Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekreton Prokurorin e Përgjithshëm dhe datën e zgjedhjeve. “Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.


Ndërkohë, në një relacion shoqërues, kreu i shtetit shpjegon edhe arsyet e përzgjedhjes së kandidaturës së Llallës për këtë post të rëndësishëm, duke veçuar eksperiencën e tij në strukturat e prokurorisë dhe përzgjedhjen e tij në mënyrë konsensuale nga Kuvendi për të drejtuar ILDKP-në.


“Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, – thuhet në relacionin e presidentit Nishani.


Adriatik Llalla është kreu aktual i Institutit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.


Ndërkohë, sa i përket datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Nishani dekreton datën 23 qershor 2013, çka përputhet dhe me mendimin e përgjithshëm të përfaqësuesve politikë, me të cilët presidenti zhvilloi takime disa ditë më parë.


Llalla: Detyra e re, sfidë dhe përgjegjësi


Kandidati për Kryeprokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llalla e ka vlerësuar pozicimin e ri si sfidë dhe përgjegjësi njëherësh. Në një prononcim për mediat Llalla shprehet se do të vijojë në krye të ILDKP-së deri në momentin që dekreti i sotëm i presidentit Bujar Nishani të votohet. Ai ka pohuar se  ka marrë telefonata urimi edhe nga opozita.

“Padiskutim që kam pasur telefonata urimi, familja, dashamirës edhe nga opozita, nga të gjithë. Nuk është ende momenti për të diskutuar, janë disa procese të tjera që duhen kaluar.”- deklaroi Llalla.


 


3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)