KQZ – Në fillim të këtij viti, Parlamenti miratoi anëtarët e rinj të KQZ-së, ku PD-ja ka 3 anëtarë, PS-ja 2, LSI-ja 1 dhe PBDNJ-ja 1 anëtar
Ndarja – Balanca: 3 anëtarë i ka partia e parë e mazhorancës, 1 partia e dytë, 2 partia e madhe e opozitës, 1 partia e dytë e opozitës
Absurdi – LSI-ja është larguar nga qeveria, por PBDNJ-ja nuk ka firmosur një pakt me opozitën. Pra s’ka balancë nëse shkarkohet anëtari i LSI-së
Numrat – Miratimi i shkarkimit të anëtarit të KQZ-së duhet të bëhet sot në seancë plenare me shumicë të thjeshtë prej 71 votash
Ndërkombëtarët – Gjatë ditës së sotme pritet edhe një reagim nga ndërkombëtarët, të cilëve u është drejtuar me një letër nga ana e LSI-së
Kodi – Sipas Kodit Zgjedhor, anëtarët e KQZ-së nuk mund të shkarkohen apo emërohen nga kërkesat e partive politike
Opozita
Palët diskutojnë një draft që do të miratohet nga forumet
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste po intensifikon negociatat me Aleancën Kuqezi, për të bërë të mundur bashkimin edhe të kësaj partie në koalicionin opozitar të drejtuar nga Edi Rama. Burimet bëjnë të ditur se negociatat e nisura prej kohësh tashmë janë drejt një pike kulmore të tyre dhe ka mjaft gjasa që të arrihet në një marrëveshje mes këtyre partive, për sa i përket bashkëpunimit për zgjedhjet e 23 qershorit. Por, pavarësisht këtyre negociatave që po veprojnë në mënyrë jo publike, ditët e fundit krerët e këtyre dy partive kanë shkëmbyer replika në distancë, ku të forta dhe ku ironike, por asnjëherë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi parazgjedhor. Këtë negocim po e kryen një deputet shumë i rëndësishëm i PS-së dhe anëtar i kryesisë, i cili ka kryer edhe negociatat finale me LSI-në. Burimet bëjnë të ditur se në fillimin e javës së ardhshme, një marrëveshje bashkëpunimi mund të konkretizohet në kushtet, kur data 23 prill shënon dhe afatin e fundit ligjor në të cilin partitë duhet të depozitojnë përbërjen e koalicioneve të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
PS
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mënyrë të përsëritur ka theksuar se partia që ai drejton është e hapur për sa i përket një koalicioni parazgjedhor me AKZ-në e Kreshnik Spahiut. Rama ka theksuar se është e udhës që të gjitha forcat antiqeveritare në vend të bashkohen në një front të përbashkët opozitar dhe për këtë AKZ-ja është e mirëpritur të marrë pjesë. Rama në muajt e fundit ka qenë i ekuilibruar në qëndrimet e tij ndaj kreut të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, por ditët e fundit, mbase edhe për shkak të tensionit elektoral në rritje, mësohet se i ka lënë 10 ditë kohë AKZ-së për të vendosur në lidhje me aleancën e saj me PS-në, duke rritur dhe tonet ndaj kryetarit të kësaj partie, Spahiut.
AKZ
Kreshnik Spahiu e ka nisur fushatën e tij zgjedhore duke i cilësuar njësoj përgjegjëse dy partitë e mëdha në vend, Partinë Demokratike dhe atë Socialiste. Por pavarësisht kësaj, kreu i AKZ-së nuk ka harruar të theksojë se për situatën në tetë vitet e fundit përgjegjësia kryesore për degradimin e vendit në shumë aspekte është PD-ja e Sali Berishës. Në këtë kuadër ai ka theksuar se AKZ-ja përjashton në mënyrë përfundimtare aleancën me PD-në e Berishën, por nuk e ka përjashtuar një bashkëpunim të mundshëm me PS-në e Edi Ramës, gjithsesi pa dhënë specifikime në lidhje me llojin e aleancës që mund të lidhet në funksion të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, dje Spahiu i është përgjigjur dhe atij që mund të quhet ultimatumi të Ramës për të qenë bashkë në një koalicion parazgjedhor. “Partia Socialiste ka lënë edhe 10 ditë kohë për vendimin për koalicionet. Pas 10 ditësh, Rama, o trëndafil, o karafil”, ironizoi dje nga Shkodra, Kreshnik Spahiu, por pa lënë të kuptohej sesi do t’i përgjigjej ftesës së hapur të PS-së në lidhje me këtë çështje. Në rast se AKZ-ja nuk do të pranojë këtë ftesë të PS-së, atëherë opsioni i kësaj partie është që të dalë në zgjedhje si pjesë e një poli të qendrës që mund të krijohet nga forca politike, të cilat nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në asnjë nga koalicionet e drejtuara prej partive të mëdha.
F.Mejdini