Apeli
Lumturi Lamaj, 71 vjeçe në ditën e Dëshmorëve të Kombit bën thirrje për zbardhjen e vrasjes së ish-kryekomisarit
Mariglen Mullai
Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet qëkur ia vranë djalin në derë të shtëpisë, 71-vjeçarja Lumturi Lamaj zgjodhi ditën e Dëshmorëve për të lëshuar apelin më të fuqishëm dhe përfaqësues të familjes së Dritan Lamajt. Me frazat “Duhet të shikohet më shumë puna e Dritanit” dhe paralajmërimit se “Po nuk e zbardhi shteti këtë çështje, do të shkoj në Hagë për drejtësi”, fjala e saj goditi fort në ndërgjegjen e kolegëve të të birit, por më shumë la një shije kuraje kundrejt shurdhërisë së drejtësisë shqiptare. Apeli i Lumturie Lamajt, në prononcimin e saj të parë për këtë çështje pason thirrjen kumbuese të bashkëshortes të ish-kryekomisarit, Anila Lamaj. Në fillimprill të këtij viti, pak orë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda liroi Arben Frrokun nga burgu dhe nga akuzat për vrasjen e të shoqit, ajo shkruante në një status në Facebook se “Kam pyetje për të cilat nuk kam përgjigje, por unë jam këtu pasi jeta ime nuk ka përfunduar ende dhe herët a vonë do të vijë edhe dita ime e fitores, sepse unë nuk dorëzohem kurrë”. Pra “drejtësi ose ndryshe Haga” dhe “Nuk dorëzohem kurrë” përbëjnë 2 thirrje të mjaftueshme për çdokënd që është i përfshirë në dosjen “Lamaj”.
Skura – Djali i Skurës tha se “Pesha e mallit është e pamasë për të gjithë ne, pasi ata ishin më të mirët, por kjo dhimbje lehtësohet disi teksa jemi së bashku dhe ndiejmë vlerësimin që i bëhet veprës së të afërmve tanë”
Gjebrea – Zv/ministrja e Punëve të Brendshme evidentoi vëmendjen e veçantë që qeveria shqiptare dhe ministria kanë ndaj familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës
Kryepolici – Çako zhvilloi vizita pranë familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, punonjës të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe zhvilloi vizita homazhe dhe vendosi kurora me lule
Përkujtimet – Aktivitetet në përkujtim të të rënëve të Policisë së Shtetit, janë shtrirë në të gjithë vendin, ku drejtues dhe efektivë të strukturave të Policisë së Shtetit kanë vendosur kurora me lule
Fjala e nënës
Lumturi Lamaj, nëna e ish-kryekomisarit, në fjalën e saj u shpreh se “Kam qenë brez pas brezi familje shembullore. Kam rritur katër fëmijë me sakrifica. Tani që ishte kryekomisar m’u vra. Kam respekt për Policinë e Shtetit për Policinë e Tiranës dhe Ministrinë e Brendshme”. Në lidhje me reagimin e familjes, ajo tha se “Unë nuk vras dot njeri. Unë kam dy vjet dhe ia kam lënë shtetit, megjithatë ju lutem më falni juve që merrni pjesë këtu që jeni drejtues, duhet të shikohet më shumë puna e Dritanit”. Për pjesën e drejtësisë, 71-vjeçarja u shpreh se “Kam marrë kontakt me policinë e Tiranës dhe me inspektorin e ministrit të Brendshëm, pasi Saimir Tahirin nuk e kam gjetur, në radhë të parë kam takuar një tjetër, kam vajtur dy herë. Shtëpinë po nuk e rregulloi dot i zoti nuk e rregullon dot miku. Në rast se shteti shqiptar nuk e zbardh çështjen e Dritanit, unë si nëna e tij 71-vjeçare do iki në Gjykatën e Hagës për drejtësi. Më kuptoni mirë. Por do pres shtetin shqiptar akoma”. Më 23 shkurt të vitit 2013, kur mori lajmin se nga një “Fuoristradë” u lëshuan dhjetëra plumba kallashnikovi, afër “Vasil Shantos”, prej të cilave mbeti i vrarë Dritan Lamaj, nënës së tij i ra të fikët, ndërsa e shoqja u shtrua urgjent në spital. Prej asaj kohe ato kanë preferuar të heshtnin, duke lënë të kuptohet se gjithçka ia kishin lënë në dorë drejtësisë. Më herët, në kulmin e fushatës së goditjes së figurës së Dritan Lamajt, kur shpërndaheshin fletushka në rrugë dhe liheshin në xhamat e makinave, Lumturi Lamaj pati probleme shëndetësore. Kështu, Dritan Lamaj paditi në gjykatë ideatorët e sulmeve denigruese ndaj figurës së tij, të cilët kanë hedhur fletushka në rrugë, madje edhe me portretin e tij. Pas këtyre sulmeve, kryekomisarit iu sëmur edhe nëna, ndërsa ai bëri padi në Gjykatën e Tiranës.
Ceremonia
Në ceremoninë e djeshme ishin të pranishëm zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, familjarë të të rënëve të policisë etj. Çako u shpreh se “Përkujtimi i sakrificës së tyre është njëkohësisht vlerësim dhe mirënjohje për misionin dhe idealin e tyre, për të cilin ata ishin betuar se do i shërbenin, por është edhe lartësim i kurajës, guximit dhe vendosmërisë së treguar, për të luftuar deri në fund dhe pa kompromis me krimin.
Sot ata janë heronjtë e vërtetë të ditëve tona, shembuj frymëzimi dhe motivimi për të gjithë ne, pasi sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, për ta bërë këtë vend më të sigurt për të jetuar dhe punuar”. Për vitin akademik 2014-2015 janë 46 djem e vajza, që vazhdojnë studimet e larta, si dhe 22 të tjerë që janë pranuar në “Shkollën Bazë të Policisë. Sipas Çakos, emrat e të 212 punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, si asnjë institucion apo organizatë tjetër, janë skalitur në murin e kujtesës. Në emër të familjarëve të të rënëve të policisë, djali i dëshmorit Musa Skura, shprehu falënderimet për mbështetjen dhe vlerësimin që u bëhet baballarëve të tyre dhe familjarëve të të rënëve.
Gjykata
Lirimi i Arben Frrokut, në fillim të prillit
Pas rreth dy vitesh në paraburgim dhe 48 seanca gjyqësore, Arben Frroku, i cili dyshohej për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj fitoi pafajësinë. Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në cilësinë e kryesuesit të 5 gjyqtarëve në seancën pranë krimeve të rënda, Dritan Hallunaj, rrëzoi provat e akuzës. Ndër këto prova ishin dëshmia e personit të mbrojtur, eksperimenti kohor, përgjimet telefonike, alibia se Frroku ndërroi makinë pas vrasjes. Prokurorët e çështjes komentuan vendimin e gjykatës, duke u shprehur se gjykata ka interpretuar në mënyrë të njëanshme provat e marra gjatë hetimit, pasi tri kamerat e sigurisë sipas prokurorëve nuk shfaqin të gjithë zonën të mbuluar e për pasojë edhe gjykata aludon, thotë akuza, kur shprehet se dëshmitari Arben Ndoka ka mbërritur me vonesë.