Udhëzimi i Tahirit: Pasardhësit e familjeve të shquara, vetëm pas miratimit të historianëve
Herion Mesi
Pinjollët e familjeve të shquara në shkallë kombëtare apo të mirënjohura në zonat e tyre ku kanë vendbanimin, që duan të ndryshojnë emrat apo mbiemrat e tyre, duhet që të marrin më parë miratimin e historianëve. Është ky thelbi i udhëzimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtuar të gjitha drejtorive të gjendjes civile në qarqe, të cilat udhëzohen që të depozitojnë emrat dhe mbiemrat e personave që rrjedhin nga familjet e shquara në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, si institucioni përgjegjës për përditësimin e listës me emrat e personave të këtyre familjeve. Sipas udhëzimit, kjo listë, fillimisht, do të gjenerohet në bazë të mendimeve respektive të dërguara nga institucionet kompetente, të specializuara, bashkëpunuese në këtë proces, si Qendra e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi dhe dega Histori, si dhe në bazë të përgjigjeve të kthyera nga këto institucione për kërkesat e paraqitura nga prefektët rast pas rasti. “Për çdo emër të klasifikuar në kategoritë e sipërpërmendura, institucioni i prefektit të qarkut do të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile”, thuhet në udhëzimin numër 91 të Ministrisë së Brendshme.
Udhëzimi
Në udhëzimin e tij që mban datën 2 prill të këtij viti, Ministria e Brendshme përcakton rregullat dhe veprimet që duhet të kryejë nëpunësi i zyrës së gjendjes civile lidhur me përcaktueshmërinë e emrave/mbiemrave të konsideruar të papërshtatshëm dhe të atyre me rëndësi historike, të familjeve të shquara në shkallë kombëtare apo të mirënjohura në bashkinë apo komunën ku ka vendbanimin personi i interesuar. “Pasi bindet për ligjshmërinë e kësaj kërkese, për sa i përket arsyetimit të parashikuar nga ligjvënësi, kërkesë e cila duhet të bëhet vetëm për shkaqe papërshtatshmërie, i dërgon brenda 60 ditëve praktikën përkatëse institucionit të prefektit të qarkut, nën juridiksionin e të cilit ndodhet bashkia/njësia bashkiake/komuna, së bashku me njoftimin përkatës, në të cilin duhet të jetë specifikuar emri/mbiemri i kërkuesit, si dhe të dhënën e re (emër/mbiemër) që kërkon të marrë i interesuari në bazë të kërkesës së tij”, thuhet në pikën 1 të këtij udhëzimi. Me marrjen e këtij njoftimi, institucioni i prefektit të qarkut nis procedurën me karakter verifikues, në bazë të listës së vënë në dispozicion për emrat e papërshtatshëm dhe të emrave me rëndësi historike, të familjeve të shquara në shkallë kombëtare dhe lokale. Në këtë kuadër, “ky institucion mund të ndërmarrë edhe iniciativa të mëtejshme konsultimi, për çdo (emër, mbiemër) që nuk është i përfshirë në listë, në kushtet kur gjykohet prej tij, se mund t’i përkasë njërës prej kategorive të sipërpërmendura. Kjo procedurë mund të vijojë rast pas rasti, me institucionet e posaçme kompetente për rastet e papërshtatshmërisë dhe të emrave me rëndësi historike, të familjeve të shquara në shkallë kombëtare”, udhëzon Ministria e Brendshme. Pasi të ketë përfunduar ky proces dhe të jenë mbledhur përgjigjet e institucioneve përkatëse, në rastet kur emri/mbiemri i ri nuk bën pjesë në kufizimet e paracaktuara ligjore, në pikën 2 të udhëzimit, ministria thekson se për të interesuarin, do të vijohet me fazat e mëtejshme të miratimit. “Në rast të kundërt, nëpërmjet zyrës së gjendjes civile, të interesuarit do t’i kërkohet përcaktimi i një emri/mbiemri të ri, për të cilin duhet të ndiqet përsëri e njëjta procedurë, si në pikën 1 të këtij udhëzimi”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme.
Konsultimet
Lista e personave të interesuar për të ndryshuar emrat apo mbiemrat e tyre dhe që u përkasin familjeve të shquara, fillimisht do të gjenerohet në bazë të mendimeve respektive të dërguara nga institucionet kompetente, të specializuara, bashkëpunuese në këtë proces, si: Qendra e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi dhe dega Histori, si dhe në bazë të përgjigjeve të kthyera nga këto institucione për kërkesat e paraqitura nga prefektët rast pas rasti.
Prefekti
Ky institucion mund të ndërmarrë edhe iniciativa të mëtejshme konsultimi, për çdo (emër, mbiemër) që nuk është i përfshirë në listë, në kushtet kur gjykohet prej tij, se mund t’i përkasë njërës prej kategorive të sipërpërmendura.
Procedura
Ndryshimi i emrit mund të ndalohet nga personat e tretë
Të gjithë personat që, për arsye të ndryshme duan të ndryshojnë emrin apo mbiemrin, duhet që me ndryshimin e identitetit të tyre të mos cenohen persona të tretë. Me anë të një udhëzimi drejtuar zyrave të gjendjes civile në qarqe, për miratimin e formës dhe përmbajtjes së shpalljes, për kërkesën e ndryshimit të emrit apo mbiemrit, Ministria e Brendshme thekson se çdo person i tretë mund të kundërshtojë kërkesën për ndryshim të emrit apo mbiemrit të ndonjë personi, në rast se mund t’i preken interesat e tij pikërisht nga ky ndryshim identiteti. “Çdo person i tretë mund të kundërshtojë kërkesën për marrjen e emrit apo mbiemrit të ri, në rast se mund të preken interesat e tij, brenda afatit prej 45 (dyzetepesë) ditësh, nga dita e fundit e afishimit të shpalljes”, thuhet në udhëzimin e ministrisë. Më tej ajo sqaron se forma dhe përmbajtja e shpalljes për kërkesën e ndryshimit të emrit apo mbiemrit, e cila duhet t’u njoftohet nëpërmjet publikimit, personave të interesuar për ndryshimin e emrit/mbiemrit të kërkuesit apo atyre personave që mund të preken nga ndryshimi i kërkuar, duhet të jetë sipas modelit, bashkëlidhur këtij udhëzimi, i cili parashikon dhe moslejimin e ndryshimit të emrit nga persona të tretë. Më pas, prefekti, pasi kryen verifikimet mbi dosjen dhe çmon se janë përmbushur kërkesat dhe procedurat e ligjit për gjendjen civile, për sa i përket ndryshimit të emrit apo mbiemrit, për shkak të papërshtatshmërisë, “urdhëron afishimin e shpalljes së kërkesës në zyrën e gjendjes civile ku është paraqitur kërkesa dhe ku kërkuesi ka vendbanimin, si dhe në dy prej gazetave dhe/ose në Fletoren Zyrtare, për një periudhë prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh”, thuhet në udhëzimin nr. 90 të datës 2 prill 2014. Për zbatimin e këtij udhëzimi, ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, prefekti i qarkut, nëpunësit e zyrave të gjendjes civile në bashki apo njësi bashkiake, komuna dhe në degët e qarkut.