Legjislativi
Seanca mbyllet me një foto “familjare” mes deputetëve të mazhorancës
25 maj – Kuvendi mori vendim të posaçëm, duke vendosur që mandati i tij të përfundojë më datë 25 maj
3 anëtarë – Kuvendi duhet të zgjidhë çështjen e vakancës së KQZ-së, pas dorëheqjes së 3 anëtarëve
113 vota – Kodi Penal u votua me 113 vota pro dhe një abstenim. Ky ligj kërkonte shumicë të cilësuar
71 vota – Pas ikjes së deputetëve të opozitës, Kuvendi mori vendime vetëm me 71 vota të mazhorancës
Ngërçi i KQZ-së bën që Kuvendi të shtyjë punimet deri më 25 maj. Konferenca e kryetarëve u mblodh dje për të përcaktuar një vendim se kur duhet të përfundojë mandati i Kuvendit. Kalendari i punimeve i miratuar me konsensus në Konferencën e Kryetarëve parashikon mbajtjen e seancave gjeri më 23 maj. Në tri seancat e fundit nuk ka asnjë projektligj për t’u votuar, por shpjegohet se si votim janë plotësim i vendeve vakante në institucione. Në fund të seancës pa praninë e opozitës, Topalli hodhi në votim propozimin që “Me detyrim të Kodit Zgjedhor, Kuvendi miratoi sot edhe datën 25.5.2013 si datën e mbylljes së legjislaturës”. Por edhe pse u mor një vendim i tillë, Topalli në fund të seancës, ftoi deputetët e mazhorancës të bëjnë një foto të përbashkët duke nënkuptuar dhe mbylljen e kësaj legjislature. “Mund të bëjmë dhe një seancë të hënën, gjithsesi do t’ju njoftojmë”, iu drejtua Topalli deputetëve të PD-së në momentin e ndarjes pas shkrepjes së fotos kolektive. Ndërkohë që shtyrja deri më 25 mars e Kuvendit lidhet me fatin e komisionit hetimor të ngritur nga mazhoranca kundër liderit të PS-së, Edi Rama. Pikërisht me 20 maj kur është parashikuar miratimi i raportit të komisionit hetimor për ngjarjen e 24 prillit në akademinë diplomatike të Vjenës është parashikuar një seancë kuvendore. KQZ-ja ndodhet me katër anëtarë, pasi tre anëtarët e opozitës dhanë dorëheqjen pas shkarkimit që Kuvendi i bëri Ilirjan Muhos. Për këtë vakancë, PD-ja ka bërë thirrje opozitës që të plotësojë vendet, por nga ana e saj, PS-ja ka bërë të ditur se është rikompozimin e plotë të KQZ-së. Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat e tyre për disa projektligje, ku më i rëndësishmi është Kodi Penal. Ndërkohë që për ligjin e Legalizimeve, ministri i Mjedisit, deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, votoi kundër kësaj nisme. Në seancë nuk munguan as thirrjet për miratimin e ligjeve të kërkuara nga ana e Komisionit Europian. “Ju ftoj të votojmë 3 ligjet e integrimit. Nuk mund të besoj që socialistët dhe demokratët të mos bashkohen për integrimin. Ju ftoj të bëjmë detyrën tonë”, u shpreh kryeparlamentarja. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, iu përgjigj apelit të Kryetares së Kuvendit duke theksuar: “Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e keni në fushën tuaj. Mos kërkoni të lini përgjegjësinë këtej”. Me kërkesë të Ruçit, Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje në kujtim të ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua 4 vjet më parë. “Pikërisht në datën dy, para katër vitesh është vrarë një kolegu ynë dhe katër vite në pushtet nuk zbuluat asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili sot nuk është në sallë, ka shkuar atje të vendosë lule në varrin e të atit”, u shpreh Ruçi. Ndërsa Topalli theksoi se “ai ishte një koleg i yni, një koleg shumë i mirë i yni, për të cilin edhe njëherë shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë që të bëjë detyrën, sepse deri tani ka shkuar shumë vonë zvarritja e këtij procesi
BLEDAR HOTI