Mbrëmjen e djeshme në Athinë është arrestuar 37-vjeçari Bledi Shkurtaj, shqiptari që u arratis pak ditë më parë nga rajoni i policisë në Menidhi të Athinës dhe që shumë media e kanë cilësuar “Alket Rizain” e ri, pasi “mbreti” i arratisjeve u largua dy herë nga burgjet greke me helikopter.


Veprat penale për të cilat janë dënuar ngjasojnë si dy pika uji, por Shkurtaj ndryshe nga Rizai është tullac dhe për të realizuar arratisjen këputi hekurat e qelisë së paraburgimit.


Shkurtaj u arratis të martën nga rajoni i policisë në Menidhi, ku mbahej nën akuza të rënda, mes të cilave krijim i organizatës kriminale, vrasje me dashje, plagosje dhe tentativë vrasje, si dhe një sërë akuzash të tjera.


https://youtu.be/yfIaD1FUl7w


Ai u arrestua prej policisë greke gjatë orëve të para të mbrëmjes të së shtunës në lagjen “Hajdari” të Athinës, ku edhe fshihej në banesën e një miku të tij. Mësohet se Shkurtaj nuk ka bërë  fare  rezistencë   në kohën e arrestimit të tij.


Për ta arrestuar sërish Shkurtajn u desh ndërhyrja e forcave speciale të policisë EKAM, pasi ai konsiderohet si një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Greqi.Më parë 37-vjeçari ishte arrestuar gjatë një tentativë grabitje në zonën Vilia të Athinës, ku i gjendur nën rrethimin e forcave të rendit, hapi zjarr me kallashnikov dhe nga shkëmbimi i zjarrit, mbeti i plagosur.


Shkurtaj do të dërgohet në drejtorinë e policisë së Atikës dhe gjatë ditëve në vazhdim, do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.


23 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)