Durrës


Krimi i rëndë dyshohet për “mbyllje goje”


Fatmire Habili, nëna e viktimës Elvis Dedaj, u vra me mjete të mprehta pranë makinës së saj


 


Vali Qyrfyçi


vrasjaPak më shumë se një vit më parë, asaj i vranë të birin. Ai ishte në kërkim për trafik droge dhe policia tha se pazaret mes trafikantëve dyshohet se sollën atentatin ndaj tij. Nëna e tij, e bindur se e dinte se cilët ishin vrasësit e djalit të saj të vetëm, kishte filluar të përmendë emra dhe të kërkojë pasuritë e të birit. E pikërisht për këtë arsye, ata që ishin të lidhur me aktivitetin e të birit apo edhe me vrasjen e tij, dyshohet se i kanë mbyllur gojën asaj njëherë e përgjithmonë, duke sjellë terror e panik te njerëzit, ku lufta për pazaret e drogës tashmë nuk po vret vetëm ata që janë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, por edhe familjarët e tyre. Bëhet fjalë për Fatmire Habilin, 60 vjeçe, nëna e Elvis Dedajt, e cila dje u gjet e vrarë me mjete prerëse në garazhin e pallatit të saj në Durrës. Dyshimet e para të policisë janë për një vrasje me paramendim ose për një vjedhje me pasojë vdekjen e saj, megjithëse pista e dytë është më e zbehtë, duke pasur parasysh edhe informacionet mbi viktimën dhe djalin e saj.


Ngjarja


Burimet nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se gruaja ka qenë në garazhin e pallatit të saj, në lagjen nr. 3 të qytetit, kur është goditur pas koke dhe ka gjetur vdekjen pa pasur mundësi të marrë ndihmë mjekësore. Kështu konkluduan paraprakisht anëtarë të grupit hetimor. Shtetasja Fatmire Habili (Dedaj), 60 vjeçe, u gjet nga fqinjët e saj e vdekur në garazhin e pallatit ku ajo jetonte. Gruaja ishte pranë automjetit të saj, e mbytur në një pellg gjaku në pjesën e kokës. Nuk dihet nëse ka mundur ta shohë fytyrën e vrasësit të saj apo ka lënguar e vetme pas goditjes fatale, pa kuptuar realisht se çfarë i ndodhi. Me t’u njoftuar, policia ka kryer veprimet e para përmes marrjes së dëshmive dhe ka fiksuar gjithçka që mund të përbëjë provë në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e kufomës është konstatuar se viktima ka plagë në pjesën e pasme të kokës të shkaktuara nga goditje me mjete të mprehta.


Hetimet


Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur këtë krim. Fillimisht, pas identifikimit të viktimës, ka rezultuar se ajo është nëna e 36-vjeçarit Elvis Dedaj, që u vra mbrëmjen e 5 qershorit të vitit të kaluar në një pritë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Dedaj ishte person i shpallur në kërkim nga Interpoli për llogari të drejtësisë belge, ku akuzohej për trafik narkotikësh. Në këto kushte, policia ka ngritur hetimet se ajo mund të jetë vrarë për aktivitetin e të birit ose për ndonjë grabitje të mundshme. Në lidhje me grabitjen, policia tha se në vendin e ngjarjes nuk është vënë re ndonjë shenjë e dyshimtë, por kjo mbase ka ndodhur edhe për faktin se pasi kanë qëlluar viktimën, autorët janë larguar me vrap nga frika. Ndërsa për një vrasje të mundshme me paramendim, policia ka mbledhur një sërë informacionesh edhe nga të njohurit e viktimës.


I biri


Sipas të dhënave policore, pas vrasjes së të birit, 60-vjeçarja, e cila ka punuar më parë si infermiere në Kavajë, ka kontaktuar me një biznes karburantesh, ku i biri mendohet se ka qenë ortak me të tjerët. Madje pronarët e karburantit duket se kanë pasur mosmarrëveshje me nënën e viktimës, kështu që mes tyre ka pasur edhe konflikte. Në këto kushte, policia ka ngritur një nga pistat e hetimit për vrasje me paramendim, ndërkohë që nuk ka lënë jashtë vëmendjes verifikimet nëse djali i saj ka pasur pasuri të tjera dhe ekzekutimi i 60-vjeçares të ketë lidhje me zhdukjen e pronarëve të ligjshëm të tyre. Një tjetër pistë ka të bëjë me mbylljen e gojës së Fatmire Habilit. Nga informacionet e mbledhura rezulton se ajo gjatë bisedave me të njohur kishte përmendur disa emra, duke i akuzuar për vrasjen e djalit të saj. Policia dyshon se ajo mund të ketë pasur informacione të vlefshme dhe të përfshirët në këtë çështje kanë bërë ekzekutimin e saj, me qëllim që mos të zbulohen për vrasjen e parë. Gjithashtu, nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë borxhi që mund të ketë pasur djali i saj gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal në trafikun e drogës dhe që huadhënësit të kenë kërkuar paratë te nëna e tij, si i vetmi familjar i lidhur me të, pasi nuk kishte të afërm të tjerë. Megjithatë, deri në orët e mbrëmjes, policia tha se ka ngritur disa pista, por nuk kishte asnjë informacion mbi ekzekutorët, duke çuar këtë vrasje drejt dosjeve të shumta pa autorët përkatës.


 


Policia


Shpërblim 10 milionë lekë


Në lidhje me vrasjen e Fatmire Habilit, Policia e Durrësit deklaroi se krahas metodave dhe mjeteve që po aplikohen për hetimin e kësaj ngjarjeje, kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e publikut. Konkretisht, për personat të cilët posedojnë dhe japin informacion të vlefshëm lidhur me zbardhjen e këtij krimi, policia ofron 10 milionë lekë (të vjetra), duke vënë në dispozicion numrin e telefonit 0694110336. Policia tha se garantohet konfidencialiteti i plotë i telefonuesve.


 


5 qershor 2012


Atentati te Shkëmbi i Kavajës, Dedaj u qëllua me 60 plumba


Në atë kohë, 36-vjeçari kërkohej nga Belgjika dhe Interpoli për trafik droge


atentati-ndaj-elvis-dedajElvis Dedaj, person i shpallur në kërkim nga Interpoli për krime të lidhura me drogën, u vra më 5 qershor gjatë një atentati te Shkëmbi të Kavajës. Policia bëri të ditur se Dedaj po udhëtonte me mjetin e tij tip BMW, me targa AA 481 CT, ndërsa autorët kanë qëlluar në drejtim të tij me rreth 60 plumba, gëzhojat e të cilëve janë gjetur të përhapur në një sipërfaqe prej rreth 50 metrash dhe në afërsi të mjetit të viktimës. Burime nga policia thanë se dyshohet që autorët e kanë vënë në shënjestër “prenë” e tyre që para se të hynte në rrugë dytësore, pra që në dalje të Kavajës dhe e kanë ndjekur atë deri sa kanë gjetur një vend të përshtatshëm për të kryer atentatin. Para se të kryhej vrasja makinat janë shkëmbyer disa herë me njëra-tjetrën duke manovruar herë pas here, deri në gjetjen e shënjestrës së duhur. Sapo janë futur në rrugë dytësore, në afërsi të zonës së quajtur Shkëmbi i Kavajës, kanë nisur të shtënat, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të mjetit BMW, të drejtuar nga 36-vjeçari i vrarë. Fillimisht viktima është munduar t’u shmanget plumbave, duke manovruar në parakalim dhe duke shtuar shpejtësinë e mjetit. Ndërsa atentatorët, pasi kanë konstatuar rezistencën e 36-vjeçarit, edhe pse makina ishte shpuar disa herë nga plumbat, kanë qëlluar në gomat e mjetit duke i shpuar ato dhe më pas i kanë dalë në krahun paralel të shoferit, duke e qëlluar në trup e duke e lënë të vdekur në vend. Viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe trup, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por “skenari” ka vijuar serinë e tij duke i zhvendosur ngjarjet në një tjetër zonë, rreth 2 km larg vendngjarjes. Autorët e krimit, me qëllim zhdukjen e provave dhe humbjen e gjurmëve, kanë arritur të djegin mjetin e tyre në të cilin kanë kryer gjithë skenën, në një tunel në kodrat e Arapajt në Durrës. Kjo vrasje mbetet edhe sot e pazbardhur, ndërkohë që viktima kërkohej për llogari të Belgjikës, bazuar në një vendim të gjykatës së Antverpit për trafikun e drogës.


 


Tiranë


Atentat për hakmarrje, plumb në bark 54-vjeçarit


Një atentat për hakmarrje i është bërë 54-vjeçarit Bedri Dulla në zonën e Xhamllëkut në Tiranë, ku ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur Dulla ishte duke dalë prej banesës së tij. Mësohet se atentatori ka qëlluar në drejtim të Dullës disa herë, por vetëm një plumb i shkaktoi plagë në trup. Motivi i plagosjes dyshohet se ka të bëjë me një konflikt që Bedri Dulla ka pasur para 6 muajsh, duke plagosur një person. Policia, në bazë të dëshmisë së dhënë nga 54-vjeçari, ka bërë të mundur edhe shoqërimin e një të dyshuari për krimin.


Bedri Dulla nuk e ka pritur hakmarrjen për plagosjen që thuhet prej policisë se ka bërë muaj më parë. Ai ka dalë nga shtëpia për çështjet e tij personale, kur një njeri i pamaskuar i kishte bërë pritë. Thuhet se ekzekutori ka pasur dijeni për të gjitha lëvizjet e Dullës, banesën e tij dhe momentin kur ai hynte dhe dilte nga shtëpia. Sapo atentatori ka parë 54-vjeçarin të dilte nga banesa, i është afruar me armë zjarri në dorë për ta qëlluar disa herë, pa i thënë asnjë fjalë. I plagosuri ka marrë një plumb në bark. Ai është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak nga familjarët e tij. Mjekët nuk kanë humbur kohë, por kanë bërë të mundur ndërhyrjen kirurgjikale, për t’i shpëtuar jetën. Ndonëse prej plagosjes 54-vjeçari mund të ketë pasoja, mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pa humbur kohë, grupi hetimor ka shkuar në spital për të marrë në pyetje të plagosurin, i cili pretendon se ka qenë në gjendje që të bëjë një përshkrim të autorit të krimit. Pas përshkrimit të karakteristikave, policia ka shkuar në banesën e të dyshuarit për plagosjen e Bedri Dullës, duke shoqëruar anëtarët e familjes. Sipas policisë, dyshohet se 54-vjeçari është plagosur nga djali i një personi, që i dëmtuari i djeshëm mendohet se ka plagosur para 6 muajsh. Megjithatë, pavarësisht nga thëniet e policisë se ka shoqëruar një të dyshuar, deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për ndalimin e tij. S. Muça