte


Ndërtimet – Në planin urbanistik të qytetit të Tiranës parashikohen zonat ku do të ndërtohen me tetë, nëntë apo më shumë kate. Nëse justifikohet ndërtimi, godina mund të ketë edhe më shumë se nëntë kate


Ndërtimet – Puna për ndërtimet dhe detajet sesi do të zhvillohet qendra e Tiranës, sipas planit rregullues të qytetit të Tiranës, miratuar në fillim të këtij viti, do të përcaktohet pikërisht në këto plane të njohura si PDV


Projekte për katër njësi – Për katër njësitë bashkiake të Tiranës, për njësinë numër 5, numër 2, numër 7 dhe 9, puna ka filluar dhe pritet të përfundojë shumë shpejt, pavarësisht se nuk janë përcaktuar qartë afatet. Ndërkohë që po vijon puna normalisht nga subjektet ndërtuese për projektet e tyre të konstruksionit, kryesisht për zonat 30 për qind të formuara. Aplikimi për të marrë lejet e ndërtimit ka nisur në fillim të vitit, ndërkohë që kompetencat për miratimin e lejeve dhe gjithçka tjetër i është lënë bashkisë së kryeqytetit, zyrës së urbanistikës dhe kryebashkiakut të Tiranës, i cili ka autoritetin për të firmosur e vulosur lejen e ndërtimit. Planet e detajuara vendore do të përgatiten nga grupi i punës i ngritur nga bashkia e kryeqytetit për zona dhe ndërtime të veçanta. Studimet për këto konstruksione do të vendosen pas ekspertizës që bëjnë specialistët, ndërkohë që për ndërtime të thjeshta, apo në rastet kur subjekti mund të ketë kapacitete dhe metodologji, e bën vetë studimin dhe e dorëzon në bashki së bashku me procedurat dhe dokumentet e tjera të kërkuara për pajisjen me leje ndërtimore.