keshilli-bashiak-1PD: Absurde një gjë e tillë. Kryebashkiaku: E vuri kryekomunari për Zenin


Një tjetër çështje që ngjalli debat në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ishte ajo e taksave. Me ndryshimet e bëra, tashmë do të taksohen ata që mbajnë një qen luksi. Kjo është e përcaktuar qartë në projektvendim për taksat, që u miratua ditën e djeshme. Këshilltarët e djathtë i kanë konsideruar taksat dhe tarifat ekzistuese nëpër komuna si taksa shtesë të bëra nga bashkia e re. Debat ka ngjallur taksa e qenve të luksit, e cila ishte vjelë deri më tani në Komunën Farkë. Këshilli vendosi që kjo taksë të aplikohet sërish vetëm për Farkën. Këshilltari Akil Kraja e vuri në dukje këtë, duke e cilësuar si absurde dhe të pabazë. “Në dokument është përcaktuar edhe një tarifë për mbajtjen e qenve të luksit. Tarifë për mbajtjen e qenve të luksit? A ka pasur një arsyetim juridik. Kush është përkufizimi i qenve të luksit? Ku është inventarizimi i qenve të luksit? Cili do të jetë institucioni që do të masë kush është qen luksi? Ky është një argument antikushtetues”, tha ai. Ai kërkoi që të hiqet taksa e qenit të luksit. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Erion Veliaj iu përgjigj duke theksuar se nuk ka tërheqje prapa dhe kush ka mundësi të mbajë qen, do të paguajë edhe taksa. “Kjo taksa e qenit të luksit është një taksë e Bardh Plakut të Komunës Farkë. E ka vënë për banorë si këtij banorit Shkëlzen Berisha. Ai ka paguar taksë për tre qen te Bardh Plaku. E kanë vënë udhëheqësit legjendarë të partisë tuaj. Po filloj t’i jap pak të drejtë Bardh Plakut edhe pse taksa tingëllon qesharake. Për sa kohë që qytetarë si Shkëlzen Berisha, i kanë paguar kryetarit të komunës, Bardh Plaku, që e ka parë si barrë financiare pastrimin e qenve të Zenit, ne nuk do të bëjmë rimbursim. Ne do ta kalojmë këtë taksë siç është për Farkën dhe për ata njerëz që Bardh Plaku ka menduar se kanë mundësi të paguajnë”, pohoi Veliaj. Taksat e diferencuara për banorë të zonave të ndryshme në Tiranë kanë ngjallur debate në këshill, por pavarësisht kësaj, me votat e mazhorancës ka kaluar. Ndaj këtyre debateve ka reaguar dhe djali ish-kryeministrit Sali Berisha. “Që zogu u emërua kryetar për të dalë nga foleja vetëm atëherë kur zbërthehet Rama në Tiranë e dinë të gjithë, i madh e i vogël, por së fundmi këtë e kanë mësuar edhe kafshët shtëpiake. Reksi p.sh., pavarësisht taksës dhe kontekstit, ishte shumë i lumtur që u bë qeni i parë në gjithë historinë e qytetit që përmendet nga kryetari gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. U përpoqa pa sukses t’i shpjegoj se nuk duhet të ndihet i privilegjuar, pasi ai që e përmendi nuk është kryetari i vërtetë, por zogu i tij, por nuk bindej. Më në fund ia thashë troç, kryetari i vërtetë merr vendimet e mëdha dhe ‘taksën’ për katet e pallatet, ky që të përmend ty merr vetëm taksën për kafshët dhe hallatet që ndotin monumentin e pavarësisë te parku Rinia”, reagoi Shkëlzen Berisha.