Kryekomisionerja Lleshi: Qëllimi i KQZ-së, zgjedhje të lira në 2013-n


Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, dhe nënkryetari i KQZ-së Denar Biba, kanë zhvilluar këto ditë një takim me drejtorin rajonal të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Robert Benjamin dhe Ana Kadoviç, përfaqësuese për Shqipërinë. Qëllimi i takimit, sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, ka qenë puna që po bëhet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. Kryetarja e KQZ-së i ka siguruar përfaqësuesit e NDI se qëllimi i punës së KQZ-së është që të bëhen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme nga të gjithë faktorët. Kryekomisionerja i ka njohur përfaqësuesit e NDI me punën e grupeve të punës që janë ngritur nga KQZ për përgatitjen e procesit. Nga ana e tij, zoti Benjamin u shpreh se “NDI e ka mbështetur vazhdimisht KQZ-në që kur ajo është krijuar”. Ai theksoi se gjatë viteve të fundit, NDI ka kontribuar në procesin parazgjedhor për të arritur standardet ndërkombëtare. Benjamin ka shprehur mbështetjen e NDI për reformën politike, si një faktor pozitiv në rritjen e transparencës, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që të dëgjohen e merren parasysh të gjitha grupet e interesit për nevojat që kanë dhe vështirësitë e partive politike. “Partitë politike janë faktorët kyçë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në mars të vitit të ardhshëm, do të vijnë ekspertë dhe vëzhgues në Shqipëri të cilët do të hartojnë raporte në lidhje me procesin zgjedhor në vendin tonë”, tha Benjamin. Përfaqësuesja e NDI, Ana Kadoviç, ka shprehur gatishmërinë e NDI për të ndihmuar KQZ në procesin parazgjedhor dhe vlerësoi si shumë të rëndësishëm besimin dhe kontributin e partive politike, shoqërisë civile dhe mediave në zgjedhjet e vitit 2013. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ka deklaruar se koha deri në datën e zgjedhjeve është shumë e shkurtër dhe se nuk mund të realizohen të gjitha trajnimet e ofruara nga asistenca ndërkombëtare. Ai shprehu dëshirën që kjo asistencë të vazhdojë edhe pas procesit zgjedhor, pasi do ishte e vlefshme për të pasur një administratë sa më produktive dhe të kualifikuar. Edhe përfaqësuesit e NDI shprehën gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim edhe paszgjedhor.