Mesazhe urimi nga Presidenti Nishani dhe kryeministri Berisha
Sot në të gjithë vendin institucionet e arsimit parauniversitar çelën dyert për nisjen e vitit të ri shkollor 2012-2013. Rreth 36 mijë fëmijë do të ulen në bankat e shkollës për herë të parë për të nisur rrugën e gjatë të dijes, ndërkohë që sipas statistikave të MASH në të gjithë vendin janë 579 mijë nxënës dhe fëmijë që sot u janë drejtuar shkollave dhe kopshteve.
Çelja e vitit të ri shkollor është përshëndetur edhe nga krerët e shtetit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor me anë të një mesazhi në faqen zyrtare në internet të Presidencës.
“Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013 t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur”, lexohet në mesazhin e Presidentit. Nishani ka uruar në mënyrë të veçantë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërkohë që u ka bërë thirrje të kthehen në shkollë të gjithë atyre që për arsye të ndryshme e kanë braktisur mësimin.”Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen sa më parë asaj”, shprehet Nishani.
Ndërkohë kryeministri Sali Berisha ka udhëtuar drejt Lezhës nga ku ka uruar të gjithë fëmijët për nisjen e vitit të ri shkollorë. Ai është shprehur i lumtur që sot 36 mijë nxënësit që ulën në klasën e parë do mësojnë me një abetare mbarëkombëtare. “36 mijë nxënës për herë të parë me abetare mbarëkombëtare. Që prej ardhjes tonë në pushtet, rrogat e mësuesve u rriten 100%, 90% e nxënësve që mbarojnë 9-vjecaren kalojnë në të mesmen, ndërsa 71% e atyre që mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në shkollë të lartë”, tha Berisha.
10 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)