Intervistë me kreun e Policisë Rrugore, Mit’hat Tola. Vendet ku shihen gjobat, patenta me pikë dhe ndëshkimet e reja


tolaDisiplinimi i drejtuesve të mjeteve, me qëllim shmangien e aksidenteve në rrugë apo arkëtimi maksimal i gjobave, renditen mes prioriteteve të Policisë Rrugore. Çdokush që ka gjoba pa paguar mund të interesohet edhe në komisariatin më të afërt, ku vihet në dijeni rreth detyrimit që ka. Me kalimin e afatit, mjeti sekuestrohet dhe shitet në ankand. Iniciativa e fundit për të rifreskuar të dhënat për vendbanime të shoferëve ka të bëjë me dhënien e lejeve të reja të drejtimit, me qëllim vjeljen e gjobave. Deri më tani, vetëm pak persona i kanë djegur 20 pikët e patentës së tyre. Ndërkaq, bizneset që ofrojnë shërbim me motoçikleta duhet ta pajisin drejtuesin jo më pak se 21 vjeç me kasketë mbrojtëse. Mit’hat Tola, drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore, shpjegon për gazetën “Shqip” disa nga risitë apo masat e fundit në këtë shërbim.


Zoti drejtor, prej pak ditësh Policia Rrugore lëshoi një “ultimatum”, sipas të cilit, që nga 1 shtatori, atyre që brenda tre muajve nuk paguanin qoftë edhe një gjobë të vetme, për shkelje të legjislacionit rrugor, do t’u sekuestrohej mjeti. A ka ndonjë rast sekuestrimi mjeti që nga 1 shtatori dhe nëse po, si mund ta rimarrë mjetin qytetari i ndëshkuar në këtë formë?


Për të qenë të saktë, Policia Rrugore nuk ka lëshuar “ultimatum”, vetëm ka bërë detyrën e saj, duke kujtuar zbatimin e ligjit, dispozitën përkatëse të Kodit Rrugor. Në nenin 203 të Kodit Rrugor (më duhet ta citoj për të mos krijuar “keqkuptime”), sanksionohet fjalë për fjalë: 1. “… Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda pesë ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet dy për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit …”. Duke konsideruar se në muajin shtator 2015 në të gjithë vendin ka filluar një kontroll shumëdimensional kundër informalitetit (edhe në fushën e transportit dhe të qarkullimit të mjeteve) dhe referuar faktit se pothuaj gjithçka në këtë vend transiton dhe qarkullon me mjetet tokësore, u kujdesëm që të kujtojmë dhe njoftojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pronarët që të shlyejnë gjobat e “harruara” dhe të prapambetura, për të mos u gjendur në situatë të paparashikuara. Referuar statistikave të shërbimit të Policisë Rrugore në pikat e “sekuestrimit” dhe të ndalimit administrativ të mjeteve debitore, kanë mbetur mjaft mjete, ku numrin më të madh e zënë motomjetet. Për periudhën nga 1 shtatori 2015 e këtej, do të na duhet të presim afatin tremujor për ato raste kur drejtuesit e mjeteve, të konstatuar në qarkullim si “mjete debitore”, nuk do të kryejnë pagesat përkatëse në bankat e nivelit të dytë ose pranë postës shqiptare. Më tej, nëse ky afat do të tejkalohet pa u kryer pagesa përkatëse, mjeti kundrejt procedurave ligjore kalon në sistemin e Rezervave të Shtetit për t’u shitur në ankand.


Si ka operuar Policia Rrugore në këtë drejtim, sa raste shkelësish kronikë janë evidentuar, si ka qenë rezultati, pra a janë arkëtuar më tepër para? A keni ndonjë këshillë apo mesazh për drejtuesit e mjeteve lidhur me këtë aspekt; a kanë mundësi ata të kontrollojnë gjobat që kanë?


Po e nis përgjigjen nga paragrafi i fundit i pyetjes tuaj:

Të gjithë drejtuesit e mjeteve kanë mundësi të kryejnë kontrollin e gjendjes së gjobave për mjetet e tyre, duke u konsultuar me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al. Duke vendosur targën e mjetit dhe numrin e shasisë në rubrikën e posaçme në këtë faqe web, ata do të njoftohen për numrin e gjobave në ngarkim. Më tej, njoftim tjetër mund të merret më i detajuar pranë sporteleve të komisariateve të policisë, ku edhe mund të merren kopje të printuara të gjobave për çdo rast dhe me to çdo drejtues mjeti mund të konsultohet për kohën dhe vendin kur është ndëshkuar. Këtu më duhet të theksoj se bëhet fjalë për një përqindje mjaft të vogël të totalit të gjobave që vendos Policia Rrugore, kryesisht flitet për gjobat e vendosura në mungesë, për të cilat problematika është e rënduar si rezultat i mungesës së një “adresari elektronik” dhe të lejeqarkullimit të mjeteve me adresa, të cilat nuk përputhen me situatën aktuale të adresimit, të realizuar kohët e fundit pothuajse në të gjitha njësitë vendore. Drejtoria e Policisë Rrugore është duke bashkëpunuar intensivisht me shërbimin e Postës Shqiptare, për të bërë të mundur që njoftimi i drejtuesve të mjeteve në mungesë të kryhet mundësisht në kohë dhe në mënyrë të personalizuar. Për pjesën tjetër të ndëshkimit, atë të drejtpërdrejtë, prej patrullës së Policisë Rrugore ndaj drejtuesve të mjeteve kundërvajtës, “presioni” i Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit në nivel vendor, ka qenë në drejtim të respektimit maksimal të procedurave standard, duke “selektuar” në çdo kohë shkelje të ndryshme që janë burim i shtuar për aksidente rrugore. Në fund, më duhet të kujtoj se në çdo rast, nëse gjoba që ka marrë formë të prerë paguhet nga drejtuesit kundërvajtës brenda një afati pesëditor, ka një ulje të saj prej 20 për qind.


Prej muajsh ka hyrë në fuqi Kodi i ri Rrugor, ku disa shkelje si ajo e hyrjes me semafor të kuq etj., dënohen rëndë. Në fakt, kemi parë që ndëshkimi ka qenë i njëjtë, si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për shoferin e Ministrisë së Brendshme. Sa ka qenë gjoba më e rëndë në këtë kuadër dhe si kanë reaguar drejtuesit e mjeteve; a keni vërejtur pakësim të shkeljeve të këtij lloji?


Shërbimi i Policisë Rrugore për një periudhë dyvjeçare ka arritur që të ketë një kontroll më kapilar të territorit, ka ndëshkuar në mënyrë më të veçuar shkeljet e Kodit Rrugor që janë burim për aksidentet rrugore dhe ka kërkuar në mënyrë të vendosur që masat administrative të vendosura “të vilen” dhe të mblidhen brenda afatit ligjor të përcaktuar, kjo si një masë parandaluese dhe jo qëllim në vetvete. Në momentin që çdo drejtues mjeti “merr mesazh” nga shërbimi i Policisë Rrugore që çdo gjobë e vendosur do të merret me forma dhe me kontrolle të bazuara në dispozitat ligjore, atëherë ata do ta kuptojnë sa e rëndë është “prekja e xhepit” dhe kjo ka çuar dhe do të çojë në një reduktim të shkeljeve rrugore dhe si pasojë edhe një reduktim të numrit të përgjithshëm të aksidenteve rrugore. Besoj se përgjithësisht ka ikur koha e selektivitetit në ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve. Po bëjmë gjithçka që trupa e Policisë Rrugore përpara ligjit t’i konsiderojë të gjithë drejtuesit të barabartë. Dhe besoj se konstatimi juaj është fryt i kësaj pune.


Zoti Tola, si po shkon projekti i patentës me pikë, kur do të nisë të aplikohet dhe ç’parashikon saktësisht kjo metodë e re për shqiptarët?


Në lidhje me vënien në funksionim të sistemit të “lejedrejtimeve me pikë”, mendoj se kalimi i ndryshimeve të Kodit Rrugor në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretimi në muajin janar të vitit 2015 e aktualizoi zbatimin e infrastrukturës ligjore dhe nënligjore të miratuar deri tani prej vitit 2012 e këtej. Midis Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor janë aktualizuar në vijim brenda dy muajve pas datës 21.01.2015 modalitetet e shkëmbimit të informacionit, për transferimin e vendimeve për procesverbale të konstatimit të shkeljes dhe konvertimin e tyre në pikët respektive. Jemi brenda vitit të parë të zbatimit të sistemit të lejedrejtimit me pikë dhe është ndoshta akoma herët për të dhënë një rezultat të ndikimit të këtij sistemi, pasi janë të paktë ata të cilët e kanë plotësuar “kuotën” prej 20 pikësh dhe janë në kushtet e humbjes se lejedrejtimit dhe që do të duhet ta rifitojnë atë.


Korrupsioni te policët rrugorë po ndëshkohet maksimalisht, ku të arrestuar kanë mbetur edhe qytetarë që japin para në dorë. Cilat janë mënyrat e denoncimit kur një rrugor kërkon para për një favor dhe a keni një numër policësh të ndëshkuar apo parashikim për shtim të kontrolleve të brendshme, për ta luftuar këtë fenomen?


Një nga prioritetet e punës së shërbimit të Policisë Rrugore është zbatimi me korrektësi i ligjit. Në ato raste kur është konstatuar se nga elementë të veçantë brenda radhëve të Policisë Rrugore ka pasur raste të korrupsionit, qëndrimi ka qenë ligjor dhe i rreptë. Ju jeni dëshmitarë që në çdo rast të denoncuar nga drejtues i mjetit, nga emisione televizive, nga qytetarë të ndryshëm të zakonshëm, është trajtuar me seriozitetin më të madh, duke filluar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë Shtetit, deri te strukturat përkatëse që ngarkohen nga ligji për ndjekjen e rasteve të tilla. “Komisariati Digital” është një instrument jashtëzakonisht efikas për të sinjalizuar çdo rast abuzimi me ligjin nga ana e punonjësve të policisë. Dhe çdo shqiptar që ka një “smartphone” mund ta bëjë atë shpejt dhe në kohë, kudo që ai ndodhet sa herë që ai përballet me një sjellje korruptive të punonjësve të Policisë Rrugore. Rrugë tjetër është denoncimi direkt pranë strukturave të specializuara të Ministrisë së Brendshme, të cilat janë në çdo drejtori dhe në çdo komisariat policie.


Bisedoi: Mariglen Mullai