Interpoli kërkon ndihmën e policisë shqiptare për gjetjen e Shaqir Matmujës nga Kukësi


Nëna vë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që ka informacion mbi vendndodhjen e dy fëmijëve



Divorci me bashkëshortin ka sjellë ndarjen e një nëne edhe me dy fëmijët e saj të mitur, të cilët prej tre vitesh janë shpallur në kërkim nga Interpoli, por që nuk gjenden në asnjë vend. Dyshimet janë se fëmijët fshihen mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi burri ia ka rrëmbyer të shoqes dy fëmijët për herë të dytë, sapo gjykata i kishte dhënë të drejtë asaj për kujdestarinë e tyre. Historia është zhvilluar mes Shqipërisë dhe Austrisë, ku jetonte çifti shqiptar, ndërkohë që është kërkuar edhe ndihma e policisë së vendit tonë, e cila shprehet se nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e babait “rrëmbyes”. Madje, ka edhe ndërmjetësimin e Interpolit dhe ambasadës austriake në vendin tonë, por policia shqiptare sërish nuk ka asnjë përgjigje për vendndodhjen e tyre.


Historia


Sipas informacioneve, dy fëmijët e zhdukur, Isa dhe Mirjeta Matmuja, tashmë duhet të jenë 6 dhe 8 vjeç, dhe e gjithë historia është denoncuar nga nëna e tyre, Anila Nela, e cila tashmë mban mbiemrin e vajzërisë. Historia e saj është thuajse e njëjtë me mjaft vajza shqiptare dhe zë fill rreth 9 vjet më parë, kur familja e saj në Kukës e martoi me shkuesi. Pikërisht në vitin 2004, prindërit e martuan me një djalë po nga Kukësi, por emigrant në Austri. Nga kjo kurorë në vitin 2005 dhe 2007 lindën dy fëmijët Isa dhe Mirjeta Matmuja. Por, marrëdhënia në çift filloi të ftohej dhe burrë e grua, të cilët kishin dy fëmijë, po shkonin drejt divorcit. Në këto kushte fillon odiseja e rrëmbimit të fëmijëve. Pikërisht në vitin 2008, ish-bashkëshorti i Anilës, Shaqir Matmuja, do të largohej nga Shqipëria për në Austri. Me vete ai merr edhe dy fëmijët, ndërkohë që sekuestron dokumentet e Anilës, me qëllim që ajo të mos shkonte në Austri për ta ndjekur nga pas. Por, me ndërhyrje të ndryshme në ambasadë, por edhe në rrugë private, duke kërkuar të gjente fëmijët, pasi bashkëshorti i saj nuk i përgjigjej më, Anila arrin të shkojë në Austri, ku mësohet se ka hapur një proces gjyqësor për fëmijët “e rrëmbyer” nga babai i tyre.


Rrëmbimi i dytë


Pas disa seancash, gjykata austriake vendos që fëmijët të lihen nën kujdestarinë e nënës. Kur ajo mendon se gjithçka përfundoi, për të filloi një tjetër kalvar kërkimesh. Menjëherë pas vendimit, pikërisht në vitin 2010, Shaqir Matmuja merr dy fëmijët dhe largohet pa adresë. Menjëherë policia e shpalli në kërkim dhe arriti të zbulonte se ai kishte udhëtuar drejt Kosovës. Në këto kushte, policia austriake e shpall në kërkim ndërkombëtar babanë e fëmijëve. Por, pavarësisht denoncimit për rrëmbimin e fëmijëve, Shaqir Matmuja ka kaluar me identitetin e tij në pikat e kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri rregullisht deri më 18 janar të vitit 2011. Kjo nuk dihet si ka ndodhur, por policia shqiptare duket se nuk e kishte administruar këtë urdhër kërkimi. Për gjetjen e fëmijëve u angazhua edhe ambasada austriake, me takime të njëpasnjëshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, mund i cili deri tashmë është i shkuar dëm, pasi nuk është gjetur as rrëmbyesi dhe as dy fëmijët e rrëmbyer.


Kërkimi i policisë


Burime nga policia shprehen se kërkimi për këtë person vazhdon prej disa kohësh, por nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tij. Madje, policia shprehet se ka dyshime se ai mund të ketë ndryshuar identitetin, kështu që janë kërkuar informacione nga gjendja civile për të mësuar identitetin e tij të ri. I njëjti informacion u është kërkuar edhe gjykatave, por që ende nuk ka një përgjigje. Megjithatë policia duket më shumë në pritje të ndonjë arrestimi të rastësishëm gjatë ndonjë kontrolli, sesa po kryen ndonjë hetim të mirëfilltë që mund të zbulonte vendndodhjen e dy fëmijëve të rrëmbyer të Anilës. E ëma e fëmijëve ka vendosur edhe 10 mijë euro shpërblim për ata që kanë informacione për fëmijët, duke lënë edhe një mesazh në rrjetin social “YouTube”.