Fajon Edi ramaEurodeputetja dhe Kryeministri Rama flasin për procesin e integrimit


Kryeministri Edi Rama dhe europarlamentarja Tanja Fajon morën pjesë të mërkurën pasdite në takimin “Brezat e rinj, Europa e bashkuar”, ku në fokus të të cilit ishin sfidat e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, tha se “mund të themi shumë për Europën për burokracinë e Brukselit, për aspekte që janë dhe groteske, por një gjë me siguri mund ta themi se, pa procesin e integrimit, Shqipëria do ta kishte të pamundur për të gjitha hapat që ka hedhur dhe do ta kishte të pamundur të synonte të bëhej një vend modern dhe që të ndërtonte një shtet normal”. Në vijim, Kryeministri Rama tha se “jemi një vend shumë i dyshimtë nga pikëpamja e shtetit dhe shumë të dobët dhe shumë të rinj nga pikëpamja e institucioneve dhe për këtë arsye procesi është shumë i vështirë se për shumë të tjerë. Unë besoj fort që çfarë do të themi për Europën, nuk ka as gjë më të mirë se Bashkimi Europian që mund të projektoj, apo të paktën të ketë projektuar deri më sot mendja e njeriut për krijimin e kushteve për një bashkëjetesë që funksionoi dhe që krijon mirëqenie në një kontinent si kontinenti ynë”, tha Rama. Ndërsa europarlamentarja Tanja Fajon, vlerësoi se, Shqipëria ka bërë progres në këtë rrugë dhe pa asnjë dyshim ka vendin në BE. “Dëshmoni sa më shumë të mundeni që këtë vit ta arrini më shumë. Ne po përpiqemi t’ju mbështesim së bashku me kolegët në PE për hapjen e negociatave. Europa është ndonjëherë e paqartë, por ky është momenti për të qenë të fortë dhe për të qenë bashkë. Ju keni arritur rezultate mjaft domethënëse gjatë vitit të kaluar në 5 pikat kryesore dhe mesazhi im është të bëni më shumë. Ne po përpiqemi t’ju mbështesim bashkë me kolegët e Parlamentit Europian”, tha Fajon. Ajo nënvizoi se, pavarësisht paqartësive të cilat dominojnë sot në BE, vendi i Shqipërisë në të është i padiskutueshëm dhe kjo në interes të vetë bllokut 27 anëtarësh. “Për mua, Shqipëria ka qenë dhe është pjesë e Europës. I duhemi njëri-tjetrit. Situata e sotme që po përjetojmë, nga njëra krizë në tjetrën, është diçka që në fund të ditës asnjë vend në Europë nuk mund t’i zgjidhë i vetëm. Unë do të jem në anën tuaj”, shtoi Fajon. Europarlamentarja ndërkohë shprehu shqetësimin e saj se një pjesë e të rinjve u larguan për të emigruar jashtë Shqipërisë. “Jam e shqetësuar që vitin e kaluar shumë të rinj janë larguar nga vendit, por jam e lumtur kur të rinj shqiptarë, studentë apo nxënës vizitojnë PE për t’u treguar vlerat europiane. Shpresoj se situata e sotme që ne po përjetojmë, nga një krizë në tjetrën është diçka që në fund të ditës asnjë vend i Europës nuk mund ta zgjidhë i vetëm. Shpresoj që Shqipëria ta hedhë këtë hap të rëndësishëm këtë vit dhe të jetë fillesa për anëtarësim. Duke qenë europarlamentare, duke qenë mike e Shqipërisë dhe duke ardhur nga Sllovenia, pra për këto tri arsye do të jemi në anën tuaj”, theksoi Fajon.