Janë 78 instrumentistë të rinj që patën debutimin e tyre në Tiranë më 26 nëntor nën dirigjimin e maestro Aldo Ceccato-s. E lindur në një bashkëpunim të ngushtë me shkollën e muzikës së Fiesoles në Firence të Italisë. Prezantimi më i afërt në Francë
Oliverta Lila
Në ditët e zhurmshme të 100-vjetorit të Pavarësisë, një grup të rinjsh, të bërë bashkë në një orkestër në emër të pasionit, bënin debutimin e tyre në Tiranë. Koncerti i datës 26 nëntor, në ditën e Çlirimit të Tiranës, do të shënonte për ta hapin e një rruge të gjatë që i pret, në një klimë jo shumë të favorshme artistike. Orkestra Rinore Shqiptare lindi nga një bashkëpunim i ngushtë me shkollën e muzikës së Fioseles në Firence, ku ka studiuar edhe kornisti shqiptar Arbër Neziri, nismëtar i kësaj ideje, mbështetur tashmë nga Bashkia e Tiranës. Dirigjenti i njohur, Aldo Ceccato, erdhi në Tiranë për t’u dhënë një tjetër shtysë këtyre të rinjve. I kthyer në Tiranë, Arbër Neziri tregoi se u desh një punë 3-vjeçare gjatë së cilës profesorët e shkollës së muzikës së Fiesoles përzgjodhën një nga një të gjithë instrumentistët. Nga 150 instrumentistë shqiptarë, por edhe nga trevat përreth, u përzgjodhën 78 të tillë që sot përbëjnë Orkestrën Rinore Shqiptare. Sipas Nezirit, synimi i tyre është që të bëhen pjesë e Federatës së Orkestrave Rinore Europiane, ndërkohë që në projektet që kanë, do të tentojnë që të ruajnë një stad të lartë artistik, i cili u mungon pjesës më të madhe të aktiviteteve që shohim të realizohen. Nëse pasioni i tyre do t’i mbijetojë realitetit të ashpër shqiptar, do të shohim më shpesh të rinj që ngjiten në skenë. Në intervistën e mëposhtme, kornisti Arbër Neziri, na tregon më shumë për këtë ide. Sapo ka marrë jetë një orkestër e përbërë vetëm nga instrumentistë të rinj. Si lindi kjo ide?
Në vitet e fundit të studimeve në shkollën e muzikës së Fiesoles në Itali, më lindi kjo ide, një ëndërr që dhe Shqipëria të ketë Orkestrën Rinore të saj si të gjitha vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Dy profesorët te të cilët gjeta mbështetje për të realizuar këtë ëndërr ishin Pëllumb Vorpsi në Tiranë dhe Guido Corti, profesori i kornos në Fiesole të Italisë. Me profesor Cortin, një nga kornistët më në zë në botë, folëm veçanërisht mbi mundësinë që kishim për federimin e kësaj orkestre që po ngrinim në Federatën e Orkestrave Rinore Europiane (EFNYO). Kështu nisi bashkëpunimi ynë i ngushtë me shkollën e Muzikës së Fiesoles në Firence të Italisë, një nga shkollat më të famshme të muzikës në botë. Në vitin 2010 themeluam Fondacionin “IDEA” që na hapi rrugë të bënim një kontratë zyrtare 3–vjeçare me shkollën e muzikës së Fiesoles, gjë që do të na çojë në realizimin e tre objektivave: Krijimin e Orkestrës Rinore Shqiptare dhe federimin e saj në EFNYO; Ngritjen e Akademisë Superiore të Muzikës në Tiranë; Krijimi i një sistemi arsimor muzikor nga fëmijëria deri në nivelet më të larta universitare. Për këtë arsye, instrumentistët e ORSH-së do të përgatiten nga instrumentistët e parë të orkestrave më prestigjioze, të cilët japin mësim në shkollën e muzikës së Fiesoles në Firence. Ne synojmë që këta të rinj të Orkestrës Rinore Shqiptare këtë standard do ta sjellin në koncertet që do të realizohen në vendin tonë.
Mbi ç’baza do të funksionojë më tej kjo orkestër, do të ketë një kalendar, një seli të sajën?
ORSH-ja do të funksionojë mbi bazat dhe standardet e Federatës së Orkestrave Rinore (EFNYO) në të cilën tashmë mbas koncertit inaugurues të 26 nëntorit jemi kandidat. Kjo orkestër do të rinovohet çdo dy vjet duke u dhënë kështu mundësinë të gjithë të rinjve shqiptarë dhe të Ballkanit të përgatiten e të luajnë me pedagogët e shkollës së muzikës së Fiesoles. Selia aktuale e ORSH-së është qendra “TEN”, e vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës. Në vitin 2013, dy ndër aktivitetet më të rëndësishme që presim të realizojmë janë dy festivalet më të rëndësishme në Europë, ai që zhvillohet në Touquet të Francës (TIMN2013) dhe festivali “Anima Mundi” që zhvillohet në Pisa të Italisë.
Klima artistike aktualisht nuk është ajo më e mira. Sa sfiduese është për ju të garantoni vazhdimësinë?
Shpresojmë dhe besojmë që në vitet e ardhshme, ashtu siç është garantuar, projekti ynë të mbështetet financiarisht nga Fondi Amerikan i Zhvillimit në Shqipëri.
Si iniciator i kësaj sipërmarrjeje, ti ke studiuar dhe jetuar për mjaft kohë në Itali. Pse vendose të ktheheshe?
Vendosa të kthehem nga Italia, pasi mendoja që edhe në Shqipëri mund të funksionojë një realitet i atillë si ai i Orkestrës Rinore Italiane dhe i shkollës së muzikës së Fiesoles. Pas koncertit të 26 nëntorit, në paraqitjen më të afërt në Francë shpresojmë që të tregojmë se kisha të drejtë.