Nga Vettingu, në Vetting! Kështu mund të cilësohet procesi i verifikimit dhe pastrimit të figurave në  drejtësinë shqiptare, por edhe në institucione, administratën shtetërore dhe deri në media.


Pas nisjes me sukses në sistemin gjyqësor, ku janë djegur dhe shkarkuar me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, tashmë do të nisë edhe Vettingu në polici.


300 drejtues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen Vetingut në polici.


Ministria e Brendshme bëri publik dje dhe anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vetingut (KJV), që do të vlerësojë drejtuesit e lartë në tre kritere: pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësia profesionale, njësoj si vetingu në sistemin e drejtësisë.


Procesi i Vettingut në polici erdhi si propozim nga Ministri i Brendshëm Xhafaj, në tetor të vitit 2017, dhe ligji për mënyrën se si do të bëhet Vettingu u votua nga parlamenti.


Pas policisë, në “sitë” do të kalojë edhe administrata shtetërore dhe media, por vetëm radha e politikanëve nuk dihet se ku do të vijë.


Disa herë ka pasur nisma të ndryshme jo ligjore nga ana e deputetëve për të nisur një proces të tillë, që sigurisht kërkon kohë, por mungesa e një vullneti të përbashkët dhe frika se shumë prej tyre do të digjen që në raundet e para, e kanë lënë në hije këtë Vetting.


Gazeta Shqip