Ish-komandanti i gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ka pranuar sot përpara togave të zeza se në 21 janar ka qëlluar me armën e shërbimit, por sipas tij është qëlluar në ajër dhe asnjëherë mbi turmën. Prendi ka deklaruar në seancën e sotme të procesit të nisur për ngjarjet e 21 janarit, ku katër persona u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, ka pranuar se në fillim është qëlluar me plumba manovër, e më pas garda është detyruar të qëllojë me fishekë luftarakë në ajër.
“Zbatuam ligjin për Gardën. Kishin informacione se do të sulmohej eskorta e kryeministrit, presidentit dhe selia e kryeministrisë”, ka pretenduar Prendi gjatë dëshmisë së tij. Ish-kreu i Gardës ka deklaruar se ky informacion nuk u ka ardhur nga SHISH, por nga burime të tjera pa i saktësuar se cilat ishin. Për afro një orë Prendi ka dhënë përpara togave të zeza detaje për ngjarjet e 21 janarit, ku shpjeguar rolin e tij dhe të efektivëve që ai drejtonte. Në dëshminë e tij, ish-kreu i Gardës deklaroi se në momentin që ra kordoni i policisë ai kontaktoi me ministrin e Brendshëm të saj kohe, Lulzim Basha për të rivendosur kordonin, që do të ndihmonte jo pak forcat e Gardës që ishin vendosur në brendësi të godinës së kryeministrisë.
“Ne kishim dhënë urdhër të qëllohej me fishekë manovër dhe nëse do të përfundonin këta fishekë ishte dhënë urdhër të qëllohej në ajër me fishekë luftarakë. Kam qëlluar në ajër edhe me armën time të brezit, por më pas jam goditur dhe kam rënë pa ndjenja.”- deklaroi ish-kreu i Gardës.
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi po përballet me akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj dhe prova më e fortë që ka në duar Prokuroria kundër tij, është akti i ekspertimit të Byrosë Federale të Hetimeve.
Agim Llupo, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, akuzohet për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi, akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Për të njëjtën akuzë u morr i pandehur dhe Armando Kasaj, specialist i IT në Këshillin e Ministrave, i cili dyshohej se kishte kopjuar dhe më pas fshirë pamjet e serverit qendror të godinës së qeverisë. Disa javë më parë Kasaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.
12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
