Ka nisur protesta e Partisë Demokraktike kundër qeverisë me sloganin “Rama ik”! Qytetarë të shumtë nga të katër anët e vendit, të ardhur me autobusë dhe furgonë, janë grumbulluar në sheshin “Skëndërbej”, duke “rrethuar” kryeministrinë.
Protesta e paralajmëruar e opozitës ka pasur si qëllim luftën kundër trafikut të drogës në vend, shkarkimeve nga puna në administratën publike dhe premtimeve jo të mbajtura pas ardhjes në pushtet.
Fjalën e kanë nisur anëtarë të FRPD-së, duke shprehur shqetësimin e tyre për lajmet e përditshme mbi trafikun e drogës, duke i bërë thirrje qeverisë të mos ia prishë imazhin e mirë vendit tonë.
Më pas fjalën e ka marrë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar dorëheqjen e Ramës, duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor për trafikun e drogës.
“Vendi ka nevojë për përgjegjshmëri dhe jo për adjutantë të narkotrafikut. Shqiptarët u ngritën në këmbë kundër drogës, – u shpreh Basha. – Kjo është një ditë e madhe, është një ditë historike. Partnerët po na shikojnë, brezat po ashtu: ju jeni Shqipëria e punës, e ligjit, e demokracisë e integrimit. Shqipëria që nuk trembet, gjunjëzohet dhe pastrohet”.
“Kjo është Shqipëria e statusit kandidat në Europë, – vazhdoi kryetari i PD. – E meritojmë statusin edhe për këtë protestë. Për këtë mesazh që po i japim Europës dhe partnerit strategjik, SHBA.
Nuk jemi xhungël e drogës, por e punës. Rama ka rënë që ditën kur ra avioni i drogës. Shqetësimi i ngritjes së narkotrafikut është kombëtar. Trafiku i drogës është fatkeqësia jonë shoqërore e politike.
Paratë e pista të drogës ia marrin frymën vendit e demokracisë. Këto para të pista blejnë vendimmarrjen politike. Ky është një alarm dhe rrezik shoqëror kundër të cilit jemi ngritur të gjithë në këmbë. Kujt do t’i duhej një leshko si Rama që nuk kontrollon territorin e vendit nga trafiku i drogës”.
Rama ironizon: Rrota e ish-qeverisë ngeci në bulevard
Pas protestës, nuk ka vonuar një mesazh ironik i kryeministrit Edi Rama në “Facebook” mbi praninë jo shumë të madhe mbështetësve të opozitës në shesh për të protestuar kundër trafikut të drogës dhe kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë: “Rrota e ish-qeverisë ngeci në Bulevard”, – ka shkruar Rama, duke iu referuar ironisë së bërë nga opozita për rrotën e avionit që ngeci në rërën e Divjakës dy javë më parë. Ndërkohë statusi i Ramës në rrjetin social vazhdonte: “Piloti nuk foli, shoferi bërtiti, pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja.
Protestuesit mbështesin grevistët e urisë
Pas mbarimit të fjalimit të Bashës, vëmendja e protestuesve u përqendrua te çadrat e grevës së urisë, kur ndodhen prej pak ditësh 14 persona, ish-punonjës të administratës publike që janë shkarkuar nga puna. Protestuesit, duke boshatisur pjesën kryesore të bulevardit, i kanë mbështetur me thirrjet: “Jemi me ju, jemi me ju”, por edhe, “Kthejini në punë, kthejini në punë. Rama ik, jepe dorëheqjen”.
Të larguarit nga puna, kanë dalë nga çadrat dhe i kanë përshëndetur protestuesit, të cilët kanë kënduar në kor edhe himnin e flamurit kombëtar.
23 maj, 2014 (gazeta-shqip.com)