Gjykata i jep të drejtë Skënder Zogut për rivendosje afati nga AKKP-ja e Tiranës
Skënder Zogu është kushëriri i parë i Mbretit Leka dhe kryetar i senatit të Partisë së Legalitetit
Nipi i Ahmet Zogut, Skënder Zogu, kërkon pronat e trashëguara në katër qytete të vendit. Padia e djalit të vëllait të ish-mbretit të Shqipërisë është kryer kohët e fundit në Gjykatën e Tiranës, e cila është pranuar nga togat e zeza dhe detyron Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ta pranuar kërkesën për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës, që rrjedh nga trashëgimtari Xhelal Zogu.
Padia
Pak kohë më parë, Skënder Zogu, djali i Xhelal Zogut, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për rivendosje në afat të kërkesës për njohjen dhe kthimin e pronës pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në kërkesën e tij, ai shprehet se banon prej vitesh në Francë dhe është njëri nga trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Xhelal Zogu. Ai pretendon se i është drejtuar AKKP-së në Tiranë për t’i marrë në shqyrtim pronën e pretenduar. Sipas tij, AKKP i ka kthyer përgjigje se “subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ligji, kanë pasur të drejtë të depozitojnë kërkesa, deri më 31 dhjetor 2008”, çka do të thotë se ky organ nuk e merr në shqyrtim kërkesën e kërkuesit Skënder Zogu, pasi është jashtë afateve ligjore. Në këto kushte, duke qenë se afati për pranimin e kërkesave për kthimin e pronës ka kaluar, kërkuesi Skënder Zogu i është drejtuar gjykatës me kërkesën për rivendosje afati të kërkesës. Në kërkesë, ai ka paraqitur edhe shkaqet që pretendon për afatin e humbur për t’iu drejtuar AKKP-së. “Institucionet kompetente për ruajtjen e dokumentacionit mbi pronësinë kanë dhënë në vite informacion kontradiktor. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, së fundmi është dhënë materiali arkivor se Xhelal Zogu ka në pronësi pronat e ndodhura në Burrel, Durrës, Sarandë, Tiranë, Qafë-Shtamë. Kërkuesi është rezident në Francë dhe nuk ka marrë dijeni rreth afatit ligjor për të paraqitur dosjen pranë AKKP Tiranë, që ishte dhjetori 2008. Pra, kërkuesi ka qenë me banim në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë në Francë, pa kontakt me median elektronike apo shtypin e shkruar shqiptar dhe ka pasur mangësi në dokumentacion, të cilat janë plotësuar së fundmi”, thuhet në kërkesën e paraqitur në gjykatë.
Vendimi
Në këto kushte, Gjykata e Tiranës konkludon se kërkesa e ngritur nga Skënder Zogu është e mbështetur në ligj dhe prova. Sipas gjykatës, afatin e vendosur, nipi i Ahmet Zogut e ka humbur për shkaqe të përligjura pasi “institucionet kompetente për ruajtjen e dokumentacionit mbi pronësinë kanë dhënë në vite informacion kontradiktor”… Në gjykim, kërkuesi paraqiti në cilësinë e provave të gjithë korrespondencën, kështu që, referuar provave shkresore të marra për shqyrtim në seancë gjyqësore, gjykata arrin në konkluzionin se Skënder Zogu ka humbur afatin prekluziv të mbarimit të shqyrtimit të kërkesave për në AKKP Tiranë për shkaqe të përligjura, e për rrjedhojë, ajo duhet të rivendoset në afat. Ble. Gi.